E Diel, 1 Nëntor 2026

Rossi presion Yamaha-s: “Zgjidhni mes meje dhe Lorenzos”

Autori i Lajmit: Redaksia
“Në Botërorin e 2011-ës, Yamaha, duhet të bëjë zgjedhjen e saj. Ata duhet të zgjedhin njërin prej nesh, mua ose Lorenzo-n. Unë kam mundësi që të garoj për Ducati-n në 2011-ën”. Këto ishin fjalët, që askush nuk i priste të Valentino Rossi-t. Legjenda nga Tavullia (9 herë kampion bote në Motot GP) zbulon kartat dhe i bën thirrje skuderisë së tij, Yamaha-s, që të zgjedhë midis dy pilotëve që do të garojnë edhe vitin e ardhshëm. Italiani, kontrata e të cilit skadon në fund të 2010-ës, bëri publik vendimin e tij gjatë një interviste dhënë për BBC-në. “Kam një ofertë shumë të mirë nga Ducat-i dhe Yamaha duhet që shumë shpejt të marrë një vendim. Ata duhet që të më respektojnë më shumë. Ata duhet të kthjellojnë mendimet e tyre, ata duhet të zgjedhin midis meje dhe Lorenzo-s”. Këto fjalë janë thënë të dielën përpara se të startonte Çmimi i Madh i Valencias. Me sa duket fjalët e thëna nga Masao Furusava, drejtor i “Yamaha Racing”, përsa i përket fitimit të titullit Botërorë të Rossi-t në Malajzi, kampionit italian nuk i kanë pëlqyer aspak. Furusava ditë më parë, një një konferencë për shtyp, falenderoi Rossi-n dhe nuk shmangu komentet edhe për pilotin spanjoll të Yamha-s, Lorenzo. Drejtor i “Yamaha Racing” tha se një “gurë” mjaft i rëndësishmë i shtëpisë së tre diapazoneve, ishte edhe Lorenzo. Rossi, që në Çmimin e Madh të San Marino-s që u zhvillua në Misano, kishte filluar që të flirtonte me Ducat-in. Piloti italian nuk kurseu lëvdatat për shtëpinë e motorrave të Borgo Panigale-s dhe për projektuesin e motorrit, Filippo Preziosi. Një tjetër fakt që e afron më shumë Rossi-n me të kuqen është edhe kalimi i Livio Suppo-s (përgjegjësi i pilotëve) nga Ducati tek Honda. Kjo lëvizje tregon se brenda Ducati-t të gjithë po lëvizin për të marrë në gjirin e tyre pilotin italian. Më tej Rossi për BBC-në tregoi se ndërrimi i skuderisë është vetëm një mundësi. Italiani tha se dëshira e tij më e madhe është që të qëndrojë aty ku është: “Të mundohem që të fitoj Botërorin me një motorr italian është një motiv i madh për mua, por për momentin unë preferoj që të qëndroj tek Yamaha. Lidhja ime me këtë motorr është speciale. Unë e di shumë mirë që është shumë e rëndësishme që unë të mbyll karrierën këtu”.

Ky lajm është publikuar: 10/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›