Aktiviteti kushtuar Ditës së Flamurit vjen nën moton "Universi i paqes"
Sot në mbrëmje, komuniteti i shqiptarëve të Avezzano-s, qytezë e krahinës së Aquila-s, do të festojnë së bashku festat e nëntorit. Në një koncert të madh festiv, i cili vjen nën moton "Universi i Paqes", shqiptarët e Italisë, edhe pse larg vendit të tyre do të festojnë nën tingujt e muzikës folkloristike e moderne shqiptare. Me synimin për të promovuar integrimin social dhe ndërkulturor, në këtë koncert do të marrin pjesë jo vetëm shqiptarët e Shqipërisë, por edhe ata të Kosovës e Maqedonisë. Në këtë festë me mesazhe paqeje në kuadër të 28 nëntorit, Ditës së Flamurit, do të marrin pjesë kryetarë bashkie të krahinës së Aquila-s si dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme shqiptare, të cilët janë angazhuar në realizimin e kësaj veprimtarie, e cila organizohet përtej Adriatikut. Disa prej këngëtarëve të ftuar në këtë veprimtari janë Flora Gashi, Vehbi Berisha, Afërdita Demaku, Fikret Dauti etj. Udhëheqës artistik i koncertit është Ismet Kuka ndërsa koreografia i është besuar Rabit Shkretës. Parashikohet të marrë pjesë edhe ambasadori i Kosovës në Itali, si dhe përfaqësues të komuniteteve të emigrantëve nga vende të ndryshme të Europës Lindore. Koncerti organizohet nga shoqata "Rindërtimi" e cila vepron në Avezzano të Italisë, në bashkëpunim me Shoqatën për Zhvillimin dhe Integrimin Komunitar, si dhe me mbështetjen e Don Antonio Sharrës.