E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentoi për të tretën herë vetëvrasjen, iu refuzua kërkesa për transferim

Ai është dërguar ta vuajë dënimin në Korçë, ku bëri krimin disa vjet më parë
Thimi Samarxhiu

Tenton për të tretën herë t’i japë fund jetës i burgosuri i dënuar nga Drejtësia me burgim të përjetshëm. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Burgun e Korçës mbrëmjen se së premtes, ku Petrit Verri ka tentuar të varë vetën me një çarçaf, por është pikasur dhe shpëtuar nga ana e shokut të tij të dhomës, me inicialet B. B. Me një vendim të Drejtorisë së Burgjeve, Verri është transferuar pikërisht në qytetin ku 13 vite më parë kreu vrasjen, për të cilën është ndëshkuar maksimalisht nga gjykata, gjë që e ka frikësuar nga mundësia e hakmarrjes së familjarëve të viktimave. Pak ditë më parë ai ka kërkuar transferimin e tij, por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga Drejtoria e Burgjeve. Mësohet se Petrit Verri është revoltuar nga ky fakt, pasi në Korçë atij nuk mund t’i vijnë për vizitë familjarët e tij për shkak të rrugës së largët dhe për të shprehur revoltën ai ka vendosur të vetëvarët.

Ngjarja
Me një litar të sajuar duke grisur çarçafët dhe pasi i ka lidhur në hekurat e dritares i ka vendosur në pjesën e grykës, është hedhur përtokë për t’u vetëvrarë, por fatmirësisht e ka shpëtuar shoku i qelisë. Burime të brendshme pohojnë se ngjarja ndodhi në qelitë e Burgut të Korçës mbrëmjen e së premtes, ndërsa protagonisti i saj është i dënuari përjetë Petrit Verri. Të njëjtat burime pohojnë se Verri kishte paralajmëruar më parë se do të vriste veten, ndaj për këtë shkak autoritetet e burgut kishin porositur shokët e tij të qelisë që të interesoheshin për të, duke mos e lejuar që të kryente aktin e vetëvrasjes, si dhe duke sinjalizuar gardianët. Pas ngjarjes, burime nga ky burg pohuan se Verri kishte shfrytëzuar momentin kur shoku i qelisë nuk kishte qenë i pranishëm dhe kishte sajuar lakun me rripa të grisur nga çarçafi. Pas kësaj ai i kishte lidhur nga jashtë hekurave të dritares dhe pasi e kishte vendosur në pjesën fytit, ishte hedhur përtokë, por ndërhyrja e shpejtë e bashkëvuajtësit ka bërë që edhe kësaj radhe vetëvrasja e tij të mbetej tentativë.

Precedentët
Në maj të 2008-s, Petrit Verri ka ndezur gjithë rrobat e qelisë duke rrezikuar jetën e tij. Për të realizuar ngjarjen mësohet se i dënuari ka vënë në përdorim shkrepëset që mbante për duhanin. Zjarri ka rënë në një nga qelitë e izolimit në Burgun e Fushë-Krujës, ku ndodhej i dënuari në momentin e ngjarjes. Burimet nga burgu, të cilat konfirmuan ngjarjen, thanë se i dënuari për vrasje ndodhej në qelinë e izolimit pas thyerjes së rregullores me veprimet e kryera në burg në formë proteste. Në orët e mbrëmjes Petrit Verri ka përdorur shkrepëset që mbante për cigaret për t'i vendosur flakën rrobave të shtratit të qelisë dhe disa materialeve të tjera që ndodheshin brenda ambientit të izolimit. Zjarri është konstatuar nga personeli i brendshëm i burgut prej tymit dhe britmave të vetë të dënuarit. Policia e burgut ka ndërhyrë menjëherë duke zhvendosur në një qeli tjetër të dënuarin, për të cilin burimet zyrtare thanë se është marrë në kontrollin e stafit mjekësor. Djegia e qelisë mësohet se është kryer nga i dënuari, pasi ditët e fundit ai kishte kërkuar të transferohej në Burgun e Peqinit për vazhdimin e dënimit. Refuzimi i kërkesës së tij për t'u transferuar në Peqin ka shkaktuar reagimin ekstrem nga personi i dënuar përjetë, i cili i ka vënë flakën qelisë.
Më 9 qershor 2007, Petrit Verri tentoi të priste damarët brenda qelive të burgut në shenjë proteste ndaj autoriteteve që nuk pranuan kërkesën e tij për t'i ndryshuar qelinë. Sipas burimeve nga burgu, dy vite më parë personi që dogji qelinë ka tentuar të presë damarët dhe më pas ka gëlltitur disa brisqe rroje, në tentativë për të kryer vetëvrasje. Gjatë këtyre veprimeve të rrezikshme për jetën e tij i dënuari është pikasur nga rojat e brendshme të burgut që kanë ndërhyrë duke normalizuar situatën dhe duke kërkuar ndihmën mjekësore për të dënuarin. Petrit Verri është dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale të "vrasjes me dashje ndaj dy personave" në qytetin e Korçës. Për këtë vrasje është dënuar edhe vëllai i tij, Nok Verri, me 25 vjet burg.

Rrëmben dhe rreh 19-vjeçaren, pranga Kërtushës

DURRËS - Një sherr për motive të dobëta i ka kushtuar shtrenjtë një 19-vjeçareje, e cila është rrëmbyer dhe më pas është dhunuar me shkop. Ngjarja ndodhi dje në Durrës kur Leonard Kërtusha, 32 vjeç, lindur e banues në Lagjen Nr. 8 Durrës, ka marrë me forcë në autoveturën e tij tip “Benz” me targa DR 9935 B një 19-vjeçare dhe e ka çuar në fshatin Arapaj të Komunës Rrashbull, Durrës. 32-vjeçari e ka ndaluar makinën e tij në një zonë të pabanuar të fshatit Arapaj dhe më pas ka nxjerrë nga makina 19-vjeçaren nga Durrësi, të cilën e ka goditur me shkop në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar plagë. Policia e sinjalizuar për ngjarjen kreu veprimet e para hetimore dhe nisi hetimet për kapjen e autorit të dyshuar, gjë që u bë e mundur gjatë orëve të vona të natës. Në dëshminë e tij dhënë në polici, Kërtusha ka deklaruar se kishte pasur një sherr me vajzën 19-vjeçare, të cilën e kishte dhe në lagje. Ajo e kish fyer dhe për këtë qëllim 32-vjeçari vendosi t’i japë një mësim duke e rrëmbyer. Burime nga policia thanë se ndaj Kërtushës u mor masa e arrestit për veprën penale të “heqjes së paligjshme të lirisë shoqëruar me dhunë fizike”.

Pranga 4 kosovarëve, tentuan të hipnin në traget me dokumentet false

Tentojnë të kalojnë kufirin me dokumente false, pranga 4 kosovarëve. Policia e Durrësit bën të ditur se Shkodran Kryeziu, 22 vjeç, lindur në Gjakovë e banues në fshatin Rugovë në Kosovë, është arrestuar dje pasi dy ditë më parë është kapur në flagrancë teksa po tentonte të udhëtonte në mënyrë të paligjshme për në Itali, me një nga tragetet e linjës Durrës-Bari, me një leje qëndrimi gjermane në emër të tij, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Gjithashtu është arrestuar Miftar Limani, 20 vjeç, nga Kosova, pasi dje është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare duke tentuar të udhëtojë në mënyrë të paligjshme për në Itali me një nga tragetet e linjës Durrës-Bari, me një leje qëndrimi gjermane në emër të tij, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Burime nga policia thanë se një tjetër kosovar, 37-vjeçari Ambroz Lucia, është kapur në flagrancë pasi tentoi të udhëtonte drejt Italisë me një nga tragetet e linjës Durrës-Bari, me një leje qëndrimi zvicerane në emër të tij, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Për të njëjtin motiv si bashkatdhetarët e tij është arrestuar edhe 44-vjeçari Ganimet Gashi.

Kërkohej për plagosje, arrestohet 17-vjeçari

Polica e Shkodrës ka arritur të vërë në pranga ditën e djeshme Besart Ç., 17 vjeç, lindur në Fshatin Dobraç, komuna Rrethina e qytetit Shkodër dhe banues në lagjen “Partizani” të qytetit Shkodër. Sipas policisë, ndalim i tij u bë pasi ky person, më datë 17.10.2009 ka qenë person i shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë e qarkut Shkodër, pasi po më datën 17.10.2009, rreth orës 13:00, në vendin e quajtur lagjja “Qemal Stafa” e qytetit Shkodër, ka plagosur me thikë shtetasin G. G. Kapja e këtij personi u bë e mundur në lagjen “Partizani” të qytetit Shkodër, pas informacioneve të marra në rrugë operative nga ana policisë. Materialet në ngarkim të Besart Ç. i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje”.

Arrestohet shkaktari i aksidentit ku humbi jetën një person

ELBASAN – Pranga shkaktarit të aksidentit ku mbeti i vdekur Refat Dyrma. Forcat e Policisë së Elbasanit kanë arrestuar në flagrancë 44-vjeçarin Sulejman Dëbrova, i dënuar edhe më parë për veprën penale të “mashtrimit”, pasi dyshohet se ka shkaktuar një aksident të rëndë në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, pranë Fabrikës së Tullave në fundjavë. Lajmi konfirmohet nga burimet policore, të cilat sqarojnë se ky person ka qenë duke drejtuar automjetin “Benz” veturë, me targa TR 4844 L dhe më pas është përplasur me një tjetër benz me targa EL 2423 B, i drejtuar 33-vjeçari me inicialet E. D., lindur e banues në Elbasan. Si pasojë e këtij aksidenti ka gjetur vdekjen e menjëhershme i ati i këtij të fundit, 67-vjeçari Refat Dyrma, vjeç 67, lindur e banues në Elbasan, i cili ka qenë pasagjer, si dhe kanë pësuar dëmtime të dy drejtuesit e mjeteve, të cilët ndodhen në Spitalin kirurgjik të Elbasanit jashtë rrezikut për jetën.

19 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›