E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfim mes "Ditarit intim"

Ai kërkoi lirinë, dëshironte të largohej nga kurthet puritane të moralit, synoi ndershmërinë intelektuale, atë që të lejon të jesh tërësisht vetvetja, duke pranuar homoseksualitetin e vet pa lënë mënjanë vlerat. Për shkrimtarin francez Andre Gide, këto janë edhe temat qendrore të veprës së tij. Shkrimtari francez, fitues i çmimit "Nobel" për letërsinë në vitin 1947, lindi në Paris në vitin 1869, dhe ndërroi jetë po në Paris më 1951. Me vdekjen e të atit, i riu Gide largohet gjithnjë e më shumë nga një arsimim normal. Me vdekjen e Paul Gide, André humbet një marrëdhënie të dashur dhe të lumtur, e cila e lë vetëm përballë me nënën. "U ndjeva papritmas i përfshirë nga kjo dashuri, e cila po mbyllej si një guaskë tek unë". Juliette Gide, e ëma, prezantohej shpesh si një nënë e egër, por ajo provon për të birin një dashuri të thellë, njësoj si edhe Gide ndien për të. Ajo e ka shumë për zemër arsimin e të birit dhe do ta ndjekë ngado në rrugëtimin e tij intelektual, pavarësisht kontradiktave të herëpashershme. Bashkëmoshatarët e tallnin shpesh, ndaj edhe Gide shmang liceun falë sëmundjes nervoze të cilën ia stimulon vetes. Qëndron shpesh mes Parisit dhe Rouenit, ku i riu Gide merr mësim nga profesorë të ndryshëm privatë. Gjatë qëndrimit në Rouen, në vjeshtën e vitit 1882, André zbulon keqardhjen sekrete që kushërira e tij Madeleine kultivon në shpirt për shkak të marrëdhënieve aspak miqësore me të ëmën. Në atë emocion, ai zbulon "një horizont të ri për jetën e tij". Lind në këtë mënyrë një marrëdhënie e gjatë dhe torturuese: Gide tërhiqet prej vajzës, nga njohja që ajo ka me të keqen, si dhe prej sensit të saj të ashpër dhe konformist për atë që duhet bërë, gjithçka tek ajo e bën për vete, madje edhe karakteri i saj ndryshe. Pak nga pak, ai nis të ndërtojë një imazh prefekt të kushërirës me të cilën dashurohet pak e nga pak. Duke nisur nga viti 1883, ai ndjek leksione private te profesor Bauer, falë të cilit zbulon mes të tjerash edhe "Ditarin e Amiel", që më vonë do ta shtyjë për të shkruar "Ditarin intim" në të cilin, shkrimtari francez sjell një rrëfim të përpiktë të vetes, po aq sa edhe të dashurisë së madhe dhe vuajtjeve që ndjen karshi Madelein.

Në vitin 1891, pak pasi shkruan "Traktatin e Narcisit", Gide njihet me shkrimtarin anglez Oscar Wilde. Ai e frikëson po aq sa edhe e tërheq. Për Gide, Wilde mishëron shembullin e vet në një tjetër ekzistencë. Nis kështu të lexojë Goethe-n dhe të zbulojë legjimitetin për të provuar kënaqësi, ndryshe nga sa predikohet nga puritanizmi që e njihte aq mirë. Kjo shënjon edhe fillimin e marrëdhënieve të tensionuara mes tij dhe nënës, e cila pavarësisht të gjithave, tenton ta ndihmojë për të bërë për vete kushërirën Madeleine, ndërsa e gjithë familja e vajzës e kundërshton këtë lidhje. Miqësia me piktorin Paul Laurens luan një rol kyç në jetën e shkrimtarit. Ai e fton Gide-n ta ndjekë në një udhëtim. Për shkrimtarin, ky është edhe rasti i çlirimit, moral dhe seksual. Aty pranon dhe provon të qenit homoseksual. Por ky zbulim nuk e pengon të martohet me Madeleine. André dhe Madeleine martohen, edhe pse lidhja e tyre nuk konsumohet asnjëherë. Nisen për një udhëtim mjalti, i cili zgjat shtatë muaj: Gide tashmë ndihet i frenuar prej bashkëshortes shëndetligë.

Gide nis të shkruajë dhe të trajtojë veprat e tij si gurë, të cilat plotësojnë njëra-tjetrën. Sipas tij, ato nuk mund të kuptohen veçmas. Gjatë një qëndrimi në Romë, Gide, zbulon tekstet e Nietzsche-s. Ai gjen te filozofi shprehinë e mendimeve të tij të pathëna: "Mirënjohja më e madhe që i detyrohem atij, është se më ka hapur një rrugë aty ku unë nuk kisha hapur as edhe një rrugicë". Më pas romani i tij "Imorali" arrin të përftojë një sukses, por autori shumë shpejt u asimilua me protagonistin Michel. Ai ndien se nuk është kuptuar siç duhet. Sipas tij, Michel është vetëm një imazh virtual i vetes së tij, nga i cili zhvishet në momentin që fillon të shkruajë. Deri në vitin 1909, nuk publikon më thuajse asgjë, kur papritmas shfaqet "Porta e ngushtë". Kritika e pret mirë, por edhe një herë Gide ndien se nuk e kanë kuptuar siç duhet. Edhe kësaj here, autorin e lidhin me Alissa-n, ndërsa sforcimi i tij emfatik kundrejt heroinës nuk është një aprovim, edhe dimensioni ironik i veprës, nuk kuptohet. Në fund të dhjetëvjeçarit, Gide krijon revistën "Nouvelle Revue Française". Në këtë periudhë, ai fillon të shkruajë "Corydon", një libër ku përballet me paragjykimet kundrejt homoseksualitetit. Miqtë e tij kanë frikë prej skandalit aq sa Gide vendos të publikojë vetëm dy kapitujt e parë, fillimisht anonim. Veprën e kompleton vetëm në vitet 1917-‘18, ndërsa me emrin e tij do ta publikojë vetëm në vitin 1924. Gide krijon një lidhje të fortë me të riun Marc Allégret. Nëse zakonisht dashuria dhe dëshira tek ai merrnin rrugë të ndryshme, kësaj here trupi dhe zemra rrahin njëkohësisht. Pak kohë pas udhëtimit në Britani me Marc-un, Madeleine largohet përfundimisht prej tij: të gjitha dyshimet që ajo kishte kundrejt të shoqit shpërthejnë papritmas. Ajo vendos të djegë të gjitha letrat që Gide i kishte shkruar dhe kthehet në familje. Gide e vuan tmerrësisht këtë braktisje "vuaj sikur ajo të kishte vrarë fëmijën tonë". Jeta e tij, tronditet më vonë nga lindja e së bijës Catherine në prill të viti 1923. Nëna e saj ishte Elisabeth van Rysselberghe, vajzë e një mikeshe të Gide-s. Vetë Gide i pat thënë asaj: "Nuk mund të jem i qetë po mos të të shoh me një fëmijë e madje dua të kem një edhe unë". Ai do ta njohë zyrtarisht Catherine vetëm pas vdekjes së Madeleine, së cilës ia mbajti të fshehtë këtë ngjarje. Pas Luftës së Dytë Botërore ai e ka të vështirë të gjejë një vend në botën letrare që tashmë ishte e politizuar. Pas vitit 1947, nuk shkruan më asgjë. Ai asnjëherë nuk mohoi gjithë sa bëri shkrimtari Gide, që skandalizoi lexuesin dhe kritikën me vepra si "Corydon", pranon homazhet e një institucioni konservator dhe çmimin "Nobel" për letërsinë në 1947. Shqetësimi i tij më i madh pas kësaj është publikimi i veprave të tij të fundit, mes të cilave "Ditari intim". Ndërron jetë në shkurt të 1951. Edhe shtëpia e tij e fundit, vendoset pranë së dashurës së zemrës, Madeleine.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›