E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vrava fajdexhiun, s’kisha para për t’i kthyer borxhin”

• Borxhi në vlerën e 300 mijë lekëve të reja ka qenë shkak i masakrimit të Vaid Xhixhës, i cili u gjet i vdekur mesnatën e të hënës në periferi të Tiranës.Dashamir Biçaku    Shoferi 45-vjeçar i linjës së furgonave Kamëz-Çekrez i kishte dhënë paratë borxh me interes një personi ndërsa ky i fundit ka preferuar të vrasë pronarin e parave për të mos kthyer borxhin. Dritan Topalli, 27 vjeç banues në fshatin Tapizë të Krujës, u arrestua dje nga policia me akuzën se ka masakruar Vaid Xhixhën mbrëmjen e vonë të së hënës. Vetëm 30 minuta pas mesnatës viktima e ngjarjes u gjet pa jetë ndërsa policia tha se nga hetimet rezultonte se 45-vjeçari ishte qëlluar në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit me sende të forta që i kishin marrë jetën brenda pak minutave. Arrestimi i autorit të dyshuar për ekzekutimin është bërë në shtëpinë e tij pasi policia mësoi se ai kishte një konflikt të ashpër për çështje parash me 45-vjeçarin që u gjet i masakruar pranë makinës së tij tip furgon. Pasi është prangosur nga agjentët e policisë, i dyshuari për vrasjen u ka treguar hetuesve edhe vendin ku kishte fshehur hanxharin me të cilin ka masakruar Vaid Xhixhën. Ky i fundit sipas policisë njihej për aktivitetin e tij në dhënien e parave në formë fajdeje tek persona të tretë kundrejt interesit. Dritan Topalli, me profesion bojaxhi, mësohet se i kishte marrë paratë borxh tek viktima e krimit, me qëllim për të blerë vegla pune. E hëna në mbrëmje ka qenë takimi i parë mes tyre, kur Vaid Xhixha, duhej të merrte këstin e parë të parave siç ishte vendosur më parë mes ekzekutorit dhe viktimës. Takimi mësohet se është kryer në afërsi të fshatit Tapizë, ndërsa më pas me kërkesë të autorit të vrasjes, ai bashkë me viktimën janë nisur në drejtim të Çekrezës. Gjatë rrugës, sipas hetimeve, autori ka debatuar me Vaid Xhixhën pasi i kishte treguar atij se nuk kishte para për t’i kthyer borxhin. Kur kanë mbërritur pranë ullishtës së fshatit, ata kanë nisur të debatojnë edhe më ashpër. Në këtë moment sipas policisë, Dorian Topalli, ka nxjerrë hanxharin që mbante me vete dhe ka qëlluar disa herë mbi 45-vjeçarin, i cili nuk ka pasur asnjë mundësi të mbrohet. I arrestuari për vrasjen ka pranuar edhe përpara hetuesve të policisë se nuk kishte pasur para për të shlyer borxhin që i kishte marrë Vaid Xhixhës dhe si rrjedhim kishte masakruar fajdexhiun 45-vjeçar. Ai kishte disa të afërm në emigracion ndërsa prej vitesh paratë që merrte prej tyre i shumëfishonte duke i dhënë borxh me interes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›