KQZ dhe qëndrimi i opozitës
Është thuajse çështje e harruar: po shkojmë në ditën e zgjedhjeve me një KQZ ku opozita nuk merr pjesë. Për solidaritet me aleatin e ri, Ilir Metën, me entuziazëm për miqësinë e rigjetur, të cilën e festuan me harakiri, socialistët tërhoqën nga KQZ përfaqësuesit e tyre dhe i mbushën mendjen edhe Vangjel Dules të tërheqë të tijin, si provë të hyrjes në koalicionin e majtë. Nuk dihet sa do ta bënte Ilir Meta të njëjtën gjë, nëse pozicionet do të ishin ndryshe. Gjendja stacionare vazhdon. Ilir Meta premton si kompensim një valë prej dyqindmijë votash më shumë se koalicioni i Berishës. Nënkuptohet se këto do të vijnë nga rreshtimi i LSI-së në krah të progresistëve të Ramës. Pak si shumë, po të kujtojmë se dita më e mirë e tyre ka qenë diçka më shumë se njëqindmijë vota. Në të shkuarën, Meta ka pretenduar çdo herë hiç më pak se njëzet e pesë deputetë, duke përfunduar në katër. Rama nga ana e tij, u jep zemër ndjekësve se edhe sikur votat të numërohen në shtëpinë e Berishës, rezultati do të jetë në favor të tij. Sepse - vazhdon arsyetimi - vota popullore për opozitën do jenë më shumë nga sa është në gjendje të prodhojë shaptilografi i Ferdinand Ponit. Goxha entuziaste, po të kujtohesh se Ministria e Brendshme drejtohet nga një kamikaz i Berishës në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, nga një ekspert zgjedhjesh dhe militant i kryetarit të PD si Ferdinand Poni dhe kupolë policie e akuzuar për lidhje të shumëfishta me krimin e organizuar, ku secili prej tyre karrierën e ka të lidhur me fatin e Berishës dhe disa prej tyre edhe çështjet me drejtësinë. Në vazhdën e kësaj zemërdhënie dalin në konferenca shtypi, herë pas here edhe të ngarkuar me çështjet e zgjedhjeve të selisë rozë, siç ishte rasti i fundit i Damian Gjiknurit, i cili kërcënoi se nëse do preket vota, Berisha do përballet me revolta popullore. Herën e fundit që të majtët dolën në miting, u vranë katër vetë. Berisha i vrau me synim mposhtjen psikologjike të kundërshtarit, në të ardhmen e afërt, që do të thoshte zgjedhjet që po vijnë. Që atëherë, fryma e protestës është vrarë në Shqipëri. Fakti që autorët materialë të vrasjeve po dalin të pafajshëm dhe me siguri do të marrin edhe shpërblimet për ditët e burgut, nuk ndikon në inkurajimin e protestës. E vërteta është se çfarëdo magjie të bëjë Berisha, vota ka për ta ndëshkuar. Republika e tij është një fshat i Potjomkinit në shkallë vendi dhe kriza ekonomike ndihet në xhepat e shqiptarëve. Shpresa e tij është të mbushë diferencën që do krijojë vota, nëpërmjet manipulimit të saj. Në krahun tjetër, socialistët kanë pak alternativa. Nuk e trembin dot me revolta dhe demonstrata. Njerëzit janë të lodhur dhe mosbesues se kjo opozitë është në gjendje t'i mbrojë apo ndëshkojë fajtorët në rast dhune qeveritare. Situata ndërkombëtare është e tillë, ku kriza, tërheqja e SHBA nga politika aktive në Europë dhe pafuqia e kësaj të fundit për të folur me një zë apo qenë efektive edhe brenda kufijve të saj, e bëjnë të favorshme për udhëheqës me prirje autokratike në vende periferike siç jemi ne dhe Berisha. Aq më shumë, kur fituesi nga humbësi do ndahen me dy ose tre deputetë. Përpara një Afrike Veriore në prag shpërthimi, Rusie gjithmonë e më shumë agresive, Hungarie, Bullgarie dhe Rumanie problematike, Greqi, Portugali, Spanjë e Itali në prag kaosi, problemi Berisha është pothuajse inekzistent për ta. E vetmja rrugë e opozitës që ta bëjë të lëvizë faktorin ndërkombëtar dhe ta fusë në karantinë Berishën do të jetë dokumentimi i gjerë i vjedhjes së zgjedhjeve. Dhe që të realizohet kjo, përveç një prezence masive në vendet e numërimit, duhet edhe ajo në KQZ. Ky institucion është qeveria e zgjedhjeve. Qoftë edhe për t'u njohur me vendimet e shumicës, apo demaskuar ato, duhet prezenca e opozitës. Efekti mediatik dhe ndërkombëtar i tërheqjes së komisionerëve ka kaluar pa krijuar ndonjë çudi. Qëndrimi ende jashtë KQZ-së i opozitës është argument më shumë në gojën e Berishës për karakterin anti-institucional të saj. Deri më sot, opozita ka lënë pa beteja Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Pavarësisht kërcënimeve të Taulant Ballës, sikur nesër të vijë opozita në pushtet, drejtësia do vazhdojë të mbetet në dorë të besnikëve që ka emëruar Berisha, edhe për vite të tëra. Presidenti do vazhdojë të jetë ky që është, një vasal i tij për katër vjet të tjera. Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese janë të përzgjedhur që të gjithë nga kryeministri. Por opozita nuk mund të tërhiqet dhe zbythet pa luftë edhe në KQZ. Nuk mund të sillet me kaq mendjelehtësi në raportet e saj me këto zgjedhje, të cilat janë vendimtare për vendin tonë, i cili është në udhëkryqin midis dinastisë së Berishës, apo rrugës demokratike. Ajo është votuar që të jetë prezente në institucione edhe kur këto keqmenaxhohen. Qoftë edhe si hap i parë i demaskimit të tyre.
(GSH/BalkanWeb)
(GSH/BalkanWeb)