E Diel, 1 Nëntor 2026

Roskovec, socialistët kërkojnë rrugë, drita, ujë dhe drejtësi

Tubimi Të afërmit e deputetit të vrarë, Fatmir Xhindi, akuzojnë qeverinë se po fsheh vrasësit

Protestat e Partisë Socialiste në Fier kanë vijuar paraditen e së martës në qytezën e Roskovecit. Ashtu si dhe në protestat e mëparshme, edhe në këtë të fundit, kërkesat kryesore kanë qenë për mungesën e kushteve minimale të jetesës, si rruga, energjia dhe uji i pijshëm. Në Roskovec, protesta nuk mund të shmangte edhe kërkesën për zbardhjen e deputetit Fatmir Xhindi, vrasje që edhe një vit më pas ka mbetur pa autor.

Dhjetëra banorë të qytezës së Roskovecit që ndodhet rreth 13 kilometra larg nga Fieri janë mbledhur në sheshin kryesor. Kërkesa për rikonstruksionin e këtij sheshi ishte një nga arsyet kryesore që nxorën njerëzit në protestë. Në fakt, rruga kryesore e Roskovecit bën pjesë në aksin kombëtar Fier-Berat. Gjendja e saj është e mjerueshme dhe prej vitesh në të nuk është ndërhyrë. Në një gjatësi prej afro 800 metrash të kësaj rruge, në pjesën që kalon nëpër sheshin kryesor të qytetit të Roskovecit, u hodh një shtresë bitumi gjatë fushatës elektorale të qershorit të shkuar.

Ndërhyrja është bërë gjatë natës dhe rehabilitimi zgjati një muaj, aq sa edhe vetë fushata elektorale.
Banorët e qytezës kanë zgjedhur këtë rrugë për të protestuar. Ata u shprehën se ndihen të persekutuar nga qeveria e djathtë, pasi zona e tyre njihet si zonë e majtë. Oratorët në tubimin e djeshëm theksuan se qeveria i ka braktisur totalisht. “Rruga është pamja e parë që të ofron qeveria aktuale. Më pas vjen energjia me tension që nuk kalon të 120 voltët. Ndërsa uji i pijshëm ka vite që nuk vjen as në qendër e as në periferi të qytetit”, tha Faslli çepele, banor i Roskovecit.

Një nga kërkesat më imediate për komunitetin e Roskovecit është edhe ajo që lidhet me zbardhjen e vrasjes së deputetit të PS-së Fatmir Xhindi. Të afërm të deputetit të ekzekutuar në derë të shtëpisë, si dhe banorë të shumtë kanë deklaruar se autori i vrasjes fshihet nga qeveria, pasi elementë të saj mund të kenë lidhje me këtë ngjarje të rëndë. “Na kanë gënjyer dhe nuk po mundin të japin emrin e autorit. Nuk kanë shkak tjetër për ta fshehur, vetëm përfshirjen e tyre në të”, tha një prej të afërmve të deputetit Xhindi.

Në protestë ka marrë pjesë edhe deputeti i Qarkut të Fierit, Armando Subashi, i cili tha se Partia Socialiste do të angazhohet jo vetëm për të zgjidhur problemet më jetike të dhjetëra qyteteve dhe fshatrave në shkallë vendi, por dhe të zbardhjes së vrasjeve të rënda, siç ishte ajo e 2 majit të vitit të shkuar, kur mbeti i vrarë nga një breshëri automatiku në derë të shtëpisë 49-vjeçari Fatmir Xhindi, përfaqësues në Parlament i qytezës së Roskovecit dhe rrethinave.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›