Kontroll elektronik i bagazheve në terminalin e Sarandës
Një lehtësi më shumë për sigurinë dhe shpejtësinë e përpunimit të bagazheve të udhëtarëve. Këtë mundëson skaneri elektronik, që ka nisur të funksionojë prej disa ditësh në terminalin e udhëtarëve në portin e trageteve në Sarandë. Modernizimi i këtij shërbimi në terminalin e udhëtarëve u jep fund vonesave dhe kryerjes së kontrollit të bagazheve të udhëtarëve si deri pak ditë më parë, kur ato hapeshin një për një dhe në sytë e të gjithëve. Kryerja e kontrollit të tyre në mënyrë elektronike, duke kaluar nëpër skanerin e montuar së fundi, rrit sigurinë e kontrollit për çdo objekt që gjendet në bagazhet, pasi përmbajtja pasqyrohet në ekranin e instaluar në pikën e kontrollit.
Ndërkohë që ruhet edhe privatësia. Kjo mënyrë elektronike e kontrollit të bagazheve u merr shumë më pak kohë policëve të shërbimit doganor dhe qytetarëve. Drejtorja e degës së doganës së Sarandës, Elsa Gjini, thotë se skaneri i instaluar në terminal i paraprin fluksit turistik të verës 2010, që pritet të jetë shumë i lartë, duke ofruar shërbim të shpejtë, të sigurt dhe bashkëkohor, që u mungon shumë pikave doganore në vend, ndërkohë që jo kudo e gjen edhe në doganat e shtetit fqinj, Greqisë. Skaneri elektronik i kontrollit të bagazheve në Sarandë është dhuratë e ambasadës amerikane, me vlerë rreth 38.913 dollarë, i cili e bën terminalin e Sarandës, ndër më të pajisurit në vend.
#