E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja sulmi me i dobet

Spanja paraqitet në Euro 2012 si kampione e botës dhe Europës në fuqi, megjithatë trajneri Visente Del Boske duhet të jetë i shqetësuar për faktin se statistikat tregojnë se “Furia e Kuqe” ka sulmin më të dobët nga pretendentet e evenimentit në Poloni dhe Ukraninë. Kjo u pa në fitoren minimale të Spanjës në miqësoren me Kinën, ku pavarësisht rasteve të shumta të krijuara, ata shënuan vetëm në minutën e 84-rt me David Silvan, pas lëvizjeve të mrekullueshme të Iniestës.

Shifrat tregojnë se tre sulmuesit e spanjollëve, Fernando Torres, Jorente dhe Negredo kanë shënuar së bashku vetëm 37 gola gjatë sezonit që sapo u mbyll në kampionatet ku militojnë. Ky është reparti më i dobët nga të gjithë “big”-ët e Euro 2012. jorente ka shënuar 17 gola me Atletik Bilbaon, Negredo 14 me Seviljan, ndërsa Torres vetëm 6 me Çelsin.

Në vendin e parë të këtij klasifikimi të veçantë ndodhet Holanda me 84 rrjeta në total të realizuara nga treshja sulmuese Robin Van Persi, Klas-Jan Huntelar dhe Luk De Jong. Van Persi e mbylli sezonin me 30 rrjeta te Arsenali, Huntelar shënoi 29 gola me Shalken, ndërsa De Jong 25 me Tventen. Nëse kësaj force sulmuese I shton edhe golat e Van der Vart apo Roben, “tulipanët” janë një skuadër e frikshme.

Në vendin e dytë vjen Portugalia me 66 gola, 46 prej të cilëve janë realizuar vetëm nga Kristiano Ronaldo me Realin e Madridit. Edhe pse në këtë klasifikim llogariten vetëm golat në kampionat, në fakt sulmuesi “merengue” ka shënuar 60 gola në të gjitha aktivitetet. Shifra plotësohet nga 11 rrjetat e Hugo Almeidës me Beshiktashin dhe 9 të Helder Postigas me Saragozën.

Golat e sulmuesve, janë vetëm një prej konfirmimeve të radhës, që tregojnë se Grupi B është “grupi i ferrit”. Në fakt, në vendin e tretë renditet Gjermania, që ka më pak gola të shënuar se dy rivalët e fazës së parë të Euro 2012 dhe ndodhet në kuotën 57. Mario Gomez është golashënuesi më i mirë me mbi 40 rrjeta në total, nga të cilat 26 vetëm në Bundesligë. Gjithsesi, sulmuesi i Bajernit rrezikon të qëndrojë në stol, pasi tekniku Lëv i beson Miroslav Kloses që shënoi 13 gola te Lacio. Një tjetër alternativë është Lukas Podolski, autor I 18 rrjetave te Këlni, por gjermanët shënojnë edhe me mesfushorët ofensivë, mjafton të kujtosh 18 golat e Marko Rojs te Borusia Mynshengladbah.

Më pas, vijnë Anglia me 47 gola, ku Ujen Runi është golashënuesi më I mirë me 27 rrjeta, Italia me 45 gola, ku primati mbahet nga Di Natale me 23, edhe pse sulmuesi I Udinezes pritet të jetë rezervë, ndërsa në fund vjen Franca me 42 gola ku Benzema dhe Xhirud kanë realizuar nga 21 rrjeta, ndërsa Loik Remi, autor i 13 golave nuk do të jetë në Euro 2012 për shkak dëmtimi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›