E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi i jetimit 15-vjeçar: Jeta e vështirë mes varfërisë e mbijetesës

TIRANE- Nuk ka arritur ta njohë kurrë babanë, pasi ai ka ndërruar jetë para se Maringleni të lindte, ndërsa aromën e nënës ka pasur mundësi ta ndjeje vetëm 4 ditët e para të jetës. 15-vjeçari Maringlen Konja rrëfen historinë e trishtë të jetës së tij, pa baba e pa nënë, por që fatmirësisht atë e ka rritur gjyshja. Gjyshja e Maringlenit rrëfen sa e pamundur është të rritësh një fëmijë mes varfërisë dhe braktisjes së shtetit për këtë kategori. Ajo tregon me lot ne sy se sa të vështirë e ka pasur të përballojë jetesën me vetëm 1500 lekë në muaj.

“Vritem shpirtërisht, kur mendoj se djali ha vetëm një sanduiç në ditë, që ia japin te shkolla. As ai e as un s’kemi ku shkojmë. Ai ha atë ushqim, dhe nuk kërkon më bukë në shtëpi kur vjen nga shkolla. Unë e pyes, por ai thotë kam ngrënë. Bukë kripë dhe qepë po gjeti mirë, po nuk gjeti nuk thotë gjë. S’kemi ç’bëjmë kështu e kemi risk. Vetë vuaj nga diabeti, dhe tani jam dhe me tumor në kokë, madje pi ilaçe që më qetësojnë”, shprehet gjyshja me lot në sy.

Maringleni thotë se e ka ndjerë mungesën e prindërve, ndërsa shpreh keqardhje që nëna e tij nuk i ka qëndruar pranë.

“Babin tim nuk e kam njohur, pasi vdiq para se te lindja unë. Vdiq 4 ditë para se të lindja, ndërsa 4 ditë pasi erdha në jetë, më braktisi dhe nëna. Pastaj më mori gjyshja dhe me rriti. Nënën e kam parë një herë në gjyq. Është e dhimbshme, pasi ajo më ka lënë dhe nuk do t’ia dijë për mua. Ajo s’më ka dashur fare”, shprehet me keqardhje 15-vjeçari.

Në ditën Ndërkombëtare të Jetimëve, në Shqipëri rezultojnë rreth 31 mijë fëmijë jetimë, të cilët çdo muaj marrin si asistencë sociale nga shteti 15 mijë lekë të vjetra.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›