Rrëfimi për Gërdecin, Alketa Hazizaj: “Orët e tmerrit kur u dogjëm për së gjalli”
Laureta Rryçi
Në procesin e Gërdecit vijuan edhe dje dëshmitë tronditëse të ish-punëtorëve të fabrikës së demontimit. Të thirrur nga institucioni i akuzës ata treguan, nën betimin e gjykatës, detaje nga puna e përditshme në atë fabrikë, si dhe orët e tmerrit të ditës së tragjedisë. Midis dëshmive ishte edhe ajo e Alketa Hazizajt, e cila tregoi se edhe pse në moshën 27–vjeçare, ajo nuk ishte më në gjendje për punë. Ajo kishte pësuar djegie në të gjitha pjesët e trupit, i ishte nënshtruar dhe një operacioni të vështirë dhe kurohej me shpenzimet e saj prej gati dy vitesh. Njëlloj e dëmtuar dhe në gjendje jo të mirë shëndetësore ishte edhe dëshmitarja Rabije Gërdeci. Kjo e fundit nuk ngurroi të akuzonte të pandehurin Dritan Minxolli se ua jepte normën e punës shumë të rëndë, edhe pse punonte vetëm me bashkëshortin.
Dëshmia
Alketa Hazizaj, ish-punëtorja e fabrikës, e cila ka depozituar edhe një padi në Gjykatën e Lartë për ministrin Fatmir Mediu, tregoi se punonte me vjehrrin dhe kunatin. Ajo ishte punësuar në të dyja fazat e projektit dhe bënte hapjen e arkave me fishekë njëlloj si burrat e tjerë të punësuar. Ajo tregoi se i kishin ndodhur incidente edhe herë të tjera, por ishte detyruar të bënte pushim dhe të rikthehej më pas në punë. Pa nisur mirë dëshminë, asaj i është dashur të ulej në një karrige për shkak të gjendjes shëndetësore. Më pas ajo tregoi në puna u vështirësua së tepërmi kur nisi faza e dytë e projektit, që kishte të bënte me demontimin e predhave. Hazizaj tregoi se ditën e ngjarjes kishte qenë me një grua tjetër duke mbushur thasët me barut në pjesën e poshtme të fabrikës. Kur ora kishte kaluar 11:30 ato vetëm kanë dëgjuar një zë që bërtiti duke thënë: “Çfarë ndodhi kështu se po digjemi për së gjalli?!”. Më pas, prej presionit të shpërthimit ka humbur ndjenjat. Nuk e mbante mend se kush e ka ndihmuar, se njerëzit, sipas saj, vetëm iknin si të hutuar për t’u shpëtuar flakëve, por edhe ajo, edhe pse pothuajse tërësisht e djegur, vetëm ka ecur derisa ka dalë në rrugën kryesore. Më pas e ka parë veten në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”.
Seanca
Seanca vijoi më pas me dëgjimin e dëshmive të nëntë punëtorëve të ish-fabrikës së demontimit të armëve. Dëshmitarët e thirrur nga akuza kanë treguar se çfarë ndodhte në fabrikën e vdekjes, procesin e punës, mungesën e kontratave, të sigurimeve dhe të kushteve teknike. Sipas dëshmitarëve, puna në fabrikën e Gërdecit kryhej pa nënshkruar asnjë kontratë të mirëfilltë, por vetëm të një rregulloreje në momentin që merrnin rrogën. Ish-punëtorët Rabije Gërdeci, Avni Kurti, Mihane Halili, Drita Cani, identifikuan Dritan Minxollin si personin që punësonte dhe drejtonte punën në fabrikën e vdekjes. Ata dëshmuan gjithashtu se puna në fabrikë nuk kishte kushte teknike pasi hapja e arkave me municione dhe demontimi i tyre kryhej me mjete të thjeshta si leva dhe pinca në mungesë të mjeteve të posaçme dhe udhëzimeve të specialistëve. Sipas dëshmitarëve në fabrikë, kishin ndodhur edhe më parë incidente të tjera, por që ishin kaluar. Veç të tjerave, ish-punëtorët thanë se herë pas here vinin re praninë e disa shtetasve amerikanë të cilëve nuk ua dinin funksionet. Sikurse edhe ish-punonjës të tjerë të fabrikës, dëshmitarët rrëfyen se nuk ishin trajnuar për t'u marrë në këtë punë dhe nuk kishin firmosur ndonjë kontrate. Ndërkohë, ish-ushtaraku Sokol Ngjeçi, me detyrë ish-mbikëqyrës i MEICO-s në këtë fabrikë, ndërhyri duke thënë se prokuroria po ua bën gabim pyetjet dëshmitarëve. Sipas ushtarakut, nuk mundet që prokurori të pyesë a ishin demontuar armë, sepse sipas tij, nga Forcat e Armatosura nuk është sjellë asnjë armë, por municione dhe prokuroria duhet të riformulojë pyetjet kur kërkon prej dëshmitarëve të shpjegojnë procesin e çmilitarizimit.
Drita Cani: “Prej Gërdecit humba bashkëshortin”
Ish-punëtorja e fabrikës së demontimit, Drita Cani, tregoi dje se fillimisht punën e kishte nisur bashkë me të shoqin dhe djalin e tyre. “Ishim hallexhinj dhe shkuam të bënim punë që s’i merrnim vesh; nuk pyetëm as për kontrata dhe as për siguri”, - dëshmoi Cani. Dëshmitarja, ashtu si dhe të tjerat, akuzoi drejtuesit e fabrikës se u ngrinin normën çdo ditë dhe për ta bëhej më e vështirë të merrnin pagesën e plotë të normës. Edhe pse ajo ditën e ngjarjes nuk kishte qenë në fabrikë se ishte dëmtuar në sy një ditë më parë, për ta zëvendësuar kishte vajtur e bija. “Kur kam parë flakët në Gërdec kam ulëritur nga dhimbja, se thashë m’u bënë 3 arkivole në shtëpi”, - tregonte nën ngashërimin e lotëve gruaja 55-vjeçare. Më pas, ajo, edhe pse e tronditur, ishte nisur drejt fabrikës për të mësuar mbi fatin e të afërmeve. Atë nuk e kishin lënë banorët e tjerë të hynte në rrethin me rrezikshmëri të lartë. Pasi ishte qetësuar paksa situata, dikush i kishte treguar se bashkëshorti Hysen Cani kishte gjetur vdekjen, ndërsa djali dhe vajza kishin marrë djegie në të gjithë trupin. Gruaja tregoi para gjykatës se prej mëse dy vitesh u bënte shërbim fëmijëve, edhe pse ishin në gjendje të vështirë ekonomike.
Dritan Minxolli: “Udhëzimin mbi punën e kishte bërë Patrik Henri”
Administratori i “Albademil”-it, një nga të pandehurit e procesit të Gërdecit, Dritan Minxolli, në deklaratat e tij të djeshme tregoi se punëtorët nuk kishin asnjë ditë pushim. Kjo ishte bërë me urdhër të administratorit tjetër, që ishte shtetasi amerikan, Patrik Henri. Kjo nuk i pengonte punëtorët që të mos bënin asnjë ditë pushim, por ditët që do të mungonin nuk do të paguheshin, çfarëdo qoftë arsyeja.
19 Janar 2010