Rrahje masive mes të rinjsh, dy të therur

Sh. R., 19-vjeçar, dhe A. C., 17-vjeçar, kanë pësuar lëndime me thikë, pas një konflikti që ka ndodhur të enjten mes një grupi të rinjsh, në afërsi të Shkollës Ekonomike në Prishtinë. Në rrahje ishin përdorur dhe thika e sëpata.
Zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, bëri të ditur se në rrahjen që kishte plasur në afërsi të Shkollës Ekonomike në lagjen “Kalabria” në Prishtinë ishin përfshirë tetë persona.
Katër persona kanë pësuar lëndime me këtë rast. Dy nga ta, Sh. R., 19-vjeçar, dhe A. C., 17-vjeçar, janë therur me thikë. Ata janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Në vendin e ngjarjes policia ka konfiskuar një sëpatë dhe dy thika, që dyshohet se janë përdorur gjatë konfliktit”, tha Ahmeti për Gazetën Jeta në Kosovë.
Policia ka arrestuar L. P. 18 vjeç dhe A. B. 19 vjeç. Me urdhër të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje.
Motivet e kësaj ngjarjeje janë ende të panjohura për policinë./gazetajnk/Indeksonline/