E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çekiç babait në kokë për televizorin

 

KORÇE - E heq nga psikiatria, por rrezikon jetën prej të birit. Djali 30 vjeç ka qëlluar me çekiç në kokë babanë 62-vjeçar, pasi ky i fundit e këshilloi të mbante stacionin e televizorit në një vend. Viktima, Petrika Kita, ndodhet në gjendje koma në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi u transportua me urgjencë nga Korça me një helikopter të Ministrisë së Shëndetësisë. Mjekët nuk japin shpresa për jetën e të moshuarit, ndërsa mësohet se djali që e qëlloi, prej kohësh ka probleme me shëndetin mendor. Sipas policisë, ngjarja ndodhi mbrëmjen e së martës, në lagjen nr.10 të qytetit. Sipas hetimeve dhe dëshmive të familjarëve të viktimës, ngjarja kishte ndodhur kur familja ishte mbledhur në shtëpi dhe po shikonte televizor. Djali i vetëm i familjes, Dhionisi Kita, me pultin në dorë e kalonte televizorin sa nga një stacion tek tjetri. I ati, Petrika pasi e këshilloi disa herë që ta vinte në një stacion dhe mos e lëvizte, i mori telekomandën dhe e la në tavolinën e kuzhinës. Kaq ka mjaftuar që djali i acaruar të dalë jashtë. Pak çaste më vonë ai kthehet me një çekiç në dorë dhe qëllon të atin në kokë, duke e lënë pa ndjenja. Familjarët e çuan urgjent në spital, por mjekët konstatuan se i plagosuri kishte rënë në gjendje kome. Edhe pse i kryen terapi intensive për mëse 12 orë, 62-vjeçari nuk dha shenja jete. Deri në mesditën e djeshme ai nuk u përmend. Përballë kësaj situate, personeli i mjekëve të Spitalit i kërkoi helikopter Ministrisë së Shëndetësisë për një trajtim më të specializuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Mësohet se 30-vjeçari prej disa kohësh kishte shfaqur probleme depresioni. Shkak, sipas të afërmve të tij, ishte papunësia. Kur gjendja e tij u rëndua, dy muaj më parë familja e çoi 30-vjeçarin në spitalin psikiatrik të Elbasanit. Ai qëndroi atje, derisa një javë më parë prindërit shkuan për ta parë. Djali iu lut atyre që ta nxirrnin nga spitali dhe ata e morën sërish në shtëpi, ndonëse mjekët nuk ua këshilluan. Por sapo shkeli në shtëpi, ai nisi të bëhej sërish i dhunshëm. Kështu ndodhi edhe mbrëmjen e ngjarjes, kur për televizorin u acarua dhe sulmoi me çekiç të atin duke e plagosur rëndë. Sipas mjekëve, 62-vjeçarit i është dëmtuar rëndë kafka. Policia ndaloi 30-vjeçarin nën akuzën e "vrasjes me dashje të mbetur në tentativë".    j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›