E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrecaj jep dorëheqje

Tahir Rrecaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e gjykatësit në Gjykatën Supreme të Kosovës. Rrecaj, i cili është edhe kryetar i Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, thotë se ai ka dhënë dorëheqje për shkak se nuk është pajtuar me, siç ka thënë, shkeljet e rënda që janë bërë gjatë procesit të riemërimeve në gjyqësor. Rrecaj jep dorëheqje vetëm një javë pas dekretimit të tij nga presidenti i vendit.

Një varg presionesh në punën prej gjykatësi dhe pakënaqësia me procesin e riemërimeve nga Komisioni Ndërkombëtar Gjyqësore Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, e kanë shtyrë Tahir Rrecajn që të japë dorëheqje.

Vetë Rrecaj që është njëkohësisht kryetar i KZAP, i ka thënë Radio Kosovës se fjala është për një situatë, ku sipas tij ka qenë e pamundur të punohet. Ai nuk ka dashur të flasë nëse problemet e tij kanë të bëjnë vetëm me pakënaqësinë me procesin e riemërimit apo edhe me punën e tij në KZAP.

“ Arsyet e dorëheqjes kanë të bëjnë me shkeljet që ka bërë Këshilli i Pavarur Gjyqësore Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Procesi ka qenë i përcjell me shumë parregullsi dhe shkelje të Kushtetutës. Presidenti ka vënë dekretin mbi një proces me plot shkelje. Tash nuk dua të spekuloj nëse në rastin tim bëhet fjalë edhe për sulmet që I janë bërë punës sime në KZAP gjatë procesit zgjedhor” , ka thënë Rrecaj

Gjykatësi Rrecaj gjatë gjithë procesit zgjedhor dhe më pas ka qenë cak i sulmeve nga partitë në pushtet, për vendime të ndikuara politikisht dhe jo profesionale.

Ndonëse vendimet e Gjykatës Supreme por edhe asaj Kushtetuese nuk kanë rrëzuar asnjëherë vendimet e organit të ankesave.

Ndërsa kryetari i Gjykatës Supreme Fejzuall Hasani, ka thënë se dorëheqja e Rrecajt dhe riemërimet e fundit kanë atakuar edhe më tej punën e këtij organi, për shkak se është arritur të riemërohen as gjysma e gjykatësve që duhen për Gjykatën Supreme.

“ Rrecaj dhe disa të tjerë kanë qenë të pakënaqur me procesin e riemërimeve për shkak se ka ndodhur që në organin më të lart gjyqësor të propozohen gjykatës të gjykatave për kundërvajtje që nuk ka ndodhur kurrë kështu. Kjo ka filluar ta përplas Këshillin Gjyqësor dhe Komisionin Ndërkombëtar për riemërime dhe kjo ka shtuar edhe më tej problemet në gjyqësor që edhe kështu është në krizë”, tha Hasani.

Përderisa nga Komisioni i pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial i cili po udhëheq procesin e riemërimeve dhe Presidenca nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, kryetarja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës Lire Osmani ka pranuar se kanë filluar përplasjet e organit që ajo drejton dhe Komisionit Ndërkombëtar. Por ajo nuk ka dashur të komentojë akuzat e Rrecajt në drejtim të saj.

Dorëheqja e Rrecajt thellon edhe më tej krizën e mungesës së gjykatësve në Gjykatën Supreme të Kosovës, e cila në fazën e parë të riemërimeve nuk ka arritur të përmbush as gjysmën e numrit të nevojshëm. Aktualisht Gjykata Supreme ka të riemëruar vetëm 7 nga 16 gjykatës sa duhet të ketë sipas strukturës organizative. (RTK)

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›