E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrsakët, "Nderi i Kombit" për Aleksandër Moisiun

Përkujtim dhe një kërkesë për nderim në 130-vjetorin e lindjes së aktorit Aleksandër Moisiu. Ndonëse fama e tij lindi dhe u rrit në skenat e botës, ai e njohu origjinën e tij shqiptare. Në këtë përvjetor, intelektualët durrsakë kanë kërkuar që aktorit të njohur t‘i jepet titulli "Nderi i Kombit". Në shtëpinë ku aktori kaloi një pjesë të fëmijërisë, u organizua një veprimtari përkujtimore. Shtëpia që sot luan rolin e Muzeut Etnografik të qytetit, bashkia dhe teatri që mban të njëjtin emër, janë bërë promotorët për këtë aktivitet. Intelektualë të ndryshëm kumtuan mbi jetën dhe veprën e aktorit me origjinë shqiptare dhe famë ndërkombëtare, që la pas madhështinë dhe fuqinë e tij interpretuese, që bën ende jehonë në botën e teatrit dhe kinematografisë. Ndonëse në kohë, origjina e tij është vënë në diskutim, shtëpia-muze ku qëndroi gjatë një pjese të fëmijërisë së vet, bashkë me të atin, është dëshmi e përkatësisë shqiptare. Ndërkaq, më 22 mars, u mbushën 74 vjet nga vdekja e tij. Kumtuesit kanë kujtuar figurën e tij, duke sjellë ndër mend atë vlerë që e vuri atë në piedestalin e aktrimit botëror. Aleksandër Moisiu lindi në qytetin e Triestes në Itali më 2 prill të vitit 1879. I ati ishte nga Kavaja, ndërsa e ëma nga Jugu i Italisë. Në moshën 20-vjeçare u zhvendos me të ëmën dhe dy motrat në Vjenë të Austrisë. Pak kohë më pas, aktori zhvendoset në Pragë dhe Berlin, ku njihet me një tjetër aktor të suksesshëm të kohës, Maks Reinhardin, nga i cili gjithashtu merr eksperiencën e fituar për ta përpunuar në laboratorin vetjak dhe krijuar një figurë krejt unike në shfaqjet e veta. Roli i parë i Moisiut dëshmohet të ketë qenë ai i kamerierit në komedinë "Tartufi" të Molierit, ku rolin kryesor e interpretonte aktori i shquar Kainc. Në rrugën e pjekurisë së vet artistike si aktor, tri janë rolet kulmore të Aleksandër Moisiut të madh. Roli i Fedias te "Kufoma e gjallë" e Leon Tolstoit, roli i Dubedatit te "Mjeku para dilemës" të Bernard Shout e bënë atë të adhurohet nga publiku evropian dhe kritikët më të mëdhenj të kohës. Referuesit sollën momente të ndryshme të jetës dhe veprës së aktorit, që është kthyer në simbol të kombit tonë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›