E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ronaldo, ultimatum Mançesterit

Kristiano Ronaldo po planifikon së afërmi një takim me agjentin e tij, Jorge Mendes për të sqaruar të ardhmen e tij dhe aventurën me fanelën e Manchester United. Sipas Daily Star, ishi i Juventusit ka mbetur i zhgënjyer nga rikthimi në Old Traford, jo vetëm për performancën e tij personale në ndeshjet e fundit, por edhe për nivelin e skuadrës dhe pamundësinë për të luftuar për trofe të rëndësishëm. CR7 ka deklaruar se do të vlerësojë të gjitha ofertat që do të vijnë në fund të sezonit, pasi dëshiron që të largohet nga klubi ku hodhi hapin e madh në karrierë.

 Takimi mes agjentit Mendes dhe Ronaldos pritet në muajin mars, pikërisht në periudhën kur Portugalia do të luajë ndeshjen kualifikuese për Botërorin e Katarit kundër Turqisë. Sipas Daily Star, ylli portugez i cili ka kontratë me United deri më 2023 do të presë gjithsesi për të parë se cili do të jetë trajneri i ardhshëm i skuadrës. Raporti i tij me trajnerin e përkohshëm, Ralf Ragnik është në krizë të plotë, dhe nëse ky i fundit qëndron në krye të stolit, atëherë largimi i Ronaldos është i vulosur, në vendimin e CR7 një pjesë të mirë të arsyetimit do ta përbëjë emri i ri që do të marrë drejtimin e Djajve të Kuq.  Nëse Ronaldo e aprovon, shanset për të qëndruar në Angli janë më të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›