E Diel, 1 Nëntor 2026

Hasi i thotë Jo kombëtares, Duka me dhembje koke

Nga Bashkim Tufa

Kandidati për trajner, ish-futbollisti kuqezi Besnik Hasi, shprehet se kontrata me klubin belg të Anderlehtit u bë pengesë për të mos pranuar ofertën për të drejtuar kombëtaren shqiptare. Ndërkohë, në FSHF për këtë çështje të gjithë heshtin

Përfundon telenovela Hasi. Madje pa filluar mirë, ndonëse gjatë këtyre ditëve ajo ka qenë temë e ditës. Të martën në mbrëmjen e vonë, ish-futbollisti kuqezi Besnik Hasi, ka konfirmuar se ka përfunduar pa sukses bisedimet me FSHF-në, që ky i fundit të marrë drejtimin e kombëtares shqiptare të futbollit. Ndonëse ka pasur një dëshirë të dyanshme, që çdo gjë të përfundojë me nënshkrimin e kontratës martesë, e cila sipas të gjitha gjasave do të zyrtarizohet nga presidenti Duka këtë javë, kjo nuk ka ndodhur.

Më duhet të mbetem me Anderlehtin, ekipi im nuk ka shprehur gatishmëri të prishë kontratën që kam me këtë ekip. Ky është një vendim i vështirë, por përfundimtar diçka që është jashtë vullnetit tim, – është shprehur Hasi, nëpërmjet një sms-je nga Brukseli. Këtu mbyllet edhe telenovela Hasi, përfundim, i cili sigurisht nuk është aspak i pëlqyeshëm dhe duhet ta ketë bërë disi me dhembje koke presidentin Duka.

Besnik Hasi ka qenë i pëlqyeri i presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili ka pasur një përkrahje të opinionit lidhur më këtë zgjedhje, pasi parimisht është vlerësuar se ka ardhur koha që kuqezinjve tu prijë një trajner shqiptar. 40-vjeçari nga Gjakova ka zhvilluar 47 ndeshje për kombëtaren shqiptare dhe gëzon respekt të madh për atë që ka treguar në radhët e kuqezinjve.

Ai më 2007 ka përfunduar karrierën e futbollistit dhe prej atëherë punon si ndihmëstrajner i parë te skuadra mbretërore Anderleht e Belgjikës, që drejtohet nga tekniku i njohur belg, Ariel Jakobs. Shqiptari Hasi ka mbrojtur licencën për trajner UEFA-Prof në Belgjikë dhe gëzon reputacion te klubi ku punon.

Pasi kemi mësuar një të tillë, për të mësuar shkaqet e vërteta të këtij divorci, jemi përpjekur të kontaktojmë, qoftë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, por edhe me ish-kandidatin për trajner, Besnik Hasi. Presidenti Duka nuk e pohoi, por as edhe e mohoi prishjen e negociatave midis tij dhe Hasit për postin e trajnerit të kombëtares, madje ai nuk pranoi të prononcohet rreth kësaj çështjeje. Gati të njëjtën gjë bëri edhe kandidati Hasi, cili na tha vetëm: Nuk dua të komentoj asgjë në këto çaste. Ato që kisha jua thashë me sms.

Pavarësisht se palët nuk dua të flasin rreth kësaj çështjeje, divorci Duka-Hasi tashmë është fakt. Ish-futbollisti për këtë prishje nxjerr kontratën që ka me klubin e Anderlehtin. Por kjo alibi nga pakkush mund të besohet, pasi kontrata ishte edhe përpara se të nisnin negociatat dhe asnjëherë nuk është përmendur si pengesë e mundshme.

Ndërkohë që burime të ngushta në Belgjikë pranë ish-futbollistit kuqezi, shprehen se ka qenë presidenti Duka, që e ka prishur këtë marrëveshje, duke mos i plotësuar kërkesat Besnik Hasit, i cili ka kërkuar një kontratë 4-vjeçare në krye të kuqezinjve, një staf belg, si dhe shpenzimet për 20 udhëtime në vit jashtë Shqipërisë.

Paga ishte një tjetër kontraditë, Hasi kërkonte 20 mijë euro në muaj, ndërkohë që paga e Kuzhes ishte 15 mijë. Të gjitha këto kërkesa, sipas burimeve pranë FSHF-së, ishin të pa arsyeshme dhe të papërballueshme për federatën tonë modeste, qoftë edhe të krahasuara me kandidaturën në fjalë të Hasit.

Cila është e vërteta? Tani kjo ka pak rëndësi. Besnik Hasi, një figurë që gëzonte mbështetjen e mbarë tifozërisë, qoftë edhe për imazhin që krijoi se kishte ardhur koha që brezi i artë i kuqezinjve të merrte duart fatet e futbollit shqiptar, u shua. Jo në pak vështirësi duhet të jetë edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Jo se ai nuk mund të gjejë një trajner tjetër për kombëtaren.Aspak. Veprimi i tij ka të bëjë me politikën përzgjedhëse që do të bëjë. Pra, kombëtarja e Shqipërisë do të drejtohet nga një trajner shqiptar, apo i huaj? Kjo mbetet për tu parë në ditët në vijim.

E sigurtë është se tani, presidenti Duka do të nisë sërish kalvarin e mundimshëm të përzgjedhjes së trajnerit të kombëtares, ndonëse kandidaturat e vetafruara janë në radhë, emra të përfolur herë pas here ne media, duke nisur nga slloveni Matjazh Kek, holandezi Ervin Kuman, italiani Enriko Fabro, por edhe të tjerë. Trajneri i kombëtares, një dhembje koke ciklike kjo për presidentin Duka në çdo fund edicioni…

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›