E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tafaj: Qeveria do financojë edhe universitete private

Reforma në arsim / Studentët do të zgjedhin vetë se sa do të shpenzojnë për t'u shkolluar në universitete


Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqrem Tafaj, ka bërë të ditur skemën e re të financimit të universiteteve publike dhe private. Për herë të parë, Ministri ka deklaruar se qeveria do të çelë fonde edhe për arsimin e lartë privat, kjo me qëllimin e vetëm për t'i dhënë mundësi nxënësve të zgjedhin mes arsimit publik dhe atij privat.


Gjatë mbledhjes së djeshme të Konferencës së Rektorëve, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, tha se me fondet e buxhetit të shtetit do të financohet edhe arsimi i lartë privat, duke shpjeguar se skema që do të adoptohet në këtë rast është marrë nga sistemi arsimor lituanes dhe ai kilian.


"Modeli i ri i financimit parashikon dy instrumente: financimin e shpërndarjes së fondeve të i orientuar tek studenti, si dhe instrumentin e shpërndarjes së fondeve që bazohet tek institucione që do të thotë institucioni i arsimit të lartë publik dhe privat", u shpreh ministri.


Kjo lëvizje e radhës në arsim synon që të ulë diferencën e madhe të pagesës që ekziston mes studentëve të universiteteve private dhe atyre publike, por gjithashtu të rrisë cilësinë e studentëve që zgjedhin universitetin privat.


Sipas kësaj skeme, fondet për arsimin e lartë do t'u jepen studentëve nëpërmjet një kuponi, i cili është quajtur "kuponi i edukimit" dhe do të kenë një vlerë të caktuar. Sipas nënkryetarit të Konferencës së Rektorëve, Adrian Civici, studenti do të ketë në dispozicion një kupon me një vlerë të caktuar, sipas llogaritjeve që do të bëhen.


Ai shpjegon se të gjithë universitetet, qofshin këto publike apo private, duhet të përcaktojnë një çmim, pra të përcaktojnë se sa kushton ndjekja e studimeve në këto universitete. "Ngelet për tu zgjidhur se sa është përputhja e vlerës që ka kuponi i studentit me çmimin që ofrojnë universitetet. Natyrisht do të përfitojnë studentët me kuponë, ato universitete që janë të rankuara dhe të klasifikuara si universitete cilësore.

Edhe universitete publike dhe ato private do të kenë një çmim, sepse thelbi i reformës është që të shkojë drejt fundit ndarja me thikë që kemi sot mes universiteteve publike dhe private" - shpjegon Civici.


Përurohet godina e re e Drejtorisë së Taksave


Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama ka vizituar dje ambientet e reja të Drejtorisë së Taksave dhe tarifave vendore, Policisë Bashkiake dhe Inspektoriati Ndërtimor të cilat së shpejti do të ushtrojnë funksionet e tyre administrative në ambientet e reja që jaënë vendosur pranë ish Uzina mekanike, në kryqëzimin e "21 dhjetorit".


Sipas Ramës kjo ndërtesë do ti ofrojë qytetarëve të Tiranës mundësi shërbimi ashtu siç e meritojnë, cilësore sipas standardeve evropiane. "Jam shumë i kënaqur që sezoni i ri do të fillojë me një godinë të standardeve më të larta europiane, për disa struktura shumë të rëndësishme të Bashkisë së Tiranës, që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me publikun dhe që të gjithë ata qytetarë sipërmarrës që kanë të bëjnë me taksat dhe me tregjet, ata që kanë të bëjnë me nevojën për të përfaqësuar strukturat që kontrollojnë territorin dhe që janë të lidhur drejtpërdrejt ose jo me këto struktura, do të mund të shërbehen në mënyrën më të kulturuar" deklaroi Rama.


Sipas tij ky është një hop i madh cilësor përpara, dhe jo thjesht në kalimin tek një ndërtesë të këtyre standarteve, por në kalimin tek një shërbim i standarteve të larta europiane, përmes një mënyre të re të kompiuterizuar të shërbimit për sipërmarrjen kryeqytetase.


Në shërbim të qyetetarëve është një ambient që përfshin 35 zyra të reja dhe një sallë mikëpritëse për qytetarët. Salla e Pritjes do të jetë mjedisi kryesor, ku qytetarëve do t'u ofrohen shërbime në plot 20 sportele, me një sipërfaqe 131 m2.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›