Shkolla Magjistraturës, rregullore të re për pedagogët dhe trajnerët
Laureta Rryçi
Shkolla e Magjistraturës ndryshon procedurat e përzgjedhjes së pedagogëve dhe trajnerëve që do të merren me trajnimet e gjyqtarëve. Një urdhër i posaçëm, që mban firmën e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, duket se do të sjellë një reformim total në përzgjedhjen e pedagogëve për një nga shkollat më të rëndësishme për Drejtësinë në vend. Shkolla e Magjistraturës prej pak ditësh ka hapur garën për të gjithë kandidatët që duan të jenë pjesë e stafit të kësaj shkolle. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm procedurën e plotë të përzgjedhjes dhe detyrimet e kandidatëve.
Përzgjedhja
Pasi drejtoria e shkollës vlerëson nevojat e saj për trajnerë/pedagogë fillon procedura e përzgjedhjes së tij/saj. Çdo kandidat për pedagog në Shkollën e Magjistraturës duhet të plotësojë një procedurë të parashikuar në Rregulloren me Kriteret dhe Procedurat e Përzgjedhjes së Pedagogëve. Procedura kalon në tri faza.
Faza e parë: depozitimi i dokumentacionit të nevojshëm nga kandidati për pedagog në SHM dhe intervistimi i tyre. Kandidatët që do të futen në konkurs për një pozicion në trajnimin fillestar/vazhdues do të intervistohen nga përgjegjësit e departamenteve të trajnimit fillestar apo të trajnimit vazhdues.
Faza e dytë: Ngritja e komisionit për analizimin e dokumentacionit dhe të kandidatëve. Komisioni i përzgjedhjes së pedagogëve përbëhet nga: përgjegjësi i trajnimit fillestar, përgjegjësi i trajnimit vazhdues, dy anëtarët e Këshillit Drejtues në Këshillin Pedagogjik të SHM dhe dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës apo një profesor (me titull shkencor), i autorizuar prej tij. Komisioni, pasi analizon dosjet e pedagogëve, sipas rastit, u kërkon pedagogëve, në varësi të eksperiencës profesionale dhe pedagogjike, të japin një seminar/diskutim përpara një grupi kandidatësh për magjistratë.
Faza e tretë: Hartimi i listës së kandidatëve të përzgjedhur nga komisioni bazuar në kriteret dhe pikët për secilin kriter. Të dhënat profesionale dhe përvoja me lëndën; aktiviteti akademik; punimet e botuara; njohja apo rrjedhshmëria në gjuhën e huaj. Kjo listë me klasifikimin e duhur i dorëzohet drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, i cili i propozon Këshillit Drejtues kandidaturat më të përshtatshme.
Faza e katërt: Aktivizimi i pedagogut në një periudhë prove njëvjeçare dhe vlerësimi i tij sipas një sistemi me disa komponentë duke marrë opinionet e titullarëve të lëndëve, të magjistratëve, të drejtuesve të shkollës.
Detyrimet
Detyrat specifike të ekspertëve të trajnimit vazhdues janë si më poshtë: Ekspertët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe asistencën e Shkollës së Magjistraturës, do të hartojnë programin e trajnimit, të cilin do ta depozitojnë pranë shkollës jo më vonë se 45 ditë para trajnimit. Ekspertët do të depozitojnë pranë Shkollës së Magjistraturës temën e përgatitur në kopje edhe elektronike, një listë me rubrikë pyetjesh për auditorin, një listë sintetike bibliografie (të asaj ku janë mbështetur dhe të asaj që sugjerohet për studime të mëtejshme), një listë kazusesh dhe vendimesh unifikuese të Gjykatës së Lartë dhe vendime të gjykatave ndërkombëtare të rëndësishme për çështjen, si dhe bazën ligjore që gjyqtarët dhe prokurorët duhet të disponojnë gjatë trajnimit. Ekspertët duhet të jenë të pranishëm në mënyrë permanente gjatë të gjithë trajnimit. Ekspertët duhet të njoftojnë Shkollën e Magjistraturës për çdo pamundësi jo më vonë se 1 muaj nga dita e trajnimit. Në një rast të tillë ekspertët duhet të rekomandojnë ekspertin zëvendësues të mundshëm, duke pasur në konsideratë standardet e Shkollës së Magjistraturës.
Dy javë para çdo trajnimi do të thirret në takim në shkollë grupi i ekspertëve, moderatorëve, lehtësuesve dhe i sekretarisë së shkollës për të kooperuar dhe diskutuar lidhur me mbarëvajtjen e trajnimit.
Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim
Kandidatët që konkurrojnë për pedagogë në Shkollën e Magjistraturës duhet të dorëzojnë pranë drejtorisë së shkollës një dosje me:
• CV-në dhe një kërkesë;
• projekt-programin mësimor të detajuar për lëndën/kursin;
• planin mësimor të detajuar për lëndën/kursin;
• planin e një ore mësimore leksion/seminar/sesion interaktiv lidhur me një nga temat e lëndës, së bashku me burimet përkatëse pedagogjike dhe bibliografinë;
• dëshmi, diploma, rekomandime apo vërtetime për eksperiencën profesionale;
• dëshmi, diploma, rekomandime apo vërtetime për aftësitë pedagogjike dhe aftësitë në komunikim;
• rekomandime për integritetin moral dhe reputacionin e mirë;
• kopje të botimeve, artikujve shkencorë, monografive, teksteve, komentarëve etj.
5. 2 Detyrimet e trajnerëve dhe pedagogëve
box
Çdo pedagog/trajner në SHM duhet të marrë përsipër përmbushjen e detyrimeve të mëposhtme:
Ushtrimi i funksionit të tyre objektivisht dhe paanësisht, në përputhje me ligjin, strategjitë e SHM, planin dhe programin mësimor dhe rregulloren, pa u ndikuar nga trysnia dhe influenca e ndonjë lloji.
Promovimi i supermacisë së ligjit, shtetit të së drejtës, mbrojtja e të drejtave dhe lirive të shtetasve.
Orientimi i mësimdhënies duke u nisur nga natyra praktike e trajnimit fillestar.
Respektimi i vendimeve të Këshillit Shkencor, Drejtorisë dhe Këshillit Pedagogjik.
Vlerësimi me objektivitet i magjistratëve gjatë gjithë vitit akademik.
Konsolidimi i integritetit moral të trajnerit, i cili ka të bëjë me respektimin e rregullave në punën e tyre si dhe kriteret specifike në lidhje me cilësinë e tyre si trajnerë të SHM.
Konsolidimi i metodave uniforme të mësimdhënies dhe respektimi i orareve në mësim në SHM, pjesëmarrja në takimet e Këshillit Pedagogjik e në aktivitete të tjera.
Në zbatimin e aktiviteteve të tyre pedagogjike trajnerët nuk duhet të influencohen nga ndonjë doktrinë politike. Ata nuk mund të përdorin aktivitetet e tyre pedagogjike për të shprehur bindjet e tyre politike.
Trajnerët janë nën detyrimin që të ushtrojnë me kompetencë dhe korrektësi detyrat e tyre profesionale, të respektojnë përgjegjësitë e tyre administrative në bazë të ligjit, strategjive të SHM dhe vendimeve të Këshillit Drejtues dhe të Drejtorisë.
Trajnerët nuk do të përhapin ose përdorin informacionin që mësojnë gjatë punës së tyre si trajnerë për ndonjë qëllim tjetër nga ai që lidhet me përgjegjësitë e tij të trajnimit.
Detajet e vlerësimit të punës së pedagogëve të Trajnimit Fillestar
Procesi i vlerësimit të pedagogëve, lektorëve dhe trajnerëve realizohet në fund të çdo viti akademik dhe kryhet paralelisht nga analiza e disa komponentëve:
Vlerësimi nga titullari i lëndës. Titullari i lëndës ka si detyrë që gjatë vitit akademik të ndjekë në dy apo më shumë sesione çdo pedagog të grupit që udhëheq për të parë mënyrën e dhënies së mësimit. Ky vlerësim bëhet në fund të çdo viti akademik në një relacion të shkruar. Relacioni me vlerësimet për çdo pedagog i dorëzohet me shkrim nga titullari i lëndës përgjegjësit të Trajnimit Fillestar.
Vlerësimi nga kandidatët për magjistratë bëhet në fund të vitit të parë apo semestrit kur mbaron lënda dhe vlerësimi përfundimtar i kandidatëve për magjistratë me anë të pyetësorëve me shkrim të përgatitur nga përgjegjësi i Trajnimit Fillestar dhe drejtori i SHM. Marrja e informacionit përmes pyetësorëve bëhet në fund të vitit të parë duke respektuar anonimatin e kandidatëve, me qëllim ruajtjen e objektivitetit në vlerësimin e kandidatit në dy vitet e tjera. Pyetësorët e plotësuar grumbullohen nga Sekretaria Mësimore e SHM dhe dorëzohen përgjegjësit të Trajnimit Fillestar, i cili i përpunon rezultatet e tyre.
Vlerësimi nga Përgjegjësi i Trajnimit Fillestar: Përgjegjësi i Trajnimit Fillestar përgatit një relacion me shkrim në fund të çdo viti akademik me vlerësimet për punën e çdo pedagogu të trajnimit fillestar. Ai përmbledh të dhënat nga vlerësimet e bëra për çdo pedagog i dorëzohet nga titullarët e lëndëve, si dhe përpunon rezultatet e pyetësorëve të plotësuar nga kandidatët për magjistratë të Trajnimit Fillestar. Relacionin përfundimtar së bashku me kopjet e pyetësorëve të plotësuar dhe relacionet e titullarëve të lëndëve ia dorëzon drejtorit të Shkollës.
Vlerësimi nga drejtoria: Drejtoria e Shkollës, çdo fillim viti akademik përgatit një raport për Këshillin Drejtues mbi rezultatet e vlerësimit të pedagogëve gjatë vitit pararendës akademik, së bashku me propozimet për marrjen e masave për largimin apo ndryshimin e pedagogëve që nuk plotësojnë kriteret, me qëllim që Këshilli Drejtues të realizojë vendimmarrjen e tij në formën e dhënies së vlerësimit përfundimtar.
Detajet e vlerësimit të punës së pedagogëve të Trajnimit Vazhdues
Procesi i vlerësimit të pedagogëve, lektorëve dhe trajnerëve realizohet në fund të çdo viti akademik apo sesioni aktivitetesh dhe kryhet paralelisht nga analiza e disa komponentëve:
Vlerësimi nga pjesëmarrësit në trajnime bëhet në fund të vitit akademik apo kur mbaron grupi i sesioneve/seminareve me anë të pyetësorëve me shkrim të përgatitur nga përgjegjësi i Trajnimit Vazhdues dhe drejtori i SHM. Marrja e informacionit përmes pyetësorëve bëhet në fund të vitit/aktiviteteve duke respektuar anonimatin e pjesëmarrësve. Pyetësorët e plotësuar grumbullohen nga Sekretaria Mësimore e SHM dhe i dorëzohen përgjegjësit të Trajnimit Vazhdues, i cili i përpunon rezultatet e tyre.
Vlerësimi nga përgjegjësi i Trajnimit Fillestar: Përgjegjësi i Trajnimit Fillestar përgatit një relacion me shkrim në fund të çdo viti akademik me vlerësimet për punën së çdo eksperti/pedagogu të aktivizuar gjatë seminareve, pavarësisht nga numri i pjesëmarrjeve të tij si ekspert. Ai përmbledh të dhënat nga vlerësimet e bëra për çdo ekspert dhe përpunon rezultatet e pyetësorëve të plotësuar nga pjesëmarrësit për cilësinë e përgatitjes së temave, të prezantimeve, metodologjinë etj. Relacionin përfundimtar së bashku me kopjet e pyetësorëve të plotësuar ai ia dorëzon drejtorit të shkollës.
19 Janar 2010