E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtepite e shembura, si do te merret demshperblimi

Kryebashkiaku i Vorës njofton për 1700 shtëpi të dëmtuara. ALUIZNI nis përllogaritjen e pasurisë së humbur të fshatarëve
Ervin Koçi

Shtabi i emergjencave për katastrofën e Gërdecit ka nisur të bëjë evidentimin dhe përllogaritjen e dëmeve paraprake në banesat e fshatarëve të prekur nga shpërthimi i ditës së shtunë, 15 mars 2008. Deri tani, nga shifrat e para që janë bërë publike pjesërisht edhe në rrugë zyrtare, dëmet që shteti duhet t’u paguajë banorëve të fshatit Gërdec, Bashkisë së Vorës, fshatit Maminas, si dhe bizneseve të zonës, arrin shuma kolosale. Por edhe pse nga buxheti i shtetit janë lëvruar fondet e para, duket se shuma do ta tejkalojë parashikimin. Kjo përsa i përket vetëm dëmit material që qeveria me ligj u detyrohet banorëve të zonës së prekur nga shpërthimi, pasi për atë moral dhe për humbjet e njerëzve kostoja është e pallogaritshme. Aktualisht, nga disa grupe pune të ngritur në disa prej zonave ku tragjedia preku më shumë, kanë nisur që të dalin bilancet e dëmeve. Pjesa më e madhe janë shtëpi të dëmtuara, në një kohë që shumën më të madhe monetare e zënë subjektet e bizneseve.

Bashkia e Vorës

Grupet e vlerësimit të dëmeve, të cilët kanë nisur punën në terren që prej tri ditësh, kanë evidentuar deri tani 1700 shtëpi të dëmtuara. Prej këtyre, 400 shtëpi janë të shkatërruara pothuajse tërësisht ndërsa ka përfunduar puna për verifikimin e bizneseve të dëmtuara vetëm në qytetin e Vorës. Shifrat bëhen publike nga kreu i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili. Sipas tij, 43 grupet e ngritura për evidentimin e dëmeve të banesave dhe bizneseve po punojnë brenda perimetrit të pastruar nga predhat dhe municionet e tjera. Sipas kryebashkiakut Ismaili, koha jo e favorshme ka ndikuar disi në uljen e ritmit të punës po deri në fund të javës grupet e vlerësimit do të kenë të dhëna të plota për dëmet që kanë pësuar banorët dhe bizneset. Sipas tij, paralelisht po punohet edhe për grumbullimin e modaliteteve për dhënien e dëmshpërblimit të qeverisë prej 2 milionë lekësh banorëve të prekur nga tragjedia, për të cilët do të lidhet edhe një pension i posaçëm. Aktualisht, furnizimi me ujë të pishëm në zonë është normal ndërsa problem mbetet energjia elektrike për të cilën specialistët e KESH-it po punojnë për rikthimin e saj.

ALUIZNI

Edhe ALUIZNI ka ngritur 40 grupet e tij të punës të përbërë nga 200 specialistë dhe inxhinierë ndërtimi dhe është duke punuar që prej dy ditësh në zonën ku ndodhi shpërthimi. Ndërkohë mësohet se specialistët mbetet të përfundojnë azhornimin edhe në 1500 objekte, si banesa apo biznese, në të cilat do të llogaritet çdo dëmtim i shkaktuar nga shpërthimi i municioneve. Për të bërë vlerësimin e dëmeve materiale, grupet e punës në zonën e Gërdecit dhe në fshatrat përreth po i mundësojnë në bazë të programit tredimensional që disponon ALUIZNI për çdo sipërfaqe ndërtimi në çdo banesë dhe objekt tjetër. Gjithashtu, grupet e punës në bazë të kontrolleve individuale po bëjnë përcaktimin e volumeve financiare dhe ndërtuese të nevojshme, këto të fundit për të kryer përllogaritjet paraprake. Verifikimet dhe kontrollet në total janë përqendruar në 4500 shtëpi të dëmtuara dhe të padëmtuara. Në vlerësimin e këtyre dëmtimeve bëjnë pjesë edhe bizneset. Kështu, një pjesë e bizneseve të siguruara në shoqëritë private të sigurimeve kanë nisur të kryejnë procedurat për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara vetëm disa ditë më parë. Bëhet e ditur se deri tani është bërë vlerësimi i dëmeve në rreth 3 mijë shtëpi të kontrolluara. Nga përllogaritjet dhe kontrollet e ushtruara rezultojnë të pabanueshme rreth 400 shtëpi, ndërkohë me verifikimet e bëra janë matur rreth 1200 m2 të dëmtuara. Në sipërfaqet e dëmtuara, pjesa më e madhe janë sipërfaqe të dyerve, dritareve, tavaneve dhe mureve.

Formularët

Për të lehtësuar më shumë punën e inventarizimit të dëmeve, ALUIZNI ka vënë në dispozicion edhe dy lloje formularësh. Formularët në fjalë do të mbushen me të dhënat nga specialistët e terrenit, ndërsa ato janë kategorizuar me formularët sipas shkallës së dëmtimit. Dëmtimet janë ndarë sipas shkallës së tyre, të tilla si dëmtime të rënda, të mesme dhe të lehta. Formulari i parë do të jetë i njëjtë si për qytetarët ashtu dhe për bizneset. Formulari i dytë është ai për vlerësimin e dëmeve të orendive dhe pajisjeve shtëpiake si të banorëve ashtu dhe të bizneseve të ndryshme. Vetëm pasi grupet e punës të kenë bërë vlerësimet e dëmtimeve materiale, formularët do të shkojnë për verifikim në qarkun e Tiranës.

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›