Begzim Isa pohon: E mora fëmijën për ta trafikuar në Kosovë
Burg rrëmbyesit të fëmijës, rihapet dosja për Bleona Matën
Kukës/I shoqëruar nga forca të shumta policie, në masa të rrepta Begzim Isa, nga fshati Orgjost i komunës Zapod të Kukësit, njëherësh nxënës i shkollës së mesme mjekësore në Prizren, ka pranuar me qetësi në sallën e gjyqit se do të dërgonte 8 vjeçarin e rrëmbyer dy ditë më parë drejt Kosovës për ta trafikuar. Gjykata e Kukësit ditën e djeshme pas një seance që zgjati për një orë, dha masën e sigurisë arrest me burg, me akuzën e rrëmbimit me qëllime trafikimi të të miturve, e mbetur në tentativë për 20 vjeçarin Isa. Nga burime brenda gjykatës mësohet se 19 vjeçari ka pranuar se kishte marrë 8-vjeçarin me inicialet A. S., për ta dërguar në Kosovë, duke lënë të kuptohet se ai mund të jetë i përfshirë në një trafik fëmijësh. I pyetur nga oficerët gjyqësore se nëse ai kishte lidhje me zhdukjen e Bleona Matës Isa ka mohuar akuzën e rrëmbimit dhe trafikimit të vogëlushes më 21 maj 2010. Ndërsa gjatë zhvillimit të seancës, përpara godinës së gjykatës kanë reaguar familjarët e 20 vjeçarit duke pretenduar së të gjitha akuzat për të afërmin e tyre janë sajesë nga policia.
Masa
Prokurori Dritan Prençi ka kërkuar dje mbajtjen në burg të 20-vjeçarit me provat që disponoheshin, pasi sipas hetimeve fëmija i rrëmbyer u kap në banesën e të dyshuarit dhe me dëshmi është provuar ky fakt. Isa është përgjuar vazhdimisht si i dyshuar dhe ka dyshime se mbante lidhje me kontigjentë të krimit, kryesisht në trafiqe. Ai dyshohet si i përfshirë edhe në të tjera raste trafikimi dhe si pjesë e një organizate që vepron në Kosovë. Nga ana tjetër gjyqtarja Alma Ahmetaj ka aprovuar kërkesën duke dhënë arrest në burg për Isën. Kurse Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të bashkojë dosjen e rrëmbimit të fundit me atë të zhdukjes së Bleona Matës, pasi ngjarjet kanë ndodhur të dyja në Zapod dhe pothuajse në të njëjtin vend.
Nga ana tjetër 20 vjeçari Isa ka mohuar rrëmbimin dhe zhdukjen e Bleona Matës, por për policinë dyshohet se ai nuk po thotë të vërtetën. Kjo për faktin, se Begzim Isa prej kohësh shoqërohej me një grup njerëzish me precedent penal, ku dyshohet se mund të jetë pjesë e një rrjeti të trafikut të fëmijëve.
Precedenti
Dëshmi kontradiktore në policinë e Kukësit ka dhënë edhe Qamile Matës, një prej të dyshuarave kryesore të zhdukjes se Bleona Matës. Mësohet gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, Qamilja ka deklaruar se nuk e njihte Begzim Isën, ndërsa ky i fundit ka dëshmuar se e njeh mirë Qamilen, madje ajo ka qenë në banesën e tij. Por, përballja me Begzim Isën, i cili dyshohet se është parë ditën që u zhduk Bleona në afërsi të Zapodit, dhe mohimi nga ana e saj për njohjen e 20-vjeçarit ngre sërish pikëpyetje të mëdha, ndaj vërtetësisë së deklaratave të saj. Qamile Mata dyshohet se mund të ketë bashkëpunuar me të riun për rrëmbimin e Bleonës 3 vjet më parë.
Rrëmbimi i fëmijës dhe lirimi i pengut pas 24 orësh
Policia e Kukësit e arrestoi 19-vjeçarin Begzim Isa mbrëmjen e së shtunës në Zapod, pasi akuzohet se rrëmbeu një fëmijë për qëllime trafikimi. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Orgjost, ku i dyshuari akuzohet se mori nëpërmjet mashtrimit dhe mbajti për 24 orë në shtëpinë e tij peng, 8-vjeçarin me inicialet A. S. Policia konfirmoi se gjatë operacionit liroi fëmijën dhe ia kthehu familjes që kishte denoncuar dhe hedhur dyshime për autorin. Begzim Isa dyshohet se ka lidhje dhe me zhdukjen e Belona Matës, e cila humbi 3 vite më parë në fshatin Zapod të Kukësit. Policia është duke hetuar për të zbuluar informacione të tjera rreth zhdukjes së Belona Matës, pasi edhe familja e saj, të gjitha dyshimet i hedh mbi 19-vjeçarin.
Reagojnë familjarët e Begzim Isës,
mohojnë se ka rrëmbyer fëmijën
Familjarë të Begzim Isa, studentit të arrestuar pasi dyshohet se bën pjesë në një bandë të trafikimit të fëmijëve, kanë reaguar ditën e djeshme duke u shprehur se nuk pranojnë akuzat. Vëllai i Begzimit, Blerim Isa shprehet se vëllai ka qenë në gjumë kur e ka arrestuar policia, ndërsa 7-vjeçari në banesën e prindërve të tij. Vëllai im ka qenë në gjumë kur ka ardhur policia në shtëpi, kurse fëmija ka qenë në banesën e tij në momentin kur u arrestua Begzimi, tha Blerimi. Madje vëllai shprehet se nëse gjendet fajtor, atëherë të pushkatohet. Edhe nëna e Begzimit, hedh poshtë pretendimet se i biri ka rrëmbyer dhe ka mbajtur në banesë fëmijën. Familjarët e 20 vjeçarit kanë protestuar ditën e djeshme përpara Gjykatës së Kukësit duke pretenduar se djali i tyre nuk ka të bëjë me trafikimin e fëmijëve në Kosovë, pasi ishte një student dhe policia nuk ka prova për ta akuzuar.
Babai i Qamiles: Do ta vras nëse ka
ndihmuar në zhdukjen e Bleonës
Do ta vras me duart e mia, nëse është e përfshirë në trafikimin e zhdukjen e Bleonës, sepse jemi një fis dhe e kam bërë harram nëse na e ka bërë një turp të tillë Kështu është shprehur ditën e djeshme Bastri Mata, babai i Qamile Matës e saktësisht daja i vogëlushes së zhdukur në Zapod të Kukësit dy vjet më parë. Reagimi i tij ka qenë i menjëhershëm ditën e djeshme, pas ndalimit të Qamile Matës, kushërirës së parë të Bleona Matës. Nga ana tjetër babai i Qamiles, hedh poshtë dyshimet që vajza e tij mund të jetë përfshirë në rrëmbimin e mbesës. Nuk besoj se vajza ime është e përfshirë në këtë punë. Nëse e ka bërë vajza ime këtë gjë, do ti fus 7 plumba ballit, është shprehur ai i indinjuar. Bastriu dyshon se në rrëmbimin e Bleonës janë të përfshirë persona të tjerë, dhe i bën apel policisë që të bëjë të pamundurën për të gjetur mbesën e tij.
Ringjallen shpresat për Bleonën,
Krimet e Rënda bashkojnë dosjen
Arrestimi i 20-vjeçarit Begzim Isa ka rikthyer edhe një herë në vëmendje rastin e Bleona Matës, 6-vjeçares e cila rezulton e zhdukur që prej 3 vjetësh në fshatin Zapod të Kukësit. Ndërsa për familjarët e vogëlushes që u zhduk në rrethana misterioze është hapur tashmë një rreze drite, për gjetjen e saj, ka dyshime të forta se rrëmbyesi i saj mund të jetë 20 vjeçari i arrestuar. Këtë gjë e ka pohuar ditën e djeshme edhe gjyshi i Bleonës, Zenel Mata. Bukurie Mata ka deklaruar ditën e djeshme se 19-vjeçari ka gisht në zhdukjen e Bleonës, duke qenë se është njëkohësisht dhe daja i njërës prej vajzave që kanë shoqëruar pasditen e 21 majit vogëlushen në mal, ditë në të cilën 9 vjeçarja u zhduk papritur. Ajo këmbënguli se motra e burrit të saj, Qamile Mata, atëkohë 14 vjeçe, ka dijeni për personin që i rrëmbeu vajzën dhe ai është Begzim Isa. Bukuria shprehet se ditën kur u rrëmbye e bija, vjehrra e saj e ka parë këtë person, por sipas saj nuk ka treguar. Bleona është rrëmbyer nga 20- vjeçari në bashkëpunim me Qamilen, kanë pasur lidhje. Është edhe mbesë në atë lagje. Unë e pres me padurim gjetjen e vajzës, rrëfen ajo. Kemi dyshime se ai ka lidhje me rrëmbimin. Kemi shpresa se vajza është gjallë dhe ishallah kthehet në shtëpi ka deklaruar gjyshi i Bleona Matës. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rihapur hetimet dhe bashkuar dosjet e dy ngjarjeve të rrëmbimit të dy fëmijëve në Zapod të Kukësit, një prej ngjarjeve e ndodhur dy ditë më parë, por që fatmirësisht përfundoi me sukses ku 7 vjeçari i rrëmbyer u rikthye në familjen e tij dhe personi që e kishte rrëmbyer u arrestua nga policia.