Majko: Hapja e portave shpëtoi hidrocentralet
Ish kryeministri socialist, Pandeli Majko tha dje se hapja e portave të hidrocentraleve i shpëtoi ato nga shkatërrimi. Në një intervistë televizive, Majko tha, se qeveria është e vetëdijshme për dëmin që u ka shkaktuar banorëve të Shkodrës dhe për këtë duhet ti dëmshpërblejë 100% ato. "Disa, çështjen e përmbytjeve e kanë lidhur me sasinë e madhe të reshjeve të rëna në këtë zonë. Edhe shkodranët e dinë mirë se kjo nuk është histori reshjesh, pasi ajo që ka ndodhur, ka ardhur nga hapja e portave të digave. Përsa i përket mënyrës se si u menaxhuan digat, për mua duhet të ketë një hetim nga ana e Prokurorisë. Për të mbrojtur këtë pasuri kombëtare, shteti shqiptar i ka krijuar një dëm qytetarëve shqiptarë dhe këtu jam dakord me përfaqësuesit e qeverisë. Mbi këtë logjikë thuhet që dëmshpërblimi 100% për dëmin e shkaktuar u bë për të shpëtuar një pasuri kaq të madhe. Shteti shqiptar është i vetëdijshëm për dëmin që i ka shkaktuar shtetasve të tij dhe për këtë duhet të dëmshpërblejë", u shpreh Majko në emisionin "5 pyetje nga Babaramo" në News 24. Deputeti i socialist, ish kryeministër, mendon se nuk ka vend për optimizëm. Majko i bëri apel Presidentit të Republikës të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe është pro vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme."Aktualisht në Shkodër është duke u zhvilluar një tragjedi e mirëfilltë humanitare. Ajo që vë re jo pa shqetësim është se nga njëra anë thuhet se kjo që po ndodh nuk ka ndodhur prej 100 vjetësh, dhe nga ana tjetër nuk di se çfarë duhet të ndodhë që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Sepse kjo që ka ndodhur, nuk i ka ndodhur PD-së. Funksionimi i shtetit shqiptar përballë kësaj gjendjeje, nuk është një çështje e brendshme e PD-së, kjo është një çështje e të gjithëve. Tek ai ujë atje, është një borxh që qytetarët shqiptarë i kanë të gjithë atyre njerëzve që u është dëmtuar prona duke ruajtur pronën më të madhe të shtetit shqiptar, që janë hidrocentralet", u shpreh Majko. Ish kryeministri i bën jehonë kërkesës së formuluar për herë të parë nga Edi Rama, Kryetari i Partisë Socialiste, për thirrjen e Këshillit të Sigurimit. "Presidenti duhet të thërrasë këshillin sepse tryeza e kreut të shtetit është vendi ku takohen aktorët e ndryshëm", shton Majko. Deputeti socialist tha se kjo krizë mund të menaxhohet vetëm me struktura permanente dhe fonde të miratuara. "Kriza duhet të menaxhohet me struktura permanente dhe jo nga zyrtarë që lëvizin sa andej këtej para kamerave. Siç e shoh unë situata është jashtëzakonisht e komplikuar dhe kërkon fonde të veçanta dhe jo me fonte operacionale, apo duke prekur dhe fondet rezervë", tha Majko.