E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKCIZA DHE EKONOMISTET E POLITIKES

Ka një kakofoni të çuditshme sot në median e shkruar dhe atë audiovizive për çështje që lidhen tërësisht me ekonominë. Kam ndjekur me kërshëri debatin për taksën e akcizës, një taksë kjo që aplikohet, siç thuhet për "mallrat e fortë", pra për mallrat si cigaret, kafe, pijet joalkoolike, alkoolike, vera, birra, nafta dhe produktet e saj etj. Normat janë vendosur si tarifë specifike.

Por përqendrohet vetëm te një prej këtyre mallrave, sikurse janë karburantet, për shkakun se, në një mënyrë apo në një tjetër, konsumatorët janë të lidhur me këtë produkt.

Ndryshimi i akcizës për produktet e naftës u tha se diktohet nga fakti se sipas legjislacionit evropian, produktet e naftës taksohen me akcizë specifike dhe jo ad-valorem dhe se në këtë kontekst, për të përafruar mënyrën e taksimit të këtyre produkteve, është ndryshuar mënyra e taksimit, duke e specifikuar masën e aplikimit të akcizës. OK!

Importuesit e karburanteve paguanin deri para hyrjes në fuqi të ligjit për ndryshimin e akcizës 75 për qind të vlerës mbi vlerën e mallit në ton, që i bie 37 lekë litri e poshtë. Nëse çmimi në bursa kapte shifra të mëdha, importuesit nuk paguanin më shumë se 37 lekë për litër, por nëse çmimi binte (sikundër ka ndodhur për një periudhë të konsiderueshme të vitit të kaluar), akciza shkon dhe poshtë këtij kufiri, madje edhe 30 lekë litri. Tani me ligjin e ri, pavarësisht çmimit të naftës, importuesit do të paguajnë një akcizë fikse prej 37 lekë për të tria llojet, naftë D1, D2 dhe benzinë.

"Kompetentët" kanë nxituar të argumentojnë se "nga unifikimi i taksës së akcizës, konsumatorët nuk do të ndiejnë asnjë pasojë negative, pavarësisht se kompanitë mund të pësojnë humbje". Të vjen çudi që këtë mendim kanë sidomos ekonomistët e politikës, madje edhe deputetët e pozitës dhe të opozitës, ndërsa ekspertët nuk kanë folur për të "mos ua prishur" ekonomistëve të politikës.

Duhet përmendur se akciza është një tatim specifik. Me ligj, persona të tatueshëm, në kuptim të këtij ligji, janë të gjithë personat që zotërojnë mallra akcize dhe që janë të detyruar ta paguajnë atë. Pra, subjektet janë agjentë tatimorë, që e shtojnë taksën e akcizës në çmimin e shitjes, e mbledhin dhe e derdhin këtë të ardhur 100% në buxhetin e shtetit.

Në këtë kontekst duhet pyetur: A është një precedent që duhet penalizuar, rasti i rritjes së çmimeve të naftës nga shoqëritë importuese, vetëm pse hyri në fuqi ligji i ri për akcizën?

Këtu ndahen ekonomistët nga politikanët që bëjnë ekonomi, disa herë (këta të fundit) duke qenë tërësisht të painformuar, madje edhe të mangët në formimin e tyre profesional (pavarësisht shkollave të rëndësishme që kanë mbaruar dhe diplomave që kanë siguruar).

Le të jemi "me këmbë në tokë"

Ditët e fundit, veçanërisht pas dekretimit nga Presidenti i Republikës të ligjit nr. 10 067, datë 02.02.2009 "Për një ndryshim në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 "Për akcizat", të ndryshuar, (me nr. dekretit 6066, më 20.02.2009) dhe botimit në Fletoren Zyrtare nr 19, ekonomistët e politikës anatemuan kompanitë e importimit të hidrokarbureve, të cilat, sipas tyre, abuzonin me çmimet në tregun e karburanteve dhe madje, disa "ekspertë" mendjeshkurtër, të opozitës dhe të pozitës kërkuan ndërhyrjen e Autoritetit të Konkurrencës, duke e akuzuar këtë të fundit se "Autoriteti nuk ndërhyn në kohë, por i merr vendimet kur veprimi ka ndodhur"(?!).

Kjo bëhet më e rëndë dhe më e pakuptueshme kur del nga goja e ndonjë deputeti, sikundër ditët e fundit.

Të themi së pari, sipas ligjit, akciza e naftës fiksohet në 37 lekë për litër. Ligji i miratuar, pra, parashikon një akcizë fikse për çdo litër karburant të importuar apo të prodhuar në vend.

Duhen bërë ca llogari

Nuk duhet dhënë "leksion" për të bërë disa llogaritje të thjeshta që të nxjerrin në konkluzione të rëndësishme, për të mos folur më pas "broçkulla" ekspertësh të ekonomisë. Por disa gjëra duhen thënë hapur dhe drejt.

Karburantet kuotohen në bursë. Kjo e fundit luhatet periodikisht, me frekuencë madje, edhe ditore. Le të fiksojmë një çmim mesatar burse, të themi prej 430 USD/ton. Le të fiksojmë edhe një kurs mesatar këmbimi valutor të periudhës p.sh të 6 muajve të fundit (tregu i karburanteve kuotohet në dollarë amerikanë) pra të këmbimit të dollarit me lekun në shifrën 99 lekë/USD.

Pa e lodhur lexuesin, mbi këto dy shifra të tregojmë si ka lëvizur taksa e akcizës me ligjin e "vjetër" të akcizës dhe me ndryshimin e miratuar në shkurt të këtij viti.

Atëherë, sipas ligjit të mëparshëm, akciza për zërin gazoil llogaritej me 75% e vleftës doganore të produktit të importuar dhe 75% e çmimit të brendshëm për prodhimin vendas. Ligji sanksiononte që kjo taksë të ishte jo më pak se 27 lekë/litër dhe jo më shumë se 37 lekë/litri.

Me çmimin mesatar të bursës të zgjedhur më sipër, me kursin mesatar të këmbimit të raportuar, para se të hynte në fuqi ligji i ndryshimit të akcizës, rezulton që kjo taksë dhe detyrimi doganor për një litër naftë ishte:

430 USD/ton x 99 lekë/1 USD = 42570 lekë/ton. Akciza llogaritej si 75% e këtij çmimi, pra

42570 x 0.75 = 31 927 lekë. Kaq paguhej akcizë për një ton naftë. Duke iu referuar edhe treguesit teknik të densitetit mesatar (ai është variabël) del që akciza e paguar për litër të jetë 31 927: 119 (1 ton=1190 litra) = 26,8 ose afërsisht 27 lekë/litri.

Atëherë për 1 ton naftë paguhen gjithsej taksë akcize 1190x27 lekë/litri=32.130 lekë/ton akcizë.

Kësaj takse i shtohet edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, sipas ligjit, që do të thotë TVSH =32 130+42 570x20%=14.940 lekë/tvsh. Qeveria aplikon për mbrojtjen e mjedisit edhe taksën e karbonit, e cila është 1 lekë/litër, pra taksa e karbonit 1 lekë/litër x 1190 = 1190 lekë/ton

Detyrimi doganor del: 1190 (Taksa e karbonit) +14 940 (TVSH)+ 32 130 (taksa e akcizës)=48 260 lekë/ton, që është detyrim doganor për një ton karburant. Atëherë detyrimi doganor për litër do të jetë 48 260 : 1190 =40,55 lekë/litër.

Kjo është shuma që arkëtohej në buxhetin e shtetit nga personat e tatueshëm të akcizës sipas ligjit të "vjetër".

Nëse keni durim dhe i bëni këto llogaritje "tëpkë" si më sipër, do të rezultojë: (mbahen konstante: çmimi mesatar në bursë, kursi mesatar i këmbimit të dollarit me lekun, densiteti i produktit dhe përjashtohen si në rastin e parë të gjitha shpenzimet e tjera të kompanive, si ato portuale, të transportit, të siguracionit etj., etj)

Formula e thjeshtë jep këtë rezultat:

Akciza 1190 x 37= 44 030 lek/ton: 1190 = 37 lekë/litër

TVSH: 44 030+42 570 (çmimi i blerjes) x 0,2 (TVSH) =17 320 lekë/ton.

17 320+44 030+1 190 =62 540 lekë/ton: 1190 (litra për 1 ton) = 52,6 lekë/litër.

Ata që janë miopë të ekonomisë nuk e shohin ndryshimin (ishte 40,55 lekë/litër - bëhet 52,6 lekë/litër).

A ka nevojë për komente të tjera?

Po, ka nevojë, jo për të vlerësuar formulën e llogaritjes, të cilën sot e njeh edhe student i vitit të parë të ekonomiksit. Por për t‘u treguar ekonomistëve të politikës që profesionalizmi në profesion është më i rëndësishëm se tymnaja e deklaratave publike që dëmtojnë sipërmarrjen, tregun, por edhe vetë konsumatorin. Sipas zyrtarëve, për vitin 2009, me çmimet ekzistuese në tregun botëror të karburanteve impakti në buxhet, nga rishikimi i masës së akcizës, përllogaritet të jetë rreth 1.6 miliardë lekë, efekt ky pozitiv. Ekonomistët e politikës nuk mund ta nxjerrin këtë shumë nga ua do qejfi. Ligji i miratuar edhe prej tyre thotë: "Persona të tatueshëm, në kuptim të këtij ligji, janë të gjithë personat që zotërojnë mallra akcize dhe që janë të detyruar ta paguajnë atë".

Kaq mjafton për të mësuar se rritja e çmimit vjen edhe nga aplikimi i taksave dhe tatimeve dhe se ka një ndarje të prerë mes abuzivizimit të subjekteve me çmimet (që autoritetet janë të detyruara të identifikojnë dhe ta penalizojnë) dhe rritjes që kërkon vetë qeveria për të mbushur buxhetin nga mungesa e paparashikuar e importimit të gazoilit, që u krye me VKM, por nuk u pasqyrua ne të hyrat fiskale të vitit 2009. Po kjo është tjetër çështje…



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›