E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viktima në pus, një anglez 21-vjeçar

• Identifikohet kufoma e gjetur në thellësi të pusit në Mal Shëngjin të Lezhës. Ajo i përket shtetasit anglez, Eduard Krejthorne, 21 vjeç, i deklaruar i zhdukur prej 2 shkurtit të këtij viti.LAÇ/ ROLAND NIKOLLISipas policisë, i riu nga Londra ishte qëlluar me mjete të forta në kokë, të cilat i shkaktuan vdekjen. Në fund të janarit, anglezi kishte ardhur në Shëngjin, ku jeton prej 2 vitesh e motra me të ëmën, për të kaluar ca ditë pushimi, por është ekzekutuar barbarisht. Vetëm pak orë më vonë, policia e Lezhës arrestoi të dyshuar si autorë të vrasjes dhe hedhjes në pus të shtetasit të huaj dy shokë të tij, banorë të Shëngjinit. Mario Pjetrushi, 18 vjeç dhe Arlind Vukaj, 21 vjeç, të dy nga Shëngjini, sipas Policisë së Lezhës e kanë rrëmbyer e më pas vrarë, me qëllim grabitjeje. Krimi dyshohet të ketë ndodhur menjëherë pas zhdukjes së anglezit të shtunën e 2 shkurtit. Trupi i pajetë i të riut u zbulua në thellësi të një pusi në një godinë të braktisur, në gjendje thuajse të dekompozuar. Pas nxjerrjes së tij në sipërfaqe dhe kryerjes së ekspertizës nga policia, menjëherë dyshimet kanë rënë mbi emrin e shtetasit të huaj, të denoncuar si të zhdukur, Eduard Krejthorne. Ai kishte ardhur shpesh në Shqipëri, pasi e motra ishte martuar me një shqiptar. Pas divorcit me të shoqin, e motra nuk kishte pranuar të kthehej në Angli, duke blerë një shtëpi në Shëngjin. Për këtë arsye, dhe e ëma ishte zhvendosur për të jetuar në Shqipëri, ndërsa i biri 21-vjeçar jetonte në Londër, ku merrej me bizneset e familjes.E ëma dhe e motra kanë pritur më 2 shkurt që Eduardi të kthehej në shtëpi, por të nesërmen, të shqetësuara, e denoncuan zhdukjen e tij në Policinë e Lezhës dhe më pas në emisionin "Njerëz të humbur", në Vizion Plus. Megjithëse ditët kalonin, asnjëra prej tyre nuk e përfytyronte fatin tragjik të djalit të ri, duke menduar se ai mund të ishte khyer në vendlindje ose të kishte ngatërruar qytetin. Mesditën e djeshme ato janë thirrur në morgun e spitalit të Lezhës, kur nga tatuazhet në trup kanë mundur të identifikojnë se bëhej fjalë pikërisht për Eduardin. Shenjat e plagës në kokë si dhe mbyllja me kapak e pusit ku u gjet trupi pasditen e së martës kanë bërë që policia të nisë hetimet për vrasjen e anglezit. Brenda pak orësh janë shoqëruar personat e dyshuar dhe që kishin dijeni për fatin e 21-vjeçarit. Në mbrëmje, Policia e Lezhës komunikoi njoftimin se janë ndaluar dy banorë të Shëngjinit, Mario Pjetrushi dhe Arlind Vukaj, si autorë të krimit të rëndë, duke nxjerrë si motiv atë të grabitjes. Dy të arrestuarit, gjatë marrjes në pyetje e kanë mohuar kryerjen e krimit, ndërkohë që e ëma e viktimës, në emisionin e Aida Shtinos të shtunën e kaluar tha se i biri kishte me vete vetëm 10 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë, Eduardi nuk kishte pasur ndonjë konflikt apo borxh me persona të tjerë që të lindnin dyshime. Misteri pritet të zbardhet vetëm nëse dy të rinjtë do të tregojnë skenën e krimit, nëse ata janë të përfshirë në vrasje. Sipas policisë, faktet kyçe që kanë çuar në arrestimin e tyre janë përgjimet telefonike dhe ambientale për ta, një byzylyk floriri, pronë e viktimës si dhe një levë hekuri, me të cilën është kryer vrasja. Në bazë të dëshmive të motrës dhe nënës së Eduardit ai e quante Marion, shok të ngushtë dhe me të kalonte pjesën më të madhe të kohës kur qëndronte në Shqipëri.Faktet2 shkurt Eduard Krejthorne, 21 vjeç, i sapoardhur nga Anglia del për të pirë kafe me shokun e ngushtë në Shëngjin, Mario Pjetrushi. Prej asaj dite familjarët nuk e shohin më3 shkurt E ëma, Eilen Krejthorne bën kallëzimin në Policinë e Lezhës për humbjen e të birit. I riu deklarohet i humbur dhe sipas policisë nisin kërkimet për gjetjen e tij16 shkurtNëna dhe motra e Eduardit kërkojnë ndihmën e emisionit “Njerëz të humbur” në “Vizion Plus”, me shpresë se ai nuk ka pësuar asgjë të keqe19 shkurtZbulohet në një pus në fshatin Mal i Shëngjinit trupi i një personi, në gjendje thuajse të dekompozuar. Dyshohet i vrarë20 shkurtFamiljarët identifikojnë Eduard Krejthorne. Policia e Lezhës arreston dy shokët e tij nga Shëngjini si autorët e vrasjes së anglezit
Shtino e “Njerëz të humbur”: Si u bë publike zhdukja e Eduardit
“I arrestuari Mario, lojë të dyfishtë me familjen e viktimës”
TIRANE – Një ndër personat më të prekur nga historia e Eduardit 21-vjeçar është gazetarja dhe drejtuesja e emisionit “Njerëz të humbur”, Aida Shtino. Bashkë me stafin ajo ka ndjekur çdo informacion që vinte për fatin e të riut anglez, duke punuar vetë në terren, derisa gjurmët çuan në Malin e Shëngjinit. Por, pas vdekjes së tij, Shtino thotë se mungesa e sensibilizimit nga e gjithë media dhe angazhimi i pakët i policisë apo vetë ambasadës angleze për shtetasin e tyre mund të jenë dhe arsyet që Eduardi u gjet, por i pajetë. Në një intervistë dhënë mbrëmjen e djeshme për “Panorama”-n ajo risjell etapat e historisë së Eduardit, që nga momenti i denoncimit, dyshimet dhe derisa familja e tij njohu trupin në morg.Znj. Aida, si e kujtoni momentin kur denoncuat në emision zhdukjen e të riut anglez, Eduard Krejthorne?Menjëherë pas zhdukjes së tij kemi bërë denoncimin për të direkt në emision, të shtunën e parë që ai nuk u kthye në shtëpinë e tij në Shëngjin. Gjatë javës mblodhëm të dhëna për Eduardin, ndërsa herën e dytë, të shtunën e shkuar, kur në studio ishte e motra dhe e ëma e tij rasti u trajtua gjerësisht.Cila ishte dëshmia e bërë nga e ëma dhe motra e Eduardit? Eduardi kishte dalë nga shtëpia rreth orës 10:30 të 2 shkurtit për një kafe në Shëngjin. Ai kishte pak ditë që kishte ardhur nga Anglia në shtëpinë ku jetonte e motra, e divorcuar, bashkë me të ëmën dhe më 4 shkurt do të rikthehej në vendlindje. Sipas dëshmisë së tyre, ai ka dalë me Marion, me të cilin kishte zënë shoqëri në Shëngjin. Vetë Mario, i cili dha dëshminë e tij dhe në emisionin e së shtunës, u është afruar një makinë “Benz” me targë angleze, brenda së cilës ndodheshin dy shqiptarë, miq të Eduardit, por të panjohur për të, që flisnin shumë mirë anglisht. Pasi kanë bërë xhiro, Mario pohoi se kanë dashur të udhëtojnë për në Tiranë, por ai nuk kishte pranuar, ndërsa Eduardi vazhdoi udhëtimin, për të mos u kthyer më.Deri në ato momente, megjithë shqetësimin familjarët e Eduardit kishin dyshime se atij mund t’i kishte ndodhur një gjë e rëndë?Ato ishin të trembura, pasi janë të huaja këtu, por gjithsesi nuk mendonin për asgjë të keqe. Mendonin se mund të ishte kthyer sërish në Angli pa lajmëruar ose mund të kishte humbur në ndonjë qytet tjetër dhe nuk kishte arritur të kthehej në Shëngjin.Policia e Lezhës sapo ka njoftuar se ka ndaluar si autorë të krimit shokët e tij, Mario Pjetrushi dhe Arlind Vukaj.  Sa njohje kishit krijuar për ta gjatë emisionit dhe patët dyshime?Siç e thashë, Mario njihej si shok i Eduardit. Ai telefonoi gjatë emisionit dhe tregoi momentet e fundit kur e kishte parë Eduardin, por u duk i dyshimtë në deklarimet e tij. Nuk mbante mend as targën e makinës, duke thënë vetëm se personat ishin nga Elbasani. Njëkohësisht motra dhe e ëma e përjashtonin çdo dyshim mbi të, jo vetëm për shoqërinë, por se Mario u kishte qëndruar shumë pranë gjatë ditëve të zhdukjes së Eduardit. Ndërsa emri i Arlindit është nxjerrë vetëm një herë gjatë dëshmisë së ish-kunatit të Eduardit, si shok i këtij të fundit. Ju thatë se keni vazhduar kërkimet për gjetjen e Eduardit. Ku u bazuat dhe a e prisnit një fat të tillë?Gjatë emisionit të së shtunës morëm një telefonatë anonime, sipas së cilës Eduardin e mbanin peng në një mal të Elbasanit. Kjo telefonatë na dha sinjalin e parë për fatin e Eduardit, por nuk ia komunikuam familjareve të tij, derisa nuk ishte ende i saktë dhe nuk donim të krijonim shqetësim te to. Stafi ynë kërkoi në terren, por ndonëse flitej gjithmonë Elbasani, vazhduam njëkohësisht kërkimet rrotull Shëngjinit, derisa u gjet dhe trupi i pajetë i Eduardit. Si e mësuat fatin tragjik të tij?E mësuam që mbrëmë. Sapo morëm vesh për gjetjen e trupit të një personi, pikërisht në vendin ku humbasin dhe gjurmët e tij, derisa familjarët e njohën atë. Për rastin e Eduardit mund të them se vetëm “Njerëz të humbur” u angazhua maksimalisht. As policia apo ambasada britanike apo dhe komuniteti nuk pati sensibilizimin për këtë ngjarje, kur një shtetas i huaj u zhduk për mbi dy javë. Nëse do të vlerësohej ky rast, ndoshta fati i Eduardit nuk do ishte i tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›