E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrefehet Richard Llukaj, magjistari i Wall Street

I ri, i talentuar dhe mbi të gjitha me një intuitë të mprehtë në fushën e biznes in. Megjithëse vetëm 40 vjeç, është një nga ata mendjet gjeniale të cilat gjenden
shumë rrallë. Richard Lukaj, fëmijë i një çifti shqiptar që lindi në një kamp refugjatësh ka mundur të pushtojë edhe botën e Wall Street. Një vit më parë revista "New York Business" e cilësonte si magjistari i Wall street dhe e rendiste në krye të listës së 40 personaliteteve të biznesit poshtë 40 vjeç. Në një intervistë të rrallë në "Gazetën Shqiptare" ai rrëfen se ndihet 100 për qind shqiptar dhe është krenar që fëmijëve u ka vënë emrat tipikë shqiptarë. Madje edhe shtëpinë luksoze ku jeton tashmë e ka ndërtuar mbi arkitekturën e kullës së gjyshit në një fshat midis Shkodrës dhe Ulqinit. E pavarësisht kësaj ai, gjen kohë të angazhohet për çështjet shqiptare kudo në botë.
Ju kanë cilësuar si magjistarin e Wall Street-it, jeni i mirënjohur dhe i cilësuar për arritjet tuaja nga publikime me reputacion si Investment Dealer's Digest dhe Crain's New York business, për të përmendur disa. A mund te na thoni çfarë ndjesish ju shkakton kjo?
E marr me buzagaz sepse jam i bindur që janë thënë edhe shumë gjëra të tjera shumë më pak blatuese rreth meje...Mendoj gjithsesi se është një klishe t'i përkufizosh rezultatet e karrierës sime profesionale si magji apo prestidigjiatorizëm financiar kur e vërteta është se suksesi im ka pasur të bëjë me disiplinën dhe vullnetin profesional, forcën e vlerave të mia morale dhe guximin për të marrë nisma kurajoze. Kam pasur fatin të shkollohem në institucione të shkëlqyera universitare, të cilat kanë përforcuar potencialin tim. Gjithashtu kam pasur fatin të gjendem pranë një numri të madh njerëzish të talentuar, me vizion profesional të ngjashëm me timin dhe me kompani, të cilat më kanë lejuar të demonstroj lirisht aftësitë e mia profesionale. Shpresoj se do të vazhdoj të kem shansin t'i kem gjithmonë këto privilegje edhe në kompaninë e re që kam bashkëkrijuar për të cilën jam shumë krenar.
Kujt i dedikohet suksesi juaj?
Suksesi im i detyrohet atyre njerëzve të cilët më kanë dhënë dorën kur kisha nevojë për mbështetjen e tyre, të cilët më treguan rrugën e drejtë kur kisha humbur busullën, atyre që më mësuan në botën akademike dhe në jetë, atyre që më dhanë një strehë të ngrohtë shpirtërore kur më rëndonin problemet, atyre të cilët më inkurajuan gjithnjë të isha vetvetja, që nuk më kërkuan kurrë të bëja kompromise me vizionin tim dhe që më deshën edhe kur nuk e meritoja. Fatmirësisht kam pasur pranë shumë njerëz të tillë. Ja dedikoj mbi të gjitha familjes, e cila nuk më ka kërkuar kurrë më tepër se sa të arrija më të mirën e mundshme. Ata ishin më se të lumtur të më pranonin pavarësisht suksesit apo mungesës së tij. Ndërgjegjësimi i dashurisë pa kushte të familjes dhe miqve të afërm, e cila më ka shoqëruar gjatë momenteve të vështira të jetës dhe nga e cila kam zhvilluar besimin tek vetvetja, ka qenë dhe mbetet ngazëlluese për mua, sidomos duke konstatuar se sa i rrallë ishte ky fenomen në shumë familje të tjera.
A ju kanë parë ndonjëherë me mospërfillje dhe indiferencë për shkak të origjinës suaj shqiptare?
Kur kam qenë fëmijë, disa bashkëmoshatarë me ngacmonin lidhur me emrin tim (Rexhep), të cilin nuk arrinin ta shqiptonin apo rrokëzonin. Sot jam i ndërgjegjshëm se ngacmimi i tyre vinte si pasojë e injorancës, e asgjë më tepër. Ndoshta ka pasur raste të tjera ngacmimesh, të cilat nuk më kujtohen tanimë, po edhe nëse ka pasur nuk i kam lejuar të më shpërqendronin nga objektivat e mia, pasi kërkoja shumë nga vetja dhe vazhdoj. Standardet e mia në këtë pikëpamje vazhdojnë të mbeten të larta. Pikërisht kjo ishte ajo që më lejoi t'i përqendroja energjitë e mia tek ata që do të më ndihmonin në arritjen e synimeve të mia. Duke pasur parasysh edhe integrimin e botës si pasojë e globalizimit dhe sidomos vlerësimin e energjive të tyre multietnike nga Amerika dhe amerikanët, mrekullohem nga ndryshimi mes eksperiencave të fëmijërisë sime dhe atyre të fëmijëve të mi. Fëmijët e mi kanë lirinë të ndjehen krenarë për emrat e tyre të veçantë, dhe korrigjojnë edhe mësueset e tyre kur vegjojnë se nuk i shqiptohet emri drejt. Askush nuk i ngacmon më për emrat e tyre, ndërkohë që në shkollën e tyre ka fëmijë nga mbi 22 shtete te tjera, emrat e pazakontë të të cilëve tashmë janë kthyer në normë. E njëjta gjë vlen edhe për botën e korporatave, mjafton t'i hidhni një sy emrave të drejtuesve ekzekutivë të kompanive më të mëdha e do gjeni një realitet multietnik e shumë të pasur kulturor, i cili pasqyron realitetin e sotëm amerikan.
Nëse do të ishit rritur në një familje të pasur dhe të mos ishit i detyruar të punonit që i vogël, a do të kishit pasur këto ambicie që keni sot?
Familja ime asnjëherë nuk më ka detyruar të punoja në moshën e re në të cilën fillova të kontribuoja ndaj saj. Krejt e kundërta, me kundërshtuan tepër pasi donin që unë të përqendrohesha tek studimet e mia, dhe të shijoja rininë time. Ndoshta, ishte kjo si pasojë e instinktit të tyre tradicional për të përkëdhelur djalin më të madh. Edhe pse jo të kamur, edhe pse nuk kishim makinë apo shtëpinë tonë, e nuk vishnim rroba haut couture, nuk kemi qenë asnjëherë të dhunshëm dhe jemi ndjerë gjithmonë të sigurt. Prindërit tanë punonin shumë e kursenin në mënyrë shumë të përgjegjshme, dhe na rriten mua, vëllanë tim dhe motrën me një sistem të tillë vlerash, i cili bëri që të kishim sensin e përgjegjësisë (e jo të pritmërisë nga të tjerët), gjë kjo e cila ushqeu iniciativën dhe përpjekjet e mia për t'u aplikuar me aq sa mundesha e për t'i shërbyer familjes. Besoj se këto vlera që na ushqyen i veçojnë prindërit tanë nga shume prindër të tjerë me nivele të ndryshme ekonomike. Njoh shumë fëmijë të përkëdhelur, që janë rritur në familje të varfra, sikundër njoh shumë fëmijë të tjerë të rritur në familje të pasura, të cilët duan të japin kontributin e tyre individual, e të lenë gjurmët e tyre. Të edukosh fëmijët në mënyrë të përgjegjshme, nuk është një luks, por produkt i një investimi tërësisht personal tek fëmija, gjatë gjithë jetës. Jam i lumtur që kam pasur shembuj të përkryer në këtë drejtim, dhe idhuj të cilët kanë frymëzuar veprimet e mia.
Tani, kur ktheheni prapa, a ju vjen keq se mos ndoshta puna qe filluat aq i vogël nuk ju ka lënë që të jetoni një fëmijëri më "normale"?
Nuk kam brejtje ndërgjegjeje. Kam bërë shumë gabime, dhe zgjedhje të gabuara, kam lënduar ndonjëherë njerëz me veprimet e mia, e nëse me vret ndërgjegje për diçka, atëherë ndodh për shkak të këtyre pasojave. Por në tërësi, mendoj se edhe ato eksperienca jetësore më kanë bërë një njëri me të plotë dhe me të balancuar në tërësi. Përpiqem në maksimum për të bërë më të mirën, por në fund, pranoj edhe gabueshmërinë time.
Sa Shqiptar ndiheni?
Kjo pyetje është disi zbavitëse për mua. Unë rrjedh nga dy prindër tërësisht krenarë që janë shqiptarë, të cilët prej gjeneratash të tëra kanë qenë krenarë për shqiptarinë e tyre si dhe punëtorë të zellshëm. Si rrjedhojë edhe unë jam aq shqiptar sa cilido bashkëkombës.
E keni vizituar vendin e origjinës suaj?Si ju është dukur? Cilat janë përshtypjet tuaja? E vizitoni shpesh Shqipërinë? Nëse po, cilat janë arsyet?
Ballkanin e konsideroj si rajonin e origjinës time, edhe pse linda në një kamp refugjatesh teksa prindërit e mi po largoheshin nga rajoni. Kur isha fëmijë, i vizitonim shpesh miq e të afërm e mezi prisnim ditën për t'i takuar, si i rritur kam investuar kohë dhe energji në shërbim të kauzave të drejta në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Kroaci, Greqi, Serbi, dhe patjetër edhe në Shqipëri. Përshtypja ime është që vullneti dhe shpresat e këtyre popujve janë cunguar dhe si pasojë ata janë penguar nga plotësimi i potencialit të tyre, por mbetem me shpresën se popujt e këtyre vendeve do ta marrin në dorë fatet e tyre e do te nxisin hapat për të kaluar tranzicionin duke krijuar kushte më të mira, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e kombit tonë. Më duhet të shtoj se gjithashtu e pëlqej shoqërinë, gatimet, humorin dhe bukuritë natyrale të vendeve të rajonit. Ballkani me mungon vazhdimisht, dhe gjithmonë mezi pres ditën kur do të mund ta vizitoj serish, gjë të cilën me vjen keq që e bej vetëm disa herë në vit.
Shtëpinë në të cilën jetoni me familjen tuaj, nga një stil arkitekturor tepër shqiptar. A ishte kjo një koincidencë apo zgjedhje e juaja?
Shtëpia në të cilën jetoj është një kombinim elementesh arkitekturore tipike mesdhetare. Por pamja e saj më kujton shumë shtëpinë e madhe të gjyshit tim, ne një fshat mes Shkodrës dhe Ulqinit, ku shkoja shpesh kur isha fëmije. Ai jetonte aty me fëmijët dhe nipërit, gjë që e bënin një shtëpi me atmosferën me gazmore e me të paqtë, paçka vështirësive dhe sfidave me të cilët familjet tona janë përballur. Gjithmonë jam ndjerë si në shtëpi.
Ju jeni ish-kryetar i Këshillit Kombëtar të shqiptarëve të Amerikës. A po bëhen shqiptarët një lob i fuqishëm? Dhe çfarë bëni ju konkretisht (shoqata juaj) për komunitetin shqiptar?
Shqiptaret e Ballkanit, e në gjithë boten, nga SHBA-të e deri në Australi e shumë vende të tjera të botës kanë treguar forcën e tyre dhe kanë dhënë ndihmësen e tyre në kohet më të vështira për rajonin, sidomos në saje të aftësisë së tyre për t'u bërë ballë edhe sfidave me të vështira pa u lëkundur. Mund të vazhdoja të flisja pafund për arritjet e mrekullueshme të bëra të mundura në saje të këtyre miliona shqiptareve nëpër botë. Megjithatë, diaspora e sotme nuk sheh objektiva të qarta dhe rrugë për t'i arrirë synimet natyrale kombëtare, tek të cilat të bazohej në luftën dhe mbështetjen e saj. Si pasojë ajo e ka te vështirë të ngazëllehet, të brohorasë dhe mbështesë institucione shtetërore, të cilat veprojnë në mënyra të papërgjegjshme e në mënyra që shpesh nuk kanë lidhje me interesat kombëtare.
Për me tepër, përfaqësuesit me të dukshëm në rajon nuk të imponojnë respektin e duhur, që të mundësojnë raporte serioze bashkëpunimi me ta, si përfaqësues të institucioneve më të larta të shtetit shqiptar. Nuk mund të përgjithësojmë, sepse ka përjashtime të shkëlqyera, por në pjesën dërrmuese të rasteve, toni, mënyra e komunikimit, dhe indiferenca ndaj detyrave të tyre, i bëjnë këta përfaqësues të padenjë, dhe shpesh edhe turpërues, për imazhin e vendit, brenda, apo jashtë.
Për me tepër, po këta përfaqësues, shpeshherë përjashtojnë organizatat komunitare me qëllime të mira nga çdo lloj bashkëpunimi, ndërkohe që krijojnë dhe mbështesin organizata të dyshimta e shpeshherë ekstreme në komunikimin e tyre me SHBA-të dhe organizatat ndërkombëtare, duke bërë kësisoj partneritete e shpesh transaksione të dyshimta, në dem të çështjes kombëtare.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me autoritetet shtetërore shqiptare. A ju vlerësojnë ata aq sa duhet? Mos ndoshta ju kanë "harruar" disi?
Kam punuar afër më shumë njerëz të mrekullueshëm në rajon për dekada, rrjedhimisht disa prej tyre që kanë sakrifikuar aq shumë për të mirën e kombit, i numëroj nder miqtë e mi më të mirë. Unë, sigurisht, kam respektuar zyrtarët e lartë, të zgjedhurit e vendeve të rajonit, dhe jam angazhuar me ta profesionalisht. Shpeshherë duke i përfaqësuar këto institucione, kam punuar me zyrtarë nga parti të ndryshme e shpesh edhe jam përpjekur me për arritjen e objektivave të përbashkëta. Ndërsa nuk besoj se drejtuesit më aktivë dhe mirëdashës të diasporës i kushtojnë shumë rëndësi marrjes së lëvdatave për punën e bërë, shumë prej tyre më kanë shprehur rezervat e tyre serioze mbi mënyrën se si qeveritë e rajonit nuk i kanë shfrytëzuar më së miri përpjekjet e tyre, dhe sa larg njëra tjetrës janë qëllimet për zhvillim kombëtar të diasporës nga veprimet e dukshme të qeveritarëve dhe përfaqësuesve të rajonit.
Në këndvështrimit tuaj si ekspert i çështjeve të ekonomisë, si duket e ardhmja ekonomike e shqiptarëve? A ka një progres të dukshëm? Ajane implementuar politikat e duhura për të promovuar rritjen ekonomike dhe zhvillimin?
Nga pikëpamja statistikore, Shqipëria ka pasur një progres të dukshëm që nga periudha e komunizmit, me përqindje të mira fitimi për sa i përket indikatorëve kryesorë. Por duhet pasur parasysh se përqindjet e fitimit janë në përgjithësi modeste krahasuar me mundësitë dhe potencialin që ka Shqipëria. Ajo ç'ka më duhet të theksoj gjithashtu është që këto fitime nuk janë shpërndarë në mënyrën e duhur, ndaj pjesa me e madhe e popullsisë ka parë një arritje tepër modeste të fuqisë blerëse nga ajo që kishin në vitet 90-të nga të ardhurat organike të gjeneruara brenda për brenda Shqipërisë. Ndërkohë që mesatarja e GDP-së për kokë është rritur, kjo mesatare influencohet shumë nga një fraksion i vogël i popullatës që përfiton në mënyrë disproporcionale në mënyra dramatike. Ky fraksion shpesh është i lidhur me aktivitetet e qeverisë. Ne fakt, përfshirja e qeverise në ketë përqindje të rëndësishme të aktivitetit ekonomik, është ajo që mund të ndryshoje retoriken politike intensive, dhe një ndërthurje e tillë duhet të copëtohet e të dekonsolidohet, si pjesë e një reforme qeverisëse të qenësishme. Statistikat ekonomike të Shqipërisë reflektojnë gjithashtu benefitin që kanë pasur shtetet amë nga remitancat, të cilat arrijnë shifrën e qindrave biliona euro/dollarë që prej viteve 9-të. Shqipëria ka një demografi "rinore" me një potencial te jashtëzakonshëm, por i duhet një strategji konkrete për rritjen ku prioritet institucional i jepet arsimimit, zhvillimit të vazhdueshëm, prodhimit për iniciativa transporti, investimeve ne teknologji, transparencës ekonomike dhe fiskale. Ne të kundërt, duke pasur parasysh qe remitancat e diasporës janë duke renë si pasoje e krizës globale, Shqipëria do të përballet sfida të brendshme dhe të jashtme ekonomike të cilat do te destabilizojnë rendë vendin, përgjigja ndaj të cilave (sfidave të përmendura më sipër) dhe si pasojë ringritja e ekonomisë do te jetë e vështirë.
Gjithashtu ju jeni edhe një aktivist i çështjes kombëtare dhe një ndër "kundërshtarët" e Nicolas Gage, pse mendoni se ai ofendon kishën ortodokse në Shqipëri?
Unë jam tejet i interesuar rreth çështjes sonë kombëtare, dhe nuk kam asnjë interes për Nicholas Gage-in, apo perspektiven e tij. Problemi im më i madh, është se disa nga përfaqësuesit tanë politike, bien viktima të interesave te tyre, dhe i japin qarqeve shoviniste licenca për të operuar në vend, dhe kjo shpesh, si pasojë e ndonjë kompromisi të dyshimte. Për të qenë i qartë, nuk kam ndjenja anti-greke. Kam qenë kritik ndaj disa politikave greke, dhe padyshim që kam kundërshtuar disa tendenca regresive shoviniste brenda për brenda Shqipërisë gjatë dy dekadave të fundit. Për sa i përket kreut Ortodoks, nuk e kam pasur mundësinë ta takoj personalisht. Kam dëgjuar gjera të mrekullueshme mbi të, sikundër kam dëgjuar edhe gjera shqetësuese, por me duhet të pranoj se nuk jam angazhuar shumë mbi administrimin e kishës ortodokse, ndaj nuk mundem te jap një përgjigje më të plotë. Nga ana tjetër, me duhet të them se bej përgjegjës mediat dhe faktorët politikë për mos-edukimin korrekt të popullatës mbi çështjet nder-fetare dhe për një serë incidentesh të tjera. Për sa i përket çështjes ne tërësi, mendoj se Shqipëria duhet të vazhdojë të jetë shembull sikur ka qenë, për sa i përket çështjeve të minoriteteve, e të zhvillojë një formulë lidhur me sigurinë kombëtare. E në bazë të kësaj formule të zhvillojë edhe marrëdhëniet e saj, pavarësisht nëse behet fjalë për Greqinë, Italinë, apo kushdo tjetër.
Çfarë oferte mund t'ua prishte mendjen dhe do t'u bënte që të linit Amerikën dhe projektet tuaja atje, dhe të vini të punoni në Shqipëri duke u angazhuar akoma me shumë në çështjet shqiptare? E keni marre ndonjëherë në konsiderate këtë gjë?
Më tepër se sa një pyetje personale, le ta shohim ketë në një këndvështrim më të gjerë. Duke shtruar pyetjen "ç'mund të behet për të tërhequr elementet më të mirë që kemi mes gjithë Shqiptareve?" Unë realisht besoj se ditët më të mira për Shqipërinë janë përpara, ndaj pyetja që shtrohet është ç'mund të bëjmë për të mbajtur më të mirët, e për të thithur të tjerë me te mirë për t'i sjellë në mënyrë definitive në Shqipëri, e jo thjesht si turiste? Janë bërë shumë analiza lidhur me largimin e trurit, por në thelb të gjitha janë të përbashkët në një pikë, që konsiston në krijimin e një ambienti të sigurt në perceptim dhe realitet krahasuar me alternativat. Një vend që siguron barazi dhe konkurrueshmëri, brenda kuadrove ligjore dhe brenda një sistemi gjyqësor funksional. Pasja e një shteti të aftë, të qëndrueshëm, në shërbim të qytetarit nga niveli bashkiak, deri në nivelin qendror. Pasja e një shoqërie të pasur kulturore, e cila përmbush dëshirat dhe talentin e popullit shqiptar, dhe se fundmi, një shoqëri ku shërbimet publike si mjekësia, edukimi e shërbimet e tjera, ti mundësojnë njerëzve komfortin për t'u përballur në raste katastrofash, si dhe krijimin e mundësive për fëmijët shqiptarë në mënyrë që ata të konkurrojnë ballëhapur me kompetitorët e tyre globalë. Edhe pse e di që këto janë gjera bazë të një shteti, dhe ekzistojnë të shkruara në të gjitha platformat elektorale, shteti duhet t'i kthejë në objektiva reale. Dhe kjo duhet të jete prioritet. Nuk mund të ndërtosh një godine të re shtetërore, nëse shteti nuk ka një infrastrukturë mjekësore. Perse të mos ndërtohen spitale të tjera e klinika në vend të godinave shtetërore? Dhe ndërkohë që Shqipëria do të tregojë seriozitetin e saj në këto pika, jam i sigurt se do arrijë të mbajë më të mirët e të shkëlqyerit, e madje edhe te tërheqë shumë të tjerë, përfshi këtu edhe mua.
Duke qëndruar në këtë linjë cili është mendimi juaj, lidhur me vendimin për të prishur ndërtesën e piramidës në qendër të Tiranës dhe ndërtuar në vend të saj një kompleks të ri parlamentar?
Nuk jam shumë në dijeni të detajeve, por ndërtimi i Parlamentit të ri, me duket si monument që politika po i ngre vetvetes. Nëse parashikimet buxhetore janë të sakta, do të thoja se ajo shumë monetare mund të shpenzohej për të rindërtuar e pasuruar shkollat, dhe si investim për të trajnuar mësues më të mirë, duke pasur parasysh që kategoria e fundit ndikon drejt për së drejti në rritjen e brezave më të mirë, e më të informuara. Nuk jam i sigurt se nga vjen mbështetja për projekte të tilla. Mendoj se një parlament i ri, do të ishte mirë, i ngritur si përmendore mbas dyfishimit të GDP-së mbas 10 vjetëve apo diçka me pak. Nëse një iniciative e tillë ka sukses, atëherë populli do të japë miratimin dhe mbështetjen e tij për projekte të tilla, ndryshe, do të ngjaje si një taksë më shumë për të financuar lukset dhe salltanetet e një kaste të zgjedhurish, dhe kjo, nuk është një shembull i mirë i qeverisjes.
Ju jeni i angazhuar në kaq shumë fronte njëkohësisht e prapë gjeni kohen të informoheni mbi çështjet aktuale shqiptare. Si arrini të menaxhoni projektet tuaja filantropike, ambiciet tuaja në fushën e biznesit, dhe obligimet tuaja familjare?
Nuk është gjithmonë e lehtë, për të qenë i sinqertë, dhe përkthehet në mërzi kur përpjekjet e tua çohen dem apo injorohen, shpesh nga njerëz që janë votuar nga populli për të mbrojtur interesat e tyre. Njoh me mijëra shqiptarë të tjerë, që po kështu si unë, dedikojnë kohe pafund, dhe investojnë nga vetja e tyre për të mirën e kombit te tyre. Uroj të krijojmë ura për t'i ndarë se bashku këto energji kaq pozitive dhe jo të vazhdojmë në mos-pasjen e dialogut duke dekurajuar kësisoj e duke humbur mbështetjen e një diaspore, e cila ka bërë kaq shumë për të promovuar ndryshime ne rajonin e Ballkanit në momente te vështira.
E së fundmi, cili është mesazhi juaj për popullin shqiptar?
Do t'i thosha se vëllezërit dhe motrat e tyre, si unë, kudo në botë, i duam dhe nuk i kemi harruar. Do t'i beja thirrje atyre të na ndihmojnë në ngritjen e urave të nevojshme, për të bashkuar fuqitë në shërbimit të interesave tona të përbashkëta, dhe të korrim frytet e përpjekjes se përbashkët për fëmijët tanë dhe token të cilën nuk e kemi vetëm trashëgimi nga eterit tanë, porse edhe borxh fëmijëve tanë.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›