E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i falimentimit, normalizues për ekonominë

Autori i Lajmit: Nertila Sadedini*
Për herë të parë të paktën në këto dhjetë vjet në Shqipëri mund të themi se kriza po shoqërohet me falimentimin e shoqërive private. Alen de la Bretesch problemet e falimentimit i ka cilësuar se janë aq “të vjetra sa dhe problemet e huasë ku dhe bibla para krishtit shpjegonte se është e rrezikshme të kesh një garanci ligjore dhe të huazosh para”. Sipërmarrësit vendas nuk kanë asnjë mundësi për të ndjekur një procedurë të drejtë të falimentimit të biznesit të tyre. Biznesi vendas operon në vështirësi e në kushtet e një ekonomie informale. Po ashtu jetojnë edhe individët, që e tregojnë më së miri këtë aspekt te mos-pagesat e kredive. Të trashëguara, këto kredi do të jenë një “helm” që në këto kushte vështirë të eliminohet.Një situatë e tillë, bën që në shumë vende në zhvillim të ketë humbje të mëdha nga ana e një pjese të pjesëmarrësve në sipërmarrje. Situata në Shqipëri, në këtë pjesë të rëndësishme të zhvillimit të sipërmarrjes, mbetet tepër e errët, nëse e krahasojmë me të gjitha vendet e rajonit. Në një pjesë të vendeve të krahasueshme me Shqipërinë, nga ana e BB, ka një standard tjetër të këtij procesi. Kohëzgjatja e procesit të falimentimit në vendet e rajonit shkon nga 2 deri në 3 vjet dhe pjesa e të ardhurave të kthyera nga ana e procesit të falimentimit shkon nga 15%, që është rasti i Maqedonisë, në 47% për Slloveninë. Vlera të larta në rezultat, për treguesin e të ardhurave të kthyera nga ana e procesit të falimentimi, paraqet edhe fqinji ynë verior, Mali i Zi. Sipas raportit në këtë vend, sipërmarrjet që shkojnë në proces falimentimi, rikuperojnë rreth 42,8% të borxheve që kanë ndaj kreditorëve.
Ballafaqimi se çfarë ndodh në ekonominë shqiptare dhe si e vlerëson FMN-ja dhe Banka Botërore është i vështirë të bëhet. Për sa i përket krizës, një nga burimet e saj është mënyra se si mund të sillesh me biznesin shqiptar Hartimi i një legjislacion ekonomik dhe fiskal, i cili e çon të gjithë përgjegjësinë dhe të gjithë barrën thjesht dhe vetëm te biznesi privat, risku është i tille ku biznesi i vendit tonë do të jetë ai që do të përballojë të tërë riskun, qoftë kjo në emër të luftës kundër ekonomisë informale, qoftë në emër të luftës kundër korrupsionit, është politika më e keqe, e cila, në fakt, dëmton rrënjët e rritjes ekonomike të vendit. Ndërhyrja në ato elemente që janë më thelbësoret dhe që, në zbatimin praktik, kanë ngelur prapa zhvillimeve dhe realitetit. Perfshirja, në ligjin “Për falimentimin”, të nismës së organeve tatimore dhe e QKR-së për ndërhyrjen ligjërisht dhe detyrimisht për eliminimin e aktiviteteve fiktive, për të kufizuar në maksimum spekulimet dhe mashtrimet që bëjnë bizneset e falimentuara, për t iu shmangur detyrimeve fiskale dhe kreditorëve. Kompetencat që ligji u jep organeve fiskale dhe QKR-së ne pamje te jashtme duket sikur u kufizojnë mundësinë bizneseve të pandershme për të abuzuar me lehtësimin e procedurave të regjistrimit, si dhe uljes së barrës fiskale. Mjafton të përmendim një fenomen më se negativ masiv, themelimin dhe regjistrimin e dhjetëra shoqërive në fushën e ndërtimeve. Ky fenomen është shqetësues, pasi abuzohet me faktin që teknologjia e skemës së thithjes së parave në fushën e ndërtimit, është tërësisht informale. Informaliteti i tregut të shitjeve është se shitjet bëhen në ajër, pa u hapur themelet. Absurditeti dhe informaliteti qëndron te bilancet e tyre, të cilat deklarohen me humbje dhe, nëse do të hyhet më thellë, do të gjesh detyrime marramendëse të pashlyera.
Në ligjin “Për shoqëritë tregtare” përgjegjësia e tyre është deri në kapitalin themeltar, i cili është 100 mijë lekë. Absurditeti qëndron se pikërisht këto shoqëri me një kapital themeltar 100 mijë lekë marrin përsipër dhe u jepet leje ndërtimi për të ndërtuar pallate shumëkatëshe me një kosto minimale 2 milionë euro. Shtrohet pyetja: Nga dalin këto para dhe çfarë bëhet në fund me këto para të realizuara nga ky biznes?
Fenomeni i falimentit është një proces normal që ndodh në mënyrë të domosdoshme dhe të pashmangshme në një ekonomi tregu. Në këtë proces tranzicioni fenomeni i falimentimit për disa biznese të ndershme është më se i pranueshëm, pasi nuk kanë mundur t i rezistojnë konkurrencës me ndershmëri, kanë mbyllur biznesin dhe kanë shlyer detyrimet, si ndaj shtetit dhe ndaj individit. Por a ka ndodhur dhe ndodh gjithmonë kështu?
E vërteta është se nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit nr.7512 të vitit 1991 “Për nismën e lirë private” dhe më pas me riorganizimin e biznesit mbi bazën e dy ligjeve për shoqëritë tregtare janë konstatuar masivisht dy fenomene negative, të cilat janë potencialisht rrezik edhe sot ky ligji “Për falimentimin”nuk zbatohet me të gjithë forcën që parashikojnë dispozitat.
Fenomeni i parë është informaliteti në qarkullimin e parasë jashtë sistemit bankar. Ky realitet është shfrytëzuar me sukses deri tani nga mashtruesit famëkeq të firmave të caktuara. Kjo situatë solli që këto shoqëri të dalin jashtë kontrollit të shtetit dhe t i sjellin dëme të pallogaritshme ekonomisë së vendit. Pasojat i kemi prekur dhe i ndiejmë akoma të gjithë.
Fenomeni i dytë, që unë e kam shqetësim, është kalimi i informalitetit dhe shpenzimi i parave të depozituara në banka ose më thjesht, kreditimi i shoqërive të falimentuara dhe bizneseve informale, kur ato duhet t i nënshtrohen falimentit menjëherë.
Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se aktiviteti i bankave në Shqipëri ka filluar të ndihet në jetën e çdo qytetari, fenomen, i cili është mjaft pozitiv, që duhet përkrahur dhe nxitur, pasi tregon tendencën në rritje për t iu afruar standardeve europiane. Por, fatkeqësisht, bankat janë para një ekspansioni për pozitat dominuese në treg dhe kjo sjell, për pasojë, që ato të bien pre e kreditimit të bizneseve informale dhe fiktive. Për konkretizim mund të marrim shumat marramendëse të tërhequra në mënyrë mashtruese për biznese informale dhe fiktive dhe sot është i pashpresë arkëtimi i kredive në ish-bankat shtetërore para privatizimit, të cilat trajtohen nga Agjencia e Trajtimit të Kredive. Si mund të kreditohet një biznes, i cili bilancet që depoziton në organet e tatimeve me vite të tëra i ka negative?
Si mund të financohen me kreditim biznese, të cilat kapitalin themeltar të nënshkruar e kanë 100 mijë lekë?
Si mund të kreditohet dhe t i besohet një biznesi, i cili tërheq kredi për të shlyer borxhe të marra në mënyrë informale me fajde ose për të paguar rrogat e punëtorëve?
Nëse nuk frenohet ky fenomen sa më shpejt të jetë e mundur, do të ndodhemi jo më përpara një piramide, por përpara disa piramidash.
Duhet te gjeme rrugët administrative, pasi është realitet që në mjaft biznese, realisht të falimentuara, në vend që të ndërhyhet sa më shpejt që të jetë e mundur për të ndërprerë humbjet me financimet që bëhen nëpërmjet kredive, thellohen akoma më shumë humbjet dhe pasojat dihet se bien mbi shtetin dhe qytetarët. Jam shumë e sigurt se efektet dhe pasojat në ekonomi do t i ndihen shumë shpejt. Askush nuk duhet të mendojë se do të marrë para duke mashtruar dhe për këtë mashtrim nuk do përgjigjet, siç ka ndodhur deri tani. Njerëzit janë bërë të ndërgjegjshëm, por kërkojnë edhe mbështetjen, edhe forcën e shtetit.
Ku janë shoqëritë që kanë marrë përsipër ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve, shkollave etj., të cilat kanë lënë punimet përgjysmë? Cilat nga këto shoqëri iu nënshtrua falimentimit? Ku i kanë pasuritë dhe paratë që fituan nga buxheti i shtetit? Sa nga këto shoqëri janë krijuar vetëm për të marrë pjesë në tendera dhe kanë ngelur fantazma?
Sa nga këto shoqëri janë stimuluar dhe kanë tërhequr kredi nga bankat dhe bankat heshtin dhe nuk ushtrojnë autoritetin që u ka dhënë ligji për t i vënë në falimentim?
Sa punëtorë të këtyre shoqërive janë të paguar për punët që kanë bërë dhe janë lënë të pasiguruar për kohën që kanë punuar? Problemet që sjell një falimentim janë të dhimbshme, por janë të domosdoshme dhe të dobishme kur bëhen në kohë, në të kundërt pasojat janë katastrofike, jo vetëm për shtetin, por edhe për qytetarët. Proceset që po realizohen për arritjen e standardeve të Komunitetit Europian detyrimisht do të sjellin që një pjesë e bizneseve, që nuk arrijnë t i kuptojnë ndryshimet dhe nuk janë të gatshëm të vihen në garë, të falimentojnë ndershmërisht. Por këtij procesi falimentimi do t i nënshtrohen me forcën e ligjit edhe ato biznese, që kanë mbështetur aktivitetin e tyre në informalitetin dhe klientelizmin e pushtetit. Duan, s duan do t i nënshtrohen falimentimit, por çështja është të tregohen të ndershëm dhe të pranojnë këtë realitet. Masat shtrënguese dhe toleranca e ligjit ndaj tyre po shkojnë drejt zeros. Në gjykatat shqiptare, të cilat janë dhe do të vazhdojnë të jenë i vetmi organ mbikëqyrës, që do të trajtojë të gjitha procedurat e falimentimit, nuk ka ndodhur të ketë asnjë procedurë falimentimi dhe nuk mund të thuhet që kjo është e metë e mekanizmave të tregut. Sigurisht, të gjithë operatorët ekonomikë, qoftë ata të shëndoshë, qoftë ata të cilët i referohen në punë dhe në veprimtarinë e tyre zbatimit të ligjit dhe kushteve të tregut, por edhe ata, që në mënyrë të përditshme dhe të përhershme asnjëherë dhe në asnjë moment në veprimtarinë e tyre ekonomike, nuk kanë rezultuar qoftë me fuqi paguese, qoftë edhe me moskryerje dhe me mosushtrim të veprimtarisë së tyre ekonomike për një farë kohe, asnjëherë nuk u janë drejtuar procedurave ligjore të falimentit. Ndërhyrja në këto raste do të ishte thjesht dhe vetëm për të përcaktuar se cilat do të ishin ato forca motore, të cilat këtë fenomen, sigurisht jo të shëndetshëm dhe jo të dobishëm për ekonominë e vendit, do të duhet ta çojnë përpara. Në ligj është parashikuar që të rregullohen të gjitha elementet e mozaikut të procedurës së falimentit. Sigurisht që dera e fundit, e cila do të merret me procedurën e falimentit, do të jetë gjykata. Që gjykata të përcaktojë kriteret ligjore, të japë një vendim përfundimtar, nëse do ta destinojë një veprimtari ekonomike si të falimentuar ose jo, apo si të aftë për të rifilluar edhe një herë veprimtarinë ekonomike, ky do të ishte një kërkim i tepërt, prandaj është futur në ligj edhe një hallkë tjetër administrative, është futur në ligj edhe një figurë tjetër e operatorit të tregut, por edhe operatorit të procedurës së falimentit, i cili është administratori i falimentit, i aftë, i pajisur me aftësitë dhe mundësitë praktike dhe konkrete për të kuruar dhe për të njohur gjendjen ekonomike dhe konkrete të operatorëve dhe për t i dhënë mundësinë një operatori ekonomik, që i përmbush kushtet ligjore për të qenë i falimentuar, të rifillojë edhe një herë nga veprimtaria ekonomike. Cfare nderhyrje konkretisht I duhen ekonomise:
Së pari, të rivendosim një mekanizëm të munguar të ekonomisë së tregut dhe legjislacionit, komponentin e procedurës së falimentit, i cili tregon se një strukturë shtetërore e ka të nevojshme dhe me një të tillë duhet të prezantohet edhe atje ku ky shtet kerkon të integrohet.
Së dyti, te përcaktohen në mënyrë të matur dhe të qartë, në mënyrë të detajuar deri në artikulimet më periferike të ligjit, të drejtat dhe detyrimet e të gjithë operatorëve në procedurën e falimentit; ku te përcaktohen dhe limitet në proceset gjyqësore. Një muaj parashikohet që të vazhdojë në gjykatë një procedurë falimenti. Po kështu, edhe në Gjykatën e Apelit, në qoftë se ne i kërkojmë diçka sistemit gjyqësor, është pikërisht efikasiteti dhe limitimi në kohë i proceseve gjyqësore, kaq i nevojshëm dhe i domosdoshëm edhe për operatorët ekonomikë.
Procedurat janë të tilla, që të gjitha ato kompani, të cilat nuk kanë mundur t i rezistojnë tregut shqiptar, kanë bërë përpjekje për të plotësuar dokumentacionin përkatës dhe nuk kanë gjetur zgjidhje, për faktin se ekonomia është informale. Këtë e them me bindje. Atëherë, ne ndodhemi përpara 2 lloje biznesesh: njëri që do të qëndrojë në treg dhe nuk qëndron dot, si rezultat i politikave që ndjek Qeveria, dhe falimenton; dhe përballë faktit tjetër, dhe përballë kompanive që nuk i rezistojnë tregut dhe duan të largohen.
Rekomandime:
Në radhë të parë, ne duhet të bëjmë ekonominë formale, pra të vendosim një drejtësi sociale, të vendosim biznese të barabarta në dogana, të vendosim biznese të barabarta në tatime, të pajisim bizneset e vogla me fatura tatimore. Kjo është A-ja e një ekonomie të tregut
Këtu është korrupsioni. Në qoftë se të gjithë paralamentaret do të përdornin kartonin jeshil për të vendosur ligje, Shqipëria do të integrohet në BE shumë shpejt, në qoftë se ne duhet të kalojmë ligje për të centralizuar ekonominë, që të përfitojmë në rrugë të padrejtë.
Nisur nga interesi shoqëror, shmangia jo vetëm e burokracisë dhe e korrupsionit, por edhe e shpërdorimit të kohës së administratës publike në dhënien e rrugëzgjidhjeve e pastrojnë ekonominë nga boshllëqet ligjore, që mbarsin informalitetin në kuptim të shmangies, evazionit dhe mashtrimit fiskal. Këto amandamente i hapin rrugën pastrimit të mëtejshëm të mbeturinave të sistemit të skemave piramidale për shumë arsye, nga të cilat njëra është më se domethënëse: konsolidimi i bilancit kontabël ose krijimi i të gjitha kushteve për të mos pasur më shumë se një bilanc kontabël në përdorim. Këto amendamente nuk duhen perceptuar dhe konsideruar si një mjet në duart e administratës fiskale, por si një sistem që, duke shmangur procedurat e gjata dhe të panevojshëm ligjore dhe administrative, shtron rrugën për zbatimin e standardeve ndërkombëtare dhe ndërkombëtare të kontabilitetit, tashmë në fuqi, për të bërë të munduar funksionimin e vërtetë të bursës, si dhe për të mënjanuar kërcënimin e përhershëm të huamarrjes publike nga biznese të falimentuara, siç ishte rasti i fundit i një biznesmeni rrobaqepësie të Korçës ose sinjalet që vijnë nga brenda bizneseve të ndërtimit në lidhje me falimentimin e mundshëm të disa firmave për shkak të regjistrimit të falsifikuar të pasurisë. Nëse nuk i japim zgjidhje një problemi të tillë si falimentimi, atëherë ngelet që t u japim dorë abuzuesve dhe të lemë në mëshirë të fatit komunitetin e ndershëm të biznesit në lojën e një tranzicioni të gjatë drejt një ekonomie të orientuar të tregut, që nuk është gjë tjetër veçse e drejta dhe detyra jonë ligjore që të kapim thelbin e asaj që i nevojitet një konkurrence të ndershme për të pasur një ligj të zbatueshëm.
Shumë prej problemeve me të cilat është përballur ligji “Për falimentimin” janë rezultat i mungesës së harmonisë midis ligjit të shkruar dhe mënyrës se si duhet të funksionojë ligji në realitet, sepse është mjaft e qartë se, kur ligji i shkruar bie në konflikt me ligjin sipas së cilit jetojnë dhe veprojnë njerëzit, përbën, në fund të fundit, një sfidë politike, e cila duhet të reformohet përmes mekanizmave ligjorë, larg prej pakënaqësisë së përgjithshme që shkakton një sistem ligjor i dalë mode dhe që nuk ka kurrfarë ndikimi në botën reale, kur ligji duhet të përputhet me mënyrën se si njerëzit menaxhojnë jetën e tyre.
Konsensusi për hartimin e një ligji funksional na jep shansin të heqim dorë nga gjithçka që është e padobishme dhe e pazbatueshme, si dhe të gjejmë ato mjete ligjore që jo vetëm e qëndisin bukur ligjin, por bëjnë të mundur që ligji të zbatohet brenda një realiteti të pranueshëm administrativ dhe shoqëror, çka nënkupton jo vetëm njërën anë të problemit, detyrimet dhe obligimet e biznesit, por edhe detyrimet e obligimet e administratës publike, sidomos asaj fiskale në kuptim të pastrimit të borxheve tatimore dhe doganore.Natyrisht, një pastrim i tillë kërkon të merret në konsideratë ngritja dhe funksioni i Gjykatës Administrative, për të shmangur abuzimet në lidhje me borxhet që shkakton abuzimi i mundshëm i sjelljes arbitrare të administratës fiskale në lidhje me vlerësimet dhe rimbursimet, sikundër është vënë re në këta 10 vjetët e fundit.
Më tepër garanci për biznesin shqiptar dhe kjo duhet të jetë pjesë e një pakete të tërë ligjesh, të cilat duhet të favorizojnë investimet dhe të inkurajojnë biznesin shqiptar, por mendoj se ligji “Për falimentimin” është një ligj i domosdoshëm. Përfundimisht, mundësia për të pasqyruar faktin që një kompani është në proces falimentimi, duhet të vijë vetëm pas vendimit që merr gjyqtari pranë të cilit paraqitet kjo çështje. Me mire kete do ta bente gjykata Administrative si nje institucion I regullimit dhe vendimarres I procedurave te falimentimit. Jo për çdo veprim administrativ, i cili nuk mund të fillojë pa marrë autorizimin e gjykatës, duhet të atakohen publikisht kompanitë në këtë proces. Në rast të kundërt, ky do të bëhet një biznes i keq kundër kompanive konkrete.
Këtë të drejtë dhe këtë transparencë në rritje në procesin e falimentimit ne duhet t ia japim vetëm momentit, pasi gjykatësi përkatës i seksionit tregtar për këtë kompani në bazë të argumenteve të dhëna nga palët, që mund të jenë individë, agjentë të ndryshëm ekonomik ose administratë tatimore, ka marrë vendimin që po, janë argumentet e nevojshme për të filluar procesin e falimentimit dhe, normalisht, aty do të pasqyrohet vendimi i gjykatës, jo kërkesa e organeve tatimore apo e një tatimori të vendit.
Nuk do të mendoja se kemi të bëjmë me një filozofi të re, përveç thelbit se si funksionon një ekonomi tregu, të cilën ne e dimë më së miri që nuk është një ekonomi tregu perfekt, sepse është ende larg të qenit në atë prag. Pikërisht, kur amendohet një ligj për një fenomen kaq të rëndësishëm, siç është falimentimi, merret parasysh realiteti që është krijuar në këtë perspektivë.
Ne faktikisht mund të pranojmë edhe pamje iluziore dhe virtuale të një ekonomie që nuk e ka këtë problem. Prandaj nuk është nevoja që ta shohim në atë mënyrë. Në të vërtetë ky problem po bëhet një problem tepër shqetësues i ekonomisë sonë, ku zinxhiri i borxheve të njëpasnjëshme që kompanitë i kanë njëra-tjetrës vetëm sa shtohet. Asnjëherë nuk mund të themi se jetojmë në një realitet, ku ky zinxhir do të zgjatet pafundësisht.
Një ditë ai patjetër do të plasë, do të këputet dhe kostoja e këtij fenomeni do të jetë shumë më e madhe në impaktin që ka në tërësi në ekonomi, në impaktin që ka në tërë klimën e biznesit, në impaktin që ka në numrin e pafund të debitorëve dhe të kreditorëve të pamundur, për të arkëtuar të drejtat dhe detyrimet e tyre, sesa kostoja normale, që Perëndia e ka dhënë në proces normal, ku mbijeton gjithmonë i suksesshmi, i forti, pra, ai që respekton rregullat e lojës. Edhe biznesi ka seleksionimin e vet, në mënyrë që, në pyll të rrinë vetëm ato bimë, që janë të shëndetshme dhe shkurret e tjera të mos ua marrin frymën, të cilat çdo ditë e më tepër po e bëjnë të paajrosur këtë ekonomi.
Sot, nuk po kuptojmë dot se ku do të materializohet kjo energji e biznesit të ri, e cila po fillon të kristalizohet, po vjen me ide të reja, me teknologji të re, ku energjia e tij po humbet, nuk jep sinjale në këtë treg. Nuk kuptohet se cili është biznesi që mbijeton, që bën fitime, që akumulon në ndryshim me biznesin tjetër, që vegjeton dhe krijon një perandori të pasurisë së rreme në kurriz të kreditorëve të tij. Nevoja numër një e ekonomisë sonë është akumulimi i kapitalit. Ai në vend që të akumulohet, fragmentohet dhe humbet në këtë pamundësi transaksionesh që kurrë nuk kanë për t u realizuar.
Së fundi, ajo që është kryesorja dhe që ne pretendojmë, të cilën të gjithë e teorizojmë dhe e predikojmë, si dhe shohim që me shumë vështirësi përparohet drejt asaj, është konkurrenca mes lojtarëve të tregut. Shteti nuk e rregullon falimentimin. Ai rregullohet nga gjykata dhe është sine quanon. Shteti është një klient në vetvete dhe aktor në këtë treg, i cili për më tepër kur del në emër të organeve fiskale ka një të drejtë më shumë, sepse nuk është një kreditor i zakonshëm, por është kreditor i parasë publike, që ka edhe një listë prioritare në shlyerjen e borxhit. Falimenti nuk është as e keqe e mirë, as e mirë e keqe. Falimenti është një fenomen normal i ekonomisë së tregut.E rendesishme eshte rregullimi dhe dalja nga ky tunel.

*Eksperte ligjore, vazhdon master per Studime e Europiane dhe Diplomaci.
Ky lajm është publikuar: 19/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›