E Diel, 1 Nëntor 2026

“Konomi”, përplasja për 200 ha në bregdet zbulon falsifikimin e regjistrit

SHKRUAN: Leonard Bakillari 14-09-2011 11:25

Tiranë Një fletë regjistri e falsifikuar dhe dy palë në konflikt për 200 hektarë tokë në bregdet përbëjnë fillin e komplikuar të dyshimeve, ku varen shpresat e grupit hetimor për zbardhjen e ekzekutimit të gjyqtarit të Vlorës. Katër ditë pas atentatit me minë-celular të Skerdilajd Konomit, hetimet janë fokusuar në dy kallëzimet penale për falsifikimin e dokumentit të kësaj prone. Kallëzimi i parë, i bërë nga familjarët e Skerdi Konomit në Prokurorinë e Tiranës ka zbuluar tashmë falsifikimin e aktit të pronësisë për tokën 200 hektarëshe, që ndodhet në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit. Ky fakt është konfirmuar nga hetimi i deritanishëm i prokurorisë, e cila ka mundur të sigurojë një dokument të nxjerrë nga arkiva. Dokumenti në fjalë, i cili daton në vitin 1944, nga një ekspertim i kryer rezulton i falsifikuar. Falsifikimi është evidentuar jo në përmbajtjen e kësaj flete të regjistrit, e cila është e ndryshme nga të tjerat, por në simbolet e saj. Vula dhe koka e dokumentit janë të ndryshme nga fletët e tjera të regjistrit të marrë në arkivë, i cili është paraqitur pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nga pala kundërshtare, për të përfituar sipërfaqen prej 200 ha tokë. Edhe pse hetimi nuk mund të quhet i përfunduar, burimet konfirmojnë se për këtë çështje janë kryer ekspertizat teknike të nevojshme dhe rezulati është se një nga fletët e regjistrit mbi të cilën është ngritur pretendimi i pronësisë nga “kundërshtarët” e trashëgimtarëve të familjes Shallvari, është i falsifikuar.

Kundër-padia

Hetimi i dytë penal, i nisur kundër trashëgimtarëve të Miltiadh Shallvarit, fis ky i udhëhequr në gjykatë nga Skerdilajd Konomi po zhvillohet në Prokurorinë e Durrësit. Kjo padi ka si objekt të saj sërish falsifikimin, por në kah të kundërt. Burimet nga grupi i posaçëm hetimor, që kanë në duar të gjitha dokumentet mbi këtë konflikt pohojnë se ky kallëzim penal nuk ka dalë ende me një përfundim. Megjithatë, në rast se hetimi penal do t’i jepte të drejtë kundërshtarëve në gjyq të Konomit, ky akt rrezikonte të minonte të gjithë procesin që përfundoi në Gjykatë të Lartë, e që i kthente trashëgimtarëve të fisit Shallvari 1227 hektarë tokë në bregdet. Hetuesit besojnë se vlera e madhe e pronës në “lojë” dhe odisea e pambarimtë e padive dhe kundër-padive ka shkaktuar tension mes palëve, mjaftueshëm sa për të gjetur në të një motiv të fortë për ekzekutimin e stilit mafioz të gjyqtarit 33-vjeçar.

Gjurmët në Durrës

Sipas të dhënave nga hetimi bëhet me dije se grupi i hetimit që ka në dorë dosjen e konfliktit të pronave do të zbarkojë në Arkivin e qytetit të Durrësit, për të siguruar regjistrin orgjinal, pasi ekspertimet e deritanishme janë kryer mbi fotokopje të këtij regjistri. Për këtë arsye, hetimet për këtë çështje nuk kanë përfunduar ende, duke lënë kështu të hapur përfshirjen në hetime edhe të zyrtarëve të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Trashëgimtarët e familjes Shallvari kanë pretenduar në kallëzimin e depozituar në prokurori katër muar më parë, se nëpërmjet dokumenteve të falsifikuar AKKP ka njohur të drejtën e pronësisë për sipërfaqen e konsiderueshme prej rreth 200 ha tokë që ndodhet në Gjirin e Lalzit. Por jashtë vëmendjes së hetuesve që kanë në dorë dosjen e vrasjes së gjyqtarit Konomi nuk është lënë as çështja tjetër e pronësisë, edhe pse është zgjidhur me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lartë. Arsyet e mosregjistrimit të kësaj pronë në Hipotekën e Durrësit, sipas hetuesve lë dyshime të cilat kanë nevojë për verifikim. Ky dyshim përforcohet nga udhëtimet e shpeshta të gjyqtarit Skerdilajd Konomi drejt qytetit të Durrësit, udhëtime këto që ishin intensifikuar kryesisht ditët e fundit para vrasjes. Dëshmitë e bashkëshortes dhe familjarëve të afërt të gjyqtarit kanë orientuar hetimin drejt një konflikti të mundshëm për çështje pronësie, pasi dy ditë më parë kanë deklaruar se Skerdi ishte i shqetësuar për pronat e trashëguara.

1227 Hektarë është prona që Gjykata e Lartë i ktheu të afërmve të Skerdilajd Konomit, duke i cilësuar ata si trashëgimtarë të Miltiadh Shallvarit. Kjo pronë nuk ishte hipotekuar ende nga viktima

200 Hektarë të tjerë në Gjirin e Lalzit janë në proces hetimi në Prokurori, pasi falë një dokumenti të falsifikuar, e pretendojnë si trashëgimtarët e Shallvarit ashtu edhe kundërshtarët e tyre në gjyq

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›