E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfehet vrasësi: E bëra për nderin dhe për paratë

Besim Karaj sqaron në polici motivet e masakrës
“Nuk kisha tjetër rrugëzgjidhje. E bëra për të mbrojtur nderin e familjes”. Kështu është shprehur Besim Karaj, autori i vrasjes së trefishtë të ndodhur mesditën e së premtes së kaluar në fshatin Vidohovë të Devollit. Këto deklarata ai i ka dhënë para policisë dhe grupit hetimor që e kanë marrë në pyetje menjëherë pas dorëzimit të tij për llogari të Drejtorisë së Policisë së Korçës. Besim Karaj, i cili ka mbërritur në Korçë nën masa të rrepta sigurie, ka bërë të ditur se motivi që e çoi atë drejt krimit makabër ishin ngacmimet e vazhdueshme që vinin në adresë të tij dhe të nderit të gruas, pasi ai kishte falur një tradhti bashkëshortore të kapur në kushtet e flagrancës. Sipas autorit të vrasjes, Taulant Mulliri vazhdimisht e fyente për çështje nderi, edhe pse Besim Karaj pretendon se ishte munduar ta mbyllte këtë histori, pasi ka falur gruan me të cilën hapi edhe një çështje divorci në Gjykatën e Korçës. Ai është shprehur se nuk është penduar aspak për vrasjen e Taulantit pasi sipas tij ai e meritonte, por autori i masakrës duket se është penduar për ekzekutimin e dy vëllezërve të tij. “Nuk jam penduar që e vrava. Taulanti e kishte hak dhe e meritonte pas gjithë fyerjeve, kërcënimeve dhe mënyrës se si sillej në fshat, duke më vënë në lojë, por edhe duke më sfiduar. Për dy të tjerët jam bërë pishman, por për Taulantin jo”, është shprehur Besim Karaj. Ai ka sqaruar gjithashtu edhe çështjen e pazarit prej 8 milionë lekësh mes palëve. Sipas Besim Karajt, 23-vjeçari Taulant Mulliri i kishte marrë një sasi të madhe parash gjatë kohës që kishte lidhje intime me të shoqen, Tinën. Besimi thotë se me gjithë përpjekjet për të siguruar të ardhura për familjen, kur kthehej në shtëpi nuk gjente asnjë lek. Ai ka rrëfyer se atij i duhej të mungonte shpesh në shtëpi, pasi punonte në Greqi dhe Taulanti, që kishte lidhje me gruan e tij, merrte paratë. “Lekët ia kam kërkuar se më detyrohej. Ai kishte harxhuar paratë e mia. Nuk ia kam kërkuar as për Kanun, si dëmshpërblim dhe as për të bërë një ‘pazar’ me të, për të mbyllur një hakmarrje. Me Taulantin isha sqaruar dhe nëse do të kisha vendosur për ta vrarë, do ta kisha kryer këtë më parë. Unë i fala të dy, por ai më poshtëronte dhe as paratë nuk pranonte të mi kthente. Ai kishte ngrënë paratë e mia. Për shkak të tij, unë sot kam shumë borxhe në fshat, të cilat nuk di se si do t’i shlyej”, ka thënë Besimi. Ndërkaq ai ka sqaruar rrethanat e ditës së ngjarjes, duke pretenduar se tre vëllezërit Mulliri kishin shkuar ta takonin për t’u grindur. “Ditën e vrasjes ata më ranë më qafë. Kishin ardhur për t’u zënë. Nuk mjaftonin fyerjet dhe presionet, fjalët që flisnin poshtë e lart nëpër fshat, por kishin vendosur të më vrisnin. Unë këtë e zbulova. Vrasjen e bëra për nderin e familjes time të poshtëruar”, ka thënë ai.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›