E Diel, 1 Nëntor 2026

Françesko Altimari zgjidhet anëtar i jashtëm Akademisë së Shkencave të Kosovës

Autor i librave, monografive dhe artikujve të shumtë mbi kulturën, gjuhën dhe letërsinë shqiptare, albanologu Francesko Altimari u nderua nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Kosovës me përzgjedhjen e tij anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave. Para akademikëve, Altimari mbajti ligjëratën: "Arkivi leksikografik arbëresh", që është rezultat i punës kërkimore të Universitetit të Kalabrisë në fushën e leksikografisë arbëreshe.

Ai tha se Katedra e Albanologjisë, e hapur më 1975, me nismën e prof. Françesko Solano, sot është një qendër e rëndësishme albanologjike dhe një qendër dokumentacioni shkencor për komunitetet e shumta arbëreshe të kësaj krahine të Jugut të Italisë. Kjo katedër, sipas tij, bashkë me simotrën albanologjike të Universitetit të Palermos përfaqësojnë një ndër tiparet që shpjegon drejtimet që mori shkenca për gjuhën në këto dy qendra studimore. Duke u ndalur mbi aktivitetin shkencor të zhvilluar në tri dekada nga kjo katedër, zoti Altimari tha se kërkimet e tyre janë përqendruar në fushën e filologjisë dhe dialektologjisë, si nga pedagogët, kërkuesit, bashkëpunëtorët shkencorë ashtu edhe nga studentët. Në periudhën e parë të kërkimeve që përfshinë vitet 1975-1990, profesor Altimari tha se janë ndjerë të detyruar të përfshijnë sa më shumë material etnografik, letrar e gjuhësor për të ruajtur kujtesën historike, por edhe shenjat e gjalla të kulturës shpirtërore nën presionin e pashmangshëm të modernitetit dhe të modelit asimilues të shoqërisë italiane. Ndërkohë që, shtoi ai, në periudhën e dytë të këtyre kërkimeve janë përqendruar më shumë në mbledhjen e fjalorit dialektor. "Pas viteve ‘90-të kërkimet e katedrës sonë filluan të përqendrohen më shumë në vjeljen e leksikut dialektor, duke u mbështetur nga njëra anë në tekste të rindërtuara nga ana filologjike dhe të përmbledhura në dorëshkrime që u zbuluan nëpër revistat italiane të shekullit XIX, dhe nga ana tjetër në punën metodike të studentëve tanë", vijoi ai. Anëtari më i ri i Akademisë së Shkencave të Kosovës paraqiti edhe projekt-programin BETA (Biblioteka Elektronike e Teksteve Arbëreshe), i nisur në vitin 1990, i cili përfshin të gjitha veprat e letërsisë së vjetër arbëreshe deri tek ato të Rilindjes, me përqendrim të veçantë në kohët e fundit në veprën letrare të Jeronim De Radës. Për Altimarin është i rëndësishëm një bashkëpunim që të mund të krijohet një bazë e madhe e të dhënave leksikore për të konkretizuar projektin modular të një Fjalori të Madh të Arbërishtes, të cilin, siç tha ai, e sheh si sfidë dhe prioritet shkencor në të ardhmen.

Marrë nga "Express"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›