FSHF i heq mandatin e deputetit, Dashnor Sula dënohet si tifoz
Shpëtim Gjika dënohet 8 javë dhe 500 mijë lekë, ndërsa Bylisi 1.5 milionë dhe 4 javë pa spektatorë
Komisioni i Disiplinës në FSHF ka shënuar një precedent mjaft të çuditshëm në mbledhjen e ditës së djeshme, teksa ka dënuar me 8 ndeshje përjashtim nga aktivitetet spektatorin Dashnor Sula. Personi në fjalë është njeri publik, deputet në Kuvendin e Shqipërisë nën siglën e Partisë Demokratike. Në vendimin e Disiplinës Dashnor Sulaj konsiderohet thjesht spektator, pra një tifoz i thjeshtë, që nuk duhet të lejohet të futet në stadium 8 ndeshje rresht.
Por a është kjo zgjidhja e duhur nga ana e FSHF-së për të dënuar një njeri problematik si deputeti Sulaj? Dhe nëse një tifoz i thjeshtë, sikurse konsiderohet Sulaj, arrin të ofendojë dhe ushtrojë dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes, a ka përgjegjësi klubi? Për fat të keq, masa e marrë ndaj personit në fjalë është thjesht një lëvizje dëshpëruese, të paktën për ti dhënë një dënim moral, mediatik, një personi me mandat që gjatë zhvillimit të ndeshjeve të skuadrës së tij bëhet i papërgjegjshëm.
Dhe për të mos e dëmtuar Shkumbinin me sjelljet e tij të pahijshme, deputeti Sulaj nuk e ka regjistruar veten as si zyrtar klubi, kur dihet që ligjin te skuadra peqinase e bën ai vetë. Mbetet për tu parë nëse forcat e ruajtjes së rendit do të arrijnë të ndalojnë një deputet që të mos futet në stadiumet tona 8 ndeshje radhazi.
Gjika dhe Bylisi Masat ndëshkuese më të rënda janë marrë për ndeshjen Bylis-Flamurtari 1-3. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, dënohet me përjashtim 8 ndeshje nga aktivitetet dhe me 500 mijë lekë gjobë. Kjo do të thotë që ky zyrtar i Flamurtarit nuk do të lejohet të futet në stadium në 8 ndeshjet e ardhshme.
Ndërsa goditja me sende të forta e anësorit Barushi do ti kushtojë rëndë Bylisit, që përveçse do të zhvillojë 4 ndeshje pa tifozë, duhet të derdhë në arkat e FSHF-së shumën prej 1,5 milionë lekësh si masë ndëshkimore për rastin e mësipërm.
Vendimet e Disiplinës
- Bylisi, për hedhje të gurëve ndaj zyrtarit të ndeshjes me pasojë dëmtimin fizik të këtij të fundit, dënohet 4 ndeshje pa spektatorë dhe 1.500.000 gjobë.
- Zyrtari i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, për sjellje të keqe ndaj zyrtarëve të ndeshjes dënohet 8 ndeshje përjashtim nga aktivitetet dhe 500.000 lekë gjobë.
- Shkumbini, për hedhje sendesh të forta në fushë nga spektatorët, dënohet 300.000 lekë gjobë.
- Spektatori Dashnor Sula, për fyerje të zyrtarëve të ndeshjes, dënohet 8 ndeshje përjashtim nga aktivitetet.
- Laçi, për marrje të më shumë se 5 masave ndëshkuese (kartonë të verdhe dhe të kuq) ndaj lojtarëve dënohet 100.000 lekë gjobë.
- Turbina, për mosgarantim të sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes, dënohet 20.000 lekë gjobë.
- Memaliaj, për hedhje sendesh të forta në fushën e lojës dënohet 60.000 lekë gjobë.
- Zyrtari i Memaliajt, Asllan Seferi, për sjellje të keqe ndaj zyrtarëve të ndeshjes 8 ndeshje përjashtim nga aktivitetet dhe 100.000 lekë gjobë.
- Lojtarët e Memaliaj, Dorian Hima dhe Heklan Jaupaj, për fyerje dhe ofendim të zyrtarëve të ndeshjes dënohen secili 2 ndeshje pëzullim dhe 20.000 lekë gjobë.
- Zyrtari i Burrelit, Drilon Skura, për fyerje të zyrtarëve të ndeshjes dënohet 3 ndeshje përjashtim nga aktiviteti dhe 50.000 lekë gjobë.
- Ada U-17 humbet ndeshjen në tavolinë 3-0 me Besën për dështim në organizimin e ndeshjes.
- Kamza U-17 fiton në tavolinë ndeshjen me Shkumbinin.
- Shqyrtimi i problematikave disiplinore për ndeshjen GramshiTurbina (U-17) do të bëhet në mbledhjen e radhës, pasi do të thirren zyrtarët e ndeshjes për të dëshmuar.
- Shqyrtimi i kërkesës së lojtarit Santiago Dalipaj shtyhet për mbledhjen tjetër, që të njihet komisioni me vendimin e dënimit te tij.
- Kërkesa e Memaliajt për faljen e futbollisteve Dritan Seferi, Denis Mema dhe Adelajd Çaushi, e paraqitur nga sekretari Asllan Seferi, nuk u mor në shqyrtim, pasi të drejtën për të kërkuar pezullimin e pjesshëm të zbatimit të dënimit e kanë personalisht vetëm lojtarët e dënuar
