E Diel, 1 Nëntor 2026

Boateng Te Gjermania nuk ka klane

Spekulimet se në radhët e Kombëtares gjermane janë krijuar klane, krijuan idenë se atmosfera brenda skuadrës nuk ishte nga më të mirat dhe kjo mund të ndikonte në mënyrë të drejtë për drejtë te shanset e të besuarve të Joakim Lëv për të triumfuar në Euro 2012.

Megjithatë, për të hedhur poshtë zërat ka folur mbrojtësi i djathtë, Zherom Boateng, i cili nënvizoi se nuk ekziston asnjë përçarje ndërmjet lojtarëve të Bajernit të Mynihut dhe atyre të Borusias së Dortmundit, kur bëhet fjalë për ndeshjet ndërkombëtare.

Në vitet e fundit, ndërmjet dy klubeve të Bundesligës ka pasur mjaft rivalitet, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj, duke nxitur hipotezat se pasojat mund të ndikonin në paraqitjet e Gjermanisë, por Boateng përgënjeshtroi gjithçka.

“Sinqerisht që nuk ka asnjë rivalitet ndërmjet nesh. Natyrisht që të gjithë kërkojmë të fitojmë në çdo ndeshje që luajmë, por kur bëhet fjalë për ekipin Kombëtar, luajmë të gjithë në shërbim të skuadrës”, tha mbrojtësi bavarez.

Gjermania do ta nisë aventurën në Euro 2012 me takimin e së shtunës kundër Portugalisë, ndërsa në Grupin B “panzerat” luajnë edhe me Holandën dhe Danimarkën. Edhe pse ka kontingjentin me moshën më të re të aktivitetit, “Mannschaft” cilësohet si një prej ekipeve me shanset më të mëdha për të triumfuar në Poloni dhe Ukrainë, ndërsa Lëv kërkon t’i japë Gjermanisë titullin europian për herë të parë prej vitit 1996.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›