E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregjistrimi i popullsisë, Lohan: Ruani privatësinë

Kreu i delegacionit të KE-së në Tiranë Helmut Lohan kërkoi mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë procesit të rregjistrimit të popullsisë duke e cilësuar si element kyç të procesit


TIRANË- Në përfundim të rregjistrimit të popullsisë gjatë vitit të ardhshëm, Instituti i Statistikave do të ketë në dispozicion një mori të dhënash personale të qytetarëve shqiptarë, të cilat kanë të bëjnë me përbërjen familjare, shkollimin, të dhëna në lidhje me të ardhurat, përkatësinë etnike, atë fetare, etj.


Mbledhja e këtyre të dhënave bën të detyrueshëm edhe ruajtjen në mënyrë që të përdoren për qëllime të këqia. Pikërisht ky ka qënë edhe shqetësimi i kreut të Komisionit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan, i cili e cilësoi të domosdoshme ruajtjen e privatësisë së qytetarëve duke e konsideruar atë një ndër elementet kryesorë të këtij procesi.


Gjatë fjalës së mbajtur në seminarin e zhvilluar dje nga INSTAT për këtë temë, Lohan theksoi rëndësinë e ruajtjes së të dhënave si dhe shmangien e keqpërdorimit të tyre. "Duhet menduar si një proces i rendësishëm ndaj duhet të jetë i saktë dhe të mos abuzohet më shifrat", - tha ai. Rregjistrimi i popullsisë dhe banesave në vend pritet të kryhet gjatë vitit të ardhshëm si një projekt i qeverisë shqiptare në bashkëpunim me donatorë të jashtëm.


Në rolin e kreut të Komisionit të Rregjistrimit të Popullsisë, Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit Genc Pollo e arsyetoi këtë hap me nevojën që ka kjo qeveria dhe qeveritë në të ardhmen për hartimin e politikave dhe planet e zhvillimit në nivel kombëtar e rajonal si dhe me përafrimin e sistemit kombëtar statistikor me atë europian.


"Qeveria, Pushteti Vendor, institucionet arsimore, biznesi, do të mund të adoptojnë politika më të përshtatshme dhe të marrin vendime më të pjekura, pasi do të kenë informacionin e nevojshëm.


Qëllimi kryesor i Rregjistrimit të Popullsisë është të japë një panorame aktuale dhe të saktë të realitetit demografik, ekonomik dhe social në vend. Por, në rastin e Shqipërisë, Rregjistrimi duhet të jetë gjithashtu edhe një pikënisje për një sistem të qëndrueshëm të statistikave aktuale të popullsisë sipas vrojtimeve", - tha Pollo.

Lëvizja e vazhdueshme migratore e popullsisë nga zonat rurale drejt atyre urbane, por edhe në drejtim të vendeve të tjera ka sjellë lëvizje demografike të mëdha dhe ne ndryshim të të dhënave statistikore duke bërë të nevojshëm një rregjistrim të ri.


Rregjistrimi i fundit është bërë në vitin 2001 ndërkohë që kësaj radhe pjesë e formularit që do të plotësojnë qytetarët do të jetë edhe një klauzolë që ka të bëjë me përkatësinë e tyre fetare dhe etnike.


Është pikërisht kjo çështje që ka shkaktuar shume debate në vend nëse është e nevojshme deklarimi i fesë dhe përkatësisë etnike si dhe ndikimi i saj në zhvillimet e mëspashme sociale në vend. studiues të ndryshëm e kanë kundërshtuar këtë praktikë me faktin se situata në vend do të bëjë që një pjesë e mirë e shqiptarëve të deklarojnë se i përkasin një etnie tjetër në këmbim të vizave apo të mirave materiale të tjera.


Ndërkohë, rregjistrimi i popullsisë duke delaruar fenë dhe etninë shihet si një proces normal nga ana e qeverisë, praktikë që ndiqet edhe në disa nga vendet e Bashkimit Europian. I gjithë projekti parashikohet të kushtojë 15 milionë euro nga të cilat 5 milionë i siguron qeveria shqiptare ndërsa pjesa tjëter nga donatorë të huaj. E. S


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›