E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti i deputetit, edhe nga shpejtësia

• DURRES - Policia e Durrësit nis procedimin penal në gjendje të lirë për deputetin e Kuvendit, Baki Shehi.Parlamentari 58-vjeçar i lindur në Ndroq, do të përballet me togat e zeza të Durrësit, pas denoncimit që blutë e qytetit bregdetar kryen në Prokurori. Në bazë të akt-ekspertimit të fundit të bërë nga seksioni i qarkullimit rrugor të Durrësit, rezultoi se deputeti po ecte mbi normat e lejuara të shpejtësisë. Policia shkencore ka ndihmuar në kompletimin e akt-ekspertimit, duke shqyrtuar me kujdes momentin e frenimit, shenjat e lëna në asfalt, trupin e pajetë të 46-vjeçarit si dhe veglat e tij të punës të shpërndara kudo. Në bazë të këtyre matjeve, ka rezultuar se deputeti Shehi ka thyer zbatimin e Kodit Rrugor, duke ecur mbi normat e lejuara në superstradën Kavajë-Durrës. Ngjarja e rëndë me pasojë vdekjen e Agim Abdurrahmanit, ndodhi në orën 06:00 të datës 19 shkurt. Fillimisht, policia e Durrësit bëri me dije se fuoristrada po ecte brenda normave të shpejtësisë, por akt-ekspertimi i detajuar ka provuar shkencërisht 24 orë më pas se deputeti ka shkelur Kodin Rrugor. Ngjarja e ndodhur te “Shkëmbi i Kavajës” është provokuar nga shpejtësia e madhe e automjetit fuoristradë tip “Nissan” me targë TR 4539 K, i cili ishte pronë e vetë deputetit. Megjithatë burimet policore bënë me dije se edhe viktima ka tentuar të kalojë rrugën në një moment të papërshtatshëm, duke dalë befas përballë autoveturës. Policia e Durrësit duke thyer edhe heshtjen 24 orëshe lidhur me këtë ngjarje, e ka bërë publike këtë lajm përmes rrugëve zyrtare. Burimet saktësojnë se janë kryer veprimet e para hetimore dhe materialet për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor i kanë kaluar për ndjekje Prokurorisë së Rrethit të Durrësit. Tashmë do të jetë Gjykata e Faktit të Durrësit ajo e cila do të zbardhë përpara opinionit publik fajësinë ose jo të njeriut me imunitet. Në momentin e aksidentit fatal, në mëngjes herët të së martës, kanë munguar dëshmitarët, të cilët të japin variantin e tyre mbi shkaqet. Viktima e siguronte jetesën duke mbledhur kanaçe nëpër zona të ndryshme të Durrësit, të cilat i shiste në pikat e grumbullimit të tyre. Rrethanë lehtësuese për deputetin, pavarësisht hetimeve, është fakti se ai vetë lajmëroi policinë dhe ndihmën e shpejtë pas përplasjes së 50-vjeçarit.     o.u.Deputeti: Policët nuk më pyetënGjatë një prononcimi të tij për gazetën “Panorama”, deputeti demokrat Baki Shehi është shprehur se ka qenë ai i pari që ka lajmëruar policinë dhe ambulancën, në lidhje me aksidentin që kishte shkaktuar. “Në polici më thanë se jam deputet dhe për shkak të imunitetit nuk mund të më merrnin në pyetje. Unë do të jap shpjegim për ngjarjen, si të gjithë qytetarët e tjerë” ka deklaruar deputeti Shehi. Pas 20 minutash ai është lënë i lirë, ndërkohë që pritet të pyetet në ditët në vazhdim për ngjarjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›