E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rosi, tjetër kryevepër në Gjermani

Valentino Rosi regjistron një tjetër fitore emocionuese. Piloti i Jamahas triumfoi në Çmimin e Madh të Gjermanisë, pas duelit të zakonshëm me shokun e skuadrës, Horge Lorenco. Shkalla më e ulët në podium i takoi Dani Pedrozës me Hondën zyrtare. Gara ka qenë shumë e bukur: i nisur nga "pole position", fillimisht kundërshtari i Rosit ishte Stoner me Dukatin. Australiani krijoi iluzionin se u kthye në ditët më të mira, por në mesin e garës, Valentino dhe Lorenco morën situatën nën kontroll. Rivaliteti që ekziston ndërmjet dy pilotëve të së njëjtës skuadër prodhoi një sfidë të ngjashme si ajo në Barcelonë, ku të gjithë prisnin me padurim fundin për të mësuar se cili do të ishte fitues.

Në Saksenring Vale arrin 101 fitoret dhe 159 podiumet e Xhakomo Agostinit, ndërsa "viktima" e tij bëhet sërish Lorenco. Vetëm vend i katërt për Keisi Stoner. Lufta në MotoGp është mjaft e fortë dhe këtë e treguan metrat e parë të garës: pas një nisjeje të mirë, Rosi pozicionohet në krye, i ndjekur nga Pedroza dhe Stoner. "Revolucioni" fillon vetëm në xhiron e pestë, me pilotin e Dukatit që parakalon Rosin dhe merr kryesimin, ndërsa Lorenco kalon Pedrozën. Ritmi i katër të parëve ishte mjaft i lartë për pjesën tjetër të pilotëve: në gjysmë të garës, diferenca nga ndjekësi më i afërt ishte 6.2 sekonda. Kaluan vetëm pak xhiro në vendin e dytë dhe me një frenim të jashtëzakonshëm, Rosi arriti të pozicionohej përpara Stoner. Edhe Lorenco me Jamahan tjetër u tregua në formë më të mirë se ish-kampioni i botës dhe në xhirot e fundit ka kërkuar me çdo kusht që t‘i afrohet shokut të skuadrës. Në pesë xhirot e fundit, spanjolli arriti të merrte kryesimin, por Rosi u kundërpërgjigj, duke e parakaluar në të njëjtën pikë, kur mungonin edhe dy xhiro. Numri 99 e kërkoi deri në fund fitoren, gjithsesi "Doktori" nuk u dorëzua dhe kaloi i pari në vijën e finishit. Pas shpinës së tyre, kur mungonin edhe dy xhiro Stoner gaboi trajektoren në kthesë, duke i dhënë Pedrozës hapësirën e nevojshme ta parakalonte. Një rast që Dani nuk lejoi t‘i rrëshqiste nga dora, madje vetëm pas disa kthesave, ai e rriti në 4 sekonda diferencën nga rivali i Dukatit.

Rosi fitoi vetëm për nëntë të mijtat e sekondit dhe ngjitet në kuotën e 176 pikëve: pas katër garave të fituara, ai konsolidon kreun. Italiani ka 14 pikë më shumë se Lorenco që me vendin e dytë ngjitet në kuotën 162. I treti në klasifikim është Stoner me 148 pikë, ndërsa Pedroza ka vetëm 108. "Ishte një garë shumë e bukur", tha Rosi. "Të gjithë ata që synojnë të fitojnë titullin ndodheshin në krye. Kundërshtarët e mi janë të fortë, por ndihem në formë të shkëlqyer, skuadra po punon mirë, ndërsa unë fitoj. Lorenco? Një tjetër betejë e jashtëzakonshme. Gjatë xhiros së fundit pilotova në mënyrë perfekte dhe nuk gabova".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›