Eto‘o kthehet në Europë: Marrëveshjen e mbyll unë
Eto‘o vendos të kthehet nga Kameruni në Europë dhe të marrë pjesë personalisht në bisedimet ndërmjet Interit dhe Barcelonës, nga e cila Zlatan Ibrahimoviç do të transferohet në "Kamp Nou". "Marrëveshjen do ta mbyll unë". Janë këto fjalët që sipas të përditshmes katalane "Sport", sulmuesi ia ka thënë presidentit zikaltër, Masimo Morati, gjatë kontakteve telefonike. Gazeta "El Mundo Deportivo" bënte të ditur se dje Eto‘o dhe menaxheri i tij, Hoze Maria Mesales u takuan dje në Barcelonë me presidentin Joan Laporta. Ndërkohë, sot përfaqësuesi i lojtarit do të udhëtojë drejt Milanos për t‘u takuar me njëshin e kampionëve të Italisë, Moratin. 28-vjeçari ka vendosur të transferohet tek Interi, por pengesa e vetme mbetet rroga që do të përfitojë (te Barça është lojtari i dytë më i paguar, pas talentit Leo Mesi). Ai u bind nga një telefonatë e Hoze Murinjos: nga grumbullimi në Los Anxhelos, tekniku luzitan i konfirmoi "bomberit" dëshirën për të punuar së bashku në Serinë A.