E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfimi i babait vrasës: Vajza po më turpëronte, por jam penduar që e vrava

Gjykata lë në burg Nikoll Begun, ja rrëfimi pse vrau vajzën
 
gjykate vendimLezhë/I penduar më lot në sy, në gjendje shoku, i penduar për vrasjen e vajzës së tij Nikoll Begu, është shfaqur në sallën e Gjykatës së Lezhës i vetmuar, dhe i braktisur nga familja. Gjykata e Lezhës ka dhënë masën arrest me burg për 50 vjeçarin që në nxehje e sipër ka vrarë me armë zjarri vajzën e tij adoleshente Valentina Begu. Policia e ka shoqëruar në seancë për masë sigurie, Nikoll Begun ku për një orë 50-vjeçari rrëfeu edhe shkaqet përse i mori jetën të bijës 19 vjeçe, ngjarje e ndodhur të shtunën në Tale. Trupi gjykues, i kryesuar nga Jak Noka, ka pranuar kërkesën e paraqitur nga prokurori i çështjes Ervin Beqiri, për dhënien e sigurisë arrest me burg, me akuzën e vrasjes me dashje, në rrethana cilësuese dhe armëmbajtje pa leje. Begu u mbrojt nga avokat Fran Lleshi, i cili ka argumentuar veprimin e klientit si të ndikuar nga gjendja e rëndë psikologjike që i ishte krijuar gjatë debatit me vajzën.
Pendesa
Avokati u shpreh se Begu është penduar thellë dhe është tronditur aq shumë sa trajtohet me psikologë në qeli.
Kam vepruar i tronditur. Vajza po më turpëronte. I kisha thënë që të mos largohej më nga banesa. E këshillova edhe para largimit tim për në emigracion, në Greqi. Por ajo përsëri nuk dëgjoi. Kur i kërkova llogari pasi u ktheva me urgjencë duke lënë edhe punën, më tha se me jetën e saj bënte çfarë të donte. Aty nuk durova dot më, mu errën sytë dhe mora armën duke e vrarë. Por tani jam penduar, u shpreh Begu gjatë masës së sigurisë ditën e djeshme. Pritet që ai të kërkojë edhe gjykim të shkurtuar duke pranuar akuzat sipas akteve të prokurorisë. Begu është dorëzuar menjëherë pas ngjarjes duke bashkëpunuar në hetime. Madje ai pranon se ka pasur vazhdimisht konflikte me të bijën, Valentinën.
Rrëfimi
Vazhdimisht i kërkoja që të qëndronte në shtëpi, pasi si fëmija i madh, ishte model për dy fëmijët e tjerë. Para dy muajsh ika në emigrim në Greqi. Ndërsa bashkëshortja më mori në telefon dhe më tha se Valentina ka ikur nga shtëpia dhe nuk kishte lënë adresë. Jam kthyer nga emigrimi dhe kam nisur kërkimet për gjetjen e saj, është shprehur 50-vjeçari. Kjo dëshmi u dha edhe në komisariatin e Lezhës pas arrestimit para oficerëve gjyqësorë dhe prokurorit. Gjithkush mundet të më gjykojë, por unë kam punuar gjithë jetën në emigrim për të mos u munguar asgjë tre fëmijëve të mi, u shpreh dje para gjykatës Begu, por i tronditur dhe për më tepër i braktisur. Ndërkaq, sipas burimeve nga policia, autori po trajtohet edhe me psikolog në ambientet e paraburgimit, për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›