E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, gruaja godet të shoqin me thikë në bark

Çifti Likrama është grindur në kuzhinë dhe gruaja ka marrë thikën. I plagosuri nuk bën kallëzim në polici

ELBASAN- Një sherr brenda familjes për pak sa nuk i ka kushtuar jetën një 39- vjeçari nga Elbasani teksa është qëlluar me thikë në bark. Për fat të mirë, goditja nuk ka qenë fatale për 39- vjeçarin B. Likrama, i cili pasi ka marrë ndihmën e parë në spitalin e qytetit të Elbasanit ka dalë nga rreziku për jetën. Por pas kësaj, bashkëshorti ka preferuar që të mos bëjë denoncim në polici ndaj gruas, e cila është shprehur se është penduar për atë që ka bërë.

Krimi në familje është shfaqur frikshëm ditët e fundit duke shkaktuar dy viktima. Pak orë pas krimit të regjistruar në Tiranë, ku gruaja theri me thikë bashkëshortin e saj, një tjetër ngjarje ka ndodhur në qytetin e Elbasanit. Burimet e policisë pohuan se paraditen e djeshme kanë marrë njoftimin për një ngjarje të ndodhur në lagjen “Beqir Dardha” të qytetit të Elbasanit. Të dhënat e policisë tregonin se M. Likrama, 37 vjeç, ka goditur me thikën e kuzhinës bashkëshortin e saj B. Likrama, 39 vjeç. Policia ka verifikuar ngjarjen, e cila ka rezultuar se ishte e vërtetë. Mësohet se gjithçka ka ndodhur pas një grindjeje familjare ku gruaja nuk ka rezistuar por ka marrë thikën e kuzhinës dhe e ka goditur burrin në pjesën e barkut. Fatmirësisht prerja nuk ka prekur organe jetike dhe pasi ka marrë mjekimin e parë në spital, burri ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se gruaja pas këtij krimi është penduar. Sipas policisë, ndaj 37- vjeçares filloi procedimi në gjendje të lirë pasi dëmtimi nuk vinte në rrezik jetën e bashkëshortit të saj dhe ai ka preferuar të mos denoncojë krimin. Sipas burimeve të policisë, grindja midis bashkëshortëve ka qenë momentale për problemet familjare. Sherri është regjistruar brenda mureve të shtëpisë së bashkëshortëve Likrama dhe askush nga fqinjët nuk ka mundur të sjellë detaje për marrëdhëniet në çift dhe problemet që sollën krimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›