E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krijohet "Instituti i promovimit të vlerave në gjuhën shqipe"

Një bashkim intelektualësh, me në krye poetin e përkthyesin Primo Shllaku, kanë ndërmarrë një nismë të sintetizuar në një "institut të promovimit të vlerave në gjuhën shqipe". Ashtu si ata vetë e përkufizojnë, do të funksionojë si një organizëm me natyrë filologjike, duke mbledhur rreth vetes miq të fjalës së folur, fjalës gjuhësisht të studiuar, fjalës së krijuar, fjalës së kënduar, pra përgjithësisht të fjalës artistikisht të interpretuar të gjuhës shqipe, për ta pasuruar dhe zhvilluar më tej atë. Në program parashikohen një sërë veprimtarish promovuese, të cilat më vonë, sipas Shllakut, ndoshta do t‘u japin atyre edhe prestigjin e një akademie private. "Ne mendojmë se gjuha dhe letërsia shqipe nuk është e ndriçuar uniformisht në të gjitha cepat dhe skajet e saj për arsye historike, trashëgimore, paaftësish etj. Ky është një institut që promovon vlerat. Do të merret me gjuhën e studimet e saj, por edhe me letërsinë, vlerat estetike, produktin e ri, kritikën letrare, klasifikimin letrar. Bashi i anijes së realizmit socialist bashkë me njerëzit dhe veprat ka hyrë në territorin e këtij 20-vjeçar, që ka ardhur si kundërshtim i asaj kohe, edhe në pikëpamje të estetikës, produktit, vlerës letrare dhe të konceptimit stilistikor. Ne nuk kemi frikë ta themi se mendojmë që në një kohë të shkurtër duhet të arrijmë që gegërishten ta nxjerrim nga kamarja e turpit dhe ata që e flasin, e shkruajnë, të mos shqetësohen e të mos e shohin si problem që djeg", u shpreh Shllaku. Që në takimin promovues u nxitën disa diskutime mes të pranishmëve për sa u përket marrëdhënieve të gjuhës standarde me dialektin geg. Ndërsa Shllaku shkon edhe më tej, kur shprehet se shpresojnë se pas disa kohësh ata të marrin formën e një akademie private që funksionon për mësimdhënie, që jep çmime, që ka autoritet për botime librash e studimesh. Ndërkohë, realizimi i një antologjie letrare është një projekt i afërt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›