E Diel, 1 Nëntor 2026

Agron Llakaj, rikthim në Memaliaj si "Qytetar Nderi"

Zyra e tij është e thjeshtë, po aq sa edhe tryeza e tij. Në fakt, e thjeshtë në orendi, sepse është plot me letra, projekt-ide, duket këtu studiohen dialogët e personazheve të "Portokallisë". Mes fletëve të bardha, një libër voluminoz. "Anekdota" spikat mes shumë të tjerave. Për Agron Llakajn, studimi dhe puna e përhershme nuk është asnjëherë e tepërt. Ka dhënë shumë qysh kur i është përkushtuar këtij profesioni. "Humori nuk është hobi për mua, është një dashuri e madhe", thotë ai. E kjo dashuri e madhe të cilën e "njohu" herët, u formua bashkë me të në qytetin e vogël të Memaliajt, që ai asnjëherë nuk rresht kurrë së përmenduri. Sot, do të jetë prapë aty, bashkë me trupën e aktorëve të "Portokallisë". Por kjo nuk është vizita e radhës. Sot Agron Llakaj do të vlerësohet me titullin "Qytetar Nderi" i Memaliajt. Një vlerësim që mjeshtri i humorit e pret me një kënaqësi të veçantë. Falënderimet shkojnë për të gjithë. "I falënderoj të gjithë ata që kanë vendosur dhe kanë kuptuar që është mirë që njerëzit të vlerësohen dhe të nderohen sa janë gjallë. Faleminderit! Unë nuk kam bërë ndonjë gjë të madhe për Memaliajn, por këta njerëz e kanë kuptuar se unë këtë qytet e kam dashurinë time të madhe, pavarësisht nga titulli ‘Qytetar Nderi‘. Unë jam pjesë e këtij qyteti që më ka rritur dhe që ndërtoi personalitetin tim, qytetar, artistik. Gjithnjë kam thënë se është mirë që njeriu të mos e harrojë kurrë se nga vjen. Kjo ka qenë edhe pjesë e filozofisë sime", thotë Agron Llakaj mes emocionesh. E atij, askush e asgjë nuk ia ka larguar mallin për vendin e lindjes. Në Memaliaj shkon sa herë të mundet. Gjithnjë rend drejt këtij qyteti. Madje edhe shtëpinë e vjetër e ka ende aty. Por, siç thotë vetë, ka ndryshuar shumë që atëherë. "Vërtet ika burrë nga Memaliaj, por tashmë kthehem gjysh", buzëqesh ai. Agroni, i lindur në Memaliaj, është një përzierje mes babait tepelenas dhe nënës gjirokastrite. Por më shumë se me këto dy vende, ai e ndien veten të lidhur me Memaliajn. Agroni e quan qytetin e tij si një lloj "OKB-je të jugut", sepse ai u formua nga njerëz të cilët vinin nga zona të ndryshme. E këto llojshmëri karakteresh nuk mund të mos ndikonin në formimin e tij. Ai merrte pjesë në të gjitha aktivitetet kulturore. Ishte i zhurmshëm, i shkathët e i gëzuar sigurisht. E quan të lumtur fëmijërinë e tij, për aq sa konceptohej lumturia në ato kohë. "Fëmijërinë në Memaliaj e kujtoj me nostalgji, sepse në njëfarë mënyre, aty nisën të ndërtohen edhe konturet e mia të para, për sa i përket profesionit që unë kam zgjedhur. Të gjitha këto elemente krijuan në njëfarë mënyre të gjithë personalitetin tim artistik", vazhdon ai. Kujton gjithçka në detaje, edhe episodin që ndoshta e shtyu drejt shkollës ushtarake "Skënderbej" në Tiranë kur ishte 14 vjeç.

Ai thotë se ishte një kohë kur duhej të ishin vigjilentë për gjithçka. Ndaj kur bashkë me shokët pa dritat e shkollës ende të ndezura, deponoi në polici. Në të vërtetë, aty nuk po ndodhte asgjë, por atë e lavdëruan për vigjilencën. Por pas dy vitesh, atë e përjashtuan nga "Skënderbej". Uniforma nuk ishte për djaloshin rebel. Ai nuk ishte gatuar për të jetuar brenda kontureve të uniformës. E kujton mirë këtë kohë, ashtu siç kujton muratorin që dikur kishte qenë një Baba Teqeje. "Kur më përjashtuan nga shkolla, punoja në ndërtim. Isha ndihmës pas një muratori. Ai më shikonte që në pushimin e drekës unë qaja, më dhembnin duart. Ai më tha: ‘Dëgjo biri im, Zoti i jep tri fate njeriut, unë e besova. Dy t‘i jep të mira e një ta jep të keq. Ty ta ka dhënë fatin e parë të mirë dhe ty të shpëtoi, Zoti do ta japë mundësinë përsëri që ta provosh fatin dhe ti do ta shtrëngosh kaq fort në dorë atë, sa të mos e lësh të ikë. Është si të kesh në dorë një zog, po e lirove pak njërin gisht ai fluturon‘. Me këtë unë kuptoj gjithmonë punën, forcën, disiplinën, kështu mbahet fort fati", shprehet ai. Për Agronin, në profesionin e tij, që në fakt mbetet një sfidë e përhershme, ka vend për të gjithë. E rëndësishme është të bësh betejën tënde për të qenë gjithnjë në krye. Aktiviteti artistik i Agron Llakajt nisi herët. 16 vjeç, ai u bë pjesë e estradës amatore të Memaliajt. Fillimisht nisi si këngëtar, më pas me parodi e më vonë lindi imitimi. Pas lëvizjeve Tepelenë-Memaliaj-Gjirokastër, në një kohë që ishte bërë edhe baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze, Agron Llakaj, në vitin 1987, largohet nga vendi i tij për të nisur studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, dega aktrim. Bashkëshortja Kostandina ishte një ndihmë e madhe për të. Një përkrahje morale dhe shpirtërore që bashkëshortja ia ka dhuruar pa asnjë kompromis ndër vite. "Unë jam njeriu që rri në vitrinë, por mbrapa është njeriu që e furnizon vitrinën. Kjo ka qenë marrëdhënia ime me Kostandinën në kohë dhe në vite", tregon Agroni. Ajo ishte për Agronin vajza e klasës paralele, asnjëherë më shumë se aq. Në punë do të njiheshin më mirë, do të dashuroheshin dhe do të lidheshin në martesë. Sot, ai jo pa humor, thotë se pas kaq vitesh, i vjen mirë vetëm për një gjë: gënjeshtrat që i ka thënë në rini, tashmë janë realizuar. "Më kujtohet si sot kur isha 19 vjeç, i pata thënë se një ditë do të bëhesha një artist i maaaadh. Të gjithë djemtë gënjejnë pak për të bërë për vete të dashurën e zemrës. Në rastin tim, më vjen mirë që ato dolën gënjeshtra të vërteta", tregon duke qeshur aktori i humorit. E prej asaj gënjeshtre, ka kaluar kohë e gjatë vërtet. Ai u përball me ekranin, u njoh me miq, prej të cilëve mori dhe dha profesionalisht. U rrit artistikisht, në çdo kohë i dhuroi publikut personazhe të reja e humor, të qeshura mbi të gjitha.

"Unë e dashuroj këtë profesion, mendoj se kam lindur bashkë me humorin. Kam punuar dhe kam investuar për të arritur atë që quhet sukses. Pjesa e rritjes sime fillon që nga estrada amatore e Memaliajt, me atë të Gjirokastrës, e spektaklet në vazhdim. Kudo ku kam shkelur, me këdo kam bashkëpunuar e quaj një rritje profesionale, sidomos momentin e krijimit të treshes, Koço Devole-Agron Llakaj-Filip Çakuli. Pak nga pak u krijua një brigadë e madhe dhe për mua kjo është shkolla ku, edhe pse në fund nuk merr një diplomë, ti kupton se po rritesh", thotë Llakaj. Profesionalisht ndien se ka arritur shumë, por ai ende është në kërkim e sipër. Edhe pse ka një lloj kompromisi që artisti e bën me realitetin ku jeton, Agron Llakaj sërish ka të tjera ide në mendje. Është në kërkim të një arti më specifik. Dëshiron të interpretojë një lloj humori që të argëtojë publikun, e ku ky i fundit të mos e ndjekë humorin për të larguar stresin, por ta ndjekë sepse është një mënyrë e pastër argëtimi. "Njerëzit kanë nevojë të qeshin dhe unë dua të provoj statusin tjetër, ku niveli dhe mirëqenia të jenë rritur në Shqipëri, e kështu do të shihja se çfarë humori do të shkonte më tepër. Po të vëmë re, humori te ne ka një lloj sensi kritik me realitetin, e realiteti këtu është më shumë i dhimbshëm sesa i lumtur. Unë nuk dua ta nxij por është kështu. Kjo është pjesa që më dhemb dhe që nuk më ka lënë të ndërtoj ato shije që dua unë me humorin tim", komenton më tej. Por mbetet gjithnjë pozitiv ndaj atij humori që ka gjithnjë një mesazh për të dhënë, siç ndodh në "Portokalli", në spektaklin i cili u drejtohet të gjithëve, sidomos publikut. Kur flitet për "Portokallinë", reagimet e Agronit janë ndryshe. Bashkautor, aktor i humorit, drejtor artistik, e moderator i spektaklit, ai përherë ka qenë pjesë e ndryshimeve dhe sukseseve të asaj që tashmë quhet akademia e humorit. "‘Portokallia‘ gjithmonë vjen ndryshe, ndaj edhe në momentin që flasim, ajo vazhdon të mbetet po kaq e dashur për njerëzit. Në fillim ne donim që humorin ta bënim si një domosdoshmëri të tavolinës shqiptare. Donim që e qeshura për familjet shqiptare të ishte një nevojë njësoj si uji e buka. Me ‘Portokallinë‘ e arritëm këtë. Më vjen mirë që jemi të vetmit që kemi mundur ta bëjmë, pavarësisht konkurrencës. Në filozofinë time, ne jemi lokomotiva, ata që drejtojnë. Nuk mendoj se dikush do të dojë të kryqëzojë trasenë me ‘Portokallinë‘. Këtë e them me mendjemadhësi". E nëse e pyet për një personazh të preferuar në këtë spektakël të humorit, ai thotë: "Unë kam ‘Portokallinë‘ personazh të preferuar. Të gjithë janë pjesë e një mozaiku të bukur që quhet "Portokalli", çdo gur është një xhevahir kur është mes gurësh të tjerë, në momentin që largohet bëhet një gur i zakonshëm. Si mund të më thuash në mozaikun e bukur se cili gur të pëlqen më tepër?".

Ata të gjithë ofrojnë të qeshura dhe për Agron Llakajn e qeshura është jetë, të bën njeri. Ai është i bindur kur thotë (në mënyrën e tij) se nga një njeri që qesh në shpirt nuk të vjen e keqja. Por të duash të qeshurën do të thotë të duash jetën, të duash njeriun që është para teje. Ai thotë se është koha kur njerëzit kanë nevojë për më shumë dashuri se sa urrejtje. "Në këtë dashuridhënie, unë kam gjetur statusin e një njeriu që dhuron të qeshurën dhe këtë aftësi që më ka dhënë Zoti unë e quaj fat të madh. Unë dhuroj të qeshurën, dhe në qoftë se e qeshura është dielli, do të më pëlqente".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›