Jetë e vështirë për Mario Gomezin! Qendërsulmuesi, specie në zhdukje
Futbolli modern po evoluon dita-ditës dhe tendenca është eliminimi i numrit 9. Qendërsulmuesit klasikë duket se e kanë të vështirë të mbijetojnë…!
Qendërsulmuesi, ai futbollist shtatlartë dhe me peshë që vendosej përpara mbrojtjes kundërshtare, është një rol që po shkon drejt zhdukjes. Të kesh një numër 9 të mirëfilltë në ekip duket si një luks i tepruar, që shumë ekipe pjesëmarrëse në Euro 2012, nuk mund tia lejojnë vetes.
Kjo është një tendencë e përgjithshme. Prej tetë vitesh, asnjë qendërsulmues nuk e ka fituar Topin e Artë, i fundit ka qenë Andrij Shevçenko në vitin 2004. Që atëherë, vetëm Tierri Henri dhe Fernando Torres kanë arritur të ngjiten në podium. Edhe në Amerikën Latine gjërat kanë ndryshuar.
Romario dhe Marin Palermo janë sulmuesit e fundit, që janë zgjedhur si futbollistët më të mirë të kontinentit, por që nga viti 2000 e deri më sot, futbolli latin dominohen nga mesfushorët, kryesisht ata me tipare sulmuese. Përjashtim bën Afrika, ku lojtarët më të mirë mbeten dy numra 9 tipikë, Didië Drogba dhe Samuel Eto.
Përshtypja e krijuar është se qendërsulmuesit nuk janë më të domosdoshëm si dikur. Në momentin që futbolli është pushtuar nga alienët Leo Mesi dhe Kristiano Ronaldo, revolucioni ka ndodhur me hapa më të shpeshtë. Ata shënojnë më shumë se 60 gola në sezon, pa qenë sulmues të mirëfilltë.
Kanibalizmi i vënë re te lojtarë të tillë ka shtyrë trajnerët të kërkojnë gjetjen e golit me variante nga më të ndryshmet, duke hequr dorë nga qendërsulmuesit. Triumfi i Barcelonës ka pasur ndikimin e tij.
Skema 4-6-0, e përdorur nga Del Bokse në ndeshjen ndaj Italisë, nuk do të jetë çudi sikur të arrijë famën e vendosjes 4-4-2, tek e cila është bazuar futbolli në dy apo tri dekadat e fundit. Tri qendërsulmues të mirëfilltë, Torres, Lorente dhe Negredo, nuk e kanë vendin të sigurt në formacion.
Pastaj, as polaku Levandovski dhe as kroati Mandzukiç, më shumë se dinjitoz me paraqitjet e tyre, nuk lanë një gjurmë të paharrueshme në Euro 2012. Për të mos folur për Van Persin apo Huntelarin, dy qendërsulmuesit që zhgënjyen totalisht me fanellën e Holandës.
Benzema, që në letër është sulmuesi i vetëm i Francës, ende nuk e ka gjetur golin në veprimtarinë që po zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë. Zllatan Ibrahimoviç shënoi një gol të mrekullueshëm ndaj Francës, por në këtë takim ai po luante pas shpinës së Ola Toivonenit, duke bërë rolin e lojtarit me numër 10, që jo rastësisht është edhe numri që milanisti ka në fanellë.
Ibra e ka kuptuar se qendërsulmuesit janë gjithnjë e më pak të preferuar dhe kësisoj po përshtatet… Nga ana tjetër, nuk mund të analizohet Europiani i Uejn Runit, që sapo ka nisur, ndërsa për Mario Balotelin mund të thuhet se është numri 9, më pak qendërsulmues, në historinë e Italisë.
Reziston Mario Gomez, i vetmi qendërsulmues i vërtetë. Gomez i reziston presingut të Klozes dhe i përgjigjet kritikave të shtypit, duke shënuar gola. Ndeshjet ndaj Portugalisë dhe Holandës, Gjermania i dominoi, por i fitoi vetëm në saj të golave të mrekullueshëm shënuar nga sulmuesi i Bajernit të Mynihut.
Një mëkat që nuk luan për Spanjën, kanë thënë në Madrid, duke menduar për pasaportën e tij spanjolle. Të gjithë qendërsulmuesit e planetit bëjnë tifo për Gomezin, i vetmi që mund ti jap revanshin ndaj Del Boskes apo Guardiolës. Ky i fundit ka thënë:
Qendërsulmuesit e Barcelonës janë hapësirat boshe! Nëse Gomez shpallet golashënuesi më i mirë i Europianit ka të ngjarë të jetë buzëqeshja e fundit për një numër 9 që e sheh veten gjithmonë e më të izoluar në skemat e futbollit modern.
