E Shtunë, 31 Tetor 2026

I. Lika: Skënderbeun e heqim qafe kete jave

Nga ERJON SALIU

Boll fituam në fund, po vazhduam kështu do bëhemi me zemër. Ndryshojmë këtë javë, e zgjidhim shpejt ndaj korçarëve

Sfida me Skënderbeun është e rëndësisë së veçantë për Tiranën dhe tifozët e saj, për mënyrën se si rrodhën ngjarjet një vit më parë. Trajneri Rubio dhe lojtarët po përgatiten që të marrin tri pikët e radhës pikërisht këtë të diel ndaj kampionëve në fuqi, në sfidën që do të zhvillohet në Qemal Stafa, në orën 17:00. Një nga titullarët e Tiranës, gardiani Ilion Lika, është i bindur se Tirana do ta thyejë Skënderbeun.

Në prag të përballjes me kuqebardhët, Lika karikon skuadrën, por flet edhe për ecurinë e deritanishme të bardhebluve. Goli në Fier ishte një nënvlerësim imi, pavarësisht se fusha dhe topi ndikuan te pësimi i golit. Pocizioni i portierit është ndryshe nga repartet e tjera. Në qoftë se gabon një sulmues në aksion, e rikuperojnë mesfushorët apo mbrojtësit, kurse ne portierët kemi vetëm rrjetën mbrapa.

Në momentin që gaboj unë, topi shkon në rrjetë. Sa i përket ndeshjes së radhës, Skënderbeu është kampioni në fuqi dhe pretendent për titullin kampion. Është një përballje e vështirë, kështu që të tilla takime të mobilizojnë më tepër. E di që të gjithë do të jenë të përqendruar për këtë ndeshje, mirëpo ne duke qenë se luajmë në fushën tonë do të kërkojmë që të fitojmë.

Skënderbeu është një rival direkt në luftën për titullin kampion, ne do të mundohemi që të mbetemi në krye, ndërsa korçarëve tu japim një grusht dhe ti zbresim akoma më poshtë në tabelën e klasifikimit, – pohoi fillimisht Ilion Lika.

EcuriaVjet skuadra jonë shkonte deri në gjashtë apo shtatë ndeshje pa pësuar gol, por mblidhnim shumë pak pikë. Kurse tani, pavarësisht se pësojmë gola, marrim fitore jemi në vend të parë dhe kjo është më e rëndësishme. E mira ska fund asnjëherë, mbase dikujt do ti pëlqente që ne ti fitonim ndeshjet si Barcelona me rezultate 4-0, mirëpo ne jemi Tirana, një ekip që mundohet të jap maksimumin ndaj çdo kundërshtari. Jemi një ekip që sulmojnë edhe mbrojtësit, por duhet që të kemi më shumë kujdes dhe të mos lëmë hapësira prapa për kundërshtarët.

Diferencat Ndër të tjera, gjatë prononcimit që ka dhënë në prag të ndeshjes me korçarët, ka folur edhe për gjendjen e rivalëve dhe diferencat që këtë sezon janë fare të vogla mes ekipeve.Në kampionatin tonë janë shumë ekipe që pothuajse nuk kanë diferenca të mëdha me njëra-tjetrën.

Unë i kisha porositur edhe shokët para ndeshjes me Apoloninë, pavarësisht se luanim ndaj një kundërshtari që ndodhej poshtë nesh në tabelën e klasifikimit, do ta kishim shumë të vështirë që të fitonim. Ashtu rezultoi, pasi ne e zgjidhëm ndeshjen në minutat e fundit. Pra, duhet përqendrim në çdo ndeshje që kemi përpara, në mënyrë që mos të gabojmë sepse mund ta pësojmë dhe na kushton shtrenjtë gjatë ecurisë së mëtejshme në garë.

Po fituam gjithnjë në fund, do bëhemi me zemër

Gjatë prononcimit që ka dhënë dje Ilioni, natyrisht nuk u shpëtoi edhe batutave. Kur e pyetëm gardianin Lika se sa i shijojnë atij dhe lojtarëve fitoret në fund, ai u përgjigj: Fitoret në fund të ndeshjeve natyrisht që të japin emocione, por jo gjithmonë duhet të vazhdojmë kështu.

U bënë disa ndeshje të cilat ne i zgjidhim në fund dhe po vazhdoj kështu që rrimë në ankth gjatë gjithë takimit, do të bëhemi me zemër. Do të ishte shumë më mirë për ne që ti mbyllim ndeshjet në pjesën e parë dhe të jemi më të qetë gjatë lojës. Fitoret në fund janë shumë emocionale dhe përjetohen shumë keq.

Shehin e kam mik, i uroj suksese pas ndeshjes

Përveç një sfide, Tirana-Skëndebeu do të jetë edhe një përplasje mes miqsh. Shumë lojtarë kanë luajtur për të dy ekipet në periudha të ndryshme. Por do të ketë edhe një përplasje mes dy gardianëve, Ilion Likës dhe Orgest Shehit, të cilët shkojnë mirë prej vitesh, madje që të dy kanë luajtur edhe te Shpresat para më shumë se një dekade.

Me Gestin njihemi prej vitesh dhe jemi miq, ai është një portier shumë i mirë. I uroj atij që të paraqitet mirë, por pas kësaj ndeshjeje. Nuk mund ti uroj të bëj gabime në përballjen tone, sepse nuk ia dua të keqen, por dua të fitoj Tirana dhe Orgestit i uroj suksese pas kësaj jave.

6 Pikë është diferenca që ka aktualisht Tirana nga Skënderbeu, skuadra e Rubios kryeson, ndërsa korçarët renditen në vend të dhjetë

630 Minuta është aktivizuar titullar gardiani, Ilion Lika, duke mos u zëvendësuar në asnjë ndeshje kampionati deri më tani dhe duke qenë një nga portierët më stabël të kampionatit

2 Sezone ka Ilioni që mbron portën e kryeqytetasve dhe ka fituar dy trofe, një Kupë të Shqipërisë dhe një Superkupë

Drejtues dhe tifozë i qëndrojnë pranë ekipit

Nisur edhe nga rëndësia që ka ndeshja me Skënderbeun, drejtuesit më të lartë të bardhebluve dhe tifozët po u qëndrojnë pranë idhujve të tyre në stërvitje. Gjatë seancave të këtyre ditëve ka rënë në sy pjesëmarrja e administratorit të sh.a. Tirana, Alban Tafaj, i cili krahas punëve në zyrë, çdo pasdite është i përkushtuar dhe ndjek seancat stërvitore.

Madje, Tafaj qëndron dhe bisedon për tematika të ndryshme me trajnerin spanjoll. Pritet që në përballjen e ditës së diel në stadium të ketë një numër të konsiderueshëm tifozësh bardheblu në mbështetje të idhujve të tyre. Madje kanë filluar qysh ditën e hënë që të përgatiten për koreografinë e ndeshjes me kuqebardhët.

Duro dhe Ahmataj stërviten të diferencuar

Dy nga titullarët e skuadrës së Tiranës, Julian Ahmataj dhe Klodian Duro, ndryshe nga pjesa tjetër e skuadrës, dje janë përgatitur në mënyrë individuale. Ndryshe nga Ahmataj, që rrezikon dhe verdikti përfundimtar nëse do të luajë apo jo do të jepet vetëm dy ditë para ndeshjes me kampionët në fuqi, për Duron nuk ka asgjë për tu shqetësuar.

Gjithsesi, trajneri Rubio është duke i marrë masat për të gjetur edhe zëvendësuesin e Ahmatajn në qoftë se nuk do të rikuperohet. Me shumë gjasa në vend të elbasanasit mund të luaj Nertil Ferraj.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›