Legjenda "Benjamin Button" mbërrin në "Millenium"
Pasi është përfolur në mbarë botën dhe shfaqur në shumë kinema, historia e çuditshme e Benjamin Button, "The Curious Case of Benjamin Button" mbërrin edhe në kinema "Millenium", në Tiranë. Romanca dramatike, e mbushur me mister dhe trill, do të fillojë të shfaqet në ekranin e madh prej ditës së sotme. Seanca e parë e filmit të shumëpritur do të shfaqet në orën 20:30, për t‘ia lënë vendin fundjavës me projeksione të plota të njërit prej titujve më bombastikë të vitit, fitues i tri çmimeve "Oskar" dhe 89 çmimeve e kandidimeve të tjera. Një superprodhim prej 150 milionë dollarësh, që sjell magjinë e artit dhe shkencës në ekranin e madh brenda 166 minutave. Në Nju Orlins, në Luiziana, njerëzit kanë dalë në rrugë për të festuar mbarimin e Luftës së Parë Botërore, por edhe për të pritur një fëmijë që ka lindur me pamjen e një plaku 80-vjeçar. I refuzuar dhe i braktisur nga babai, Benjamin rritet nga një nënë që e ka birësuar dhe fillon të krijojë përvojën e tij. Nën një tavolinë të ndriçuar nga drita e zbehtë e një qiriu, ai dashurohet përgjithnjë me Dejzin dhe duke jetuar jetën e tij, do të zhvillojë dashurinë e tyre. Kjo është historia e një filmi, i cili për 40 vjet mbeti në sirtarët e Hollivudit, vetëm si një tregim i Francis Scott Fitzgerald. Ndonëse tentativat e regjisorëve më të mëdhenj si Steven Spielberg, Spike Jonze apo Ron Haward nuk munguan asnjëherë, filmi dukej si një ëndërr e largët. Derisa regjisori David Fincher dhe skenaristi i "Forest Gump", Eric Roth ia dolën që të fusnin jetën e pazakontë të Benjamin Button në pelikulë. Në rolin e Benjamin Button luan aktori Bred Pit, ndërsa dashuria e tij e përjetshme, Dejzi, interpretohet nga Kejt Blanshet. "Zgjodha Bred Pit për shkak të bukurisë së tij, e cila më shërbente dhe e vura në shërbim të filmit tim. Bred është një aktor me talent të madh, inteligjencë dhe ndjeshmëri, një aktor që zgjedh filmat duke u bazuar mbi skenarët dhe jo mbi pagesat. Bred nuk është shqetësuar aspak për të ruajtur imazhin e tij dhe është vënë në dispozicion të filmit, duke e lënë veten që të "përdoret", ka treguar regjisori.