Heroinë fierake për kryeqytetin, dy në pranga
Një sasi lënde narkotike e tipit heroinë është bllokuar në një automjet që vinte nga Fieri dhe udhëtonte drejt kryeqytetit. Si rezultat i kontrollit të ushtruar në automjetin e një 58-vjeçari me banim në Patos të Fierit u gjet dhe sekuestrua sasia prej 3,07 kg heroine. Droga iu gjet në një çantë kartoni pasagjerit të automjetit, një njeri që njihet për precedentë penalë. Shërbimet e ndaluan automjetin pranë mbikalimit të Plepave në plazhin e Durrësit, aty ku kryqëzohen rrugët që lidhin Jugun e vendit me Tiranën dhe Durrësin. Idriz Manej, 55 vjeç nga Shkodra, i dënuar 3 herë për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror dhe Maliq Ibraj, 58 vjeç, drejtues i automjetit, u arrestuan në flagrancë, ndërsa po punohet për të zbardhur itinerarin e transportit të drogës, si dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë trafik. Të dy personat po udhëtonin me automjetin tip “Mercedes Benz” me targa FR 5092 C që drejtohej nga Ibraj. çanta, brenda së cilës ndodhej droga me një peshë prej 3 kilogramë e 69 gramë, mbahej nga Idriz Manej, që ndodhej në vendin e pasagjerit. Droga ishte ndarë në 6 pako, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe bashkë me to edhe automjeti. Ndaj dy të arrestuarve është ngritur akuza e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, ndërsa do të jetë prokuroria e rrethit gjyqësor Durrës që do të drejtojë hetimet e mëtejshme për këtë vepër penale.
#