E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten depozitat BSH Shtohen edhe kredite e keqija

Shqiptarët kanë nisur t`i besojnë sërish bankave duke rikthyer depozitat në to. Viti 2010 shënoi një rritje prej 17.7 për qind të depozitave në 16 bankat që operojnë në Shqipëri. Raporti më i fundit i publikuar nga banka qendrore merr në analizë gjithë zhvillimet e vitit të shkuar, duke treguar se sistemi bankar ka njohur përmirësime por dhe përkeqësime të disa treguesve. Kështu, depozitat nga rritje vjetore prej 8 për qind në 2009, patën më shumë se dyfishim një vit më vonë.

Tjetër tregues i mirë për sistemin bankar është dhe ai i rritjes së portofolit të kredive me mbi 9 për qind si dhe ai aktiveve në sistem. Në Raportin Vjetor të Mbikëqyrjes thuhet se ky tregues u rrit me rreth 11.8 për qind, kundrejt rritjes prej 6.3 për qind të konstatuar vitin 2009. Përsa i përket zhvillimeve jo të mira, më problematiku për bankat është rritja e kredive të këqia. Gjatë 2010 treguesi “kredi me probleme bruto/portofoli i kredive bruto” arriti në afërsisht 14 për qind nga rreth 10 për qind që ishte në vitin 2009.

16 bankat që operojnë në Shqipëri kanë hapur 23 degë në zonat e ndryshme të vendit,por po gjatë kësaj periudhe është vendosur mbyllja e 22 degëve të tjera. Në total, në fund të vitit numri i përgjithshëm i degëve dhe agjencive të bankave të hapura brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë arriti në 531 nga 530 që ishte në fundvitin 2009.

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›