Mjeku Kola: “Ndërhyrje kirurgjikale për disa nga të dëmtuarit”
Gjendja shëndetësore e të dëmtuarve në Pavijonin e Djegie – Plastikës është jashtë rrezikut për jetën, megjithëse 7 prej tyre ndodhen ende të shtuar në Reanimacion. Ndërsa njëri prej pacientëve është larguar nga Reaminacioni pasi gjendja shëndetësore është përmirësuar. Kirurgu i Djegie - Plastikës, Nardi Kola, sqaroi për gazetën “Albania” se një pjesë e pacientëve e kanë të nevojshme ndërhyrjen kirurgjikale, pasi plagët janë të thella, por kjo mund të bëhet në një kohë të mëvonshme. Aktualisht, në këtë pavijon ndodhen të shtruar 21 persona të ardhur nga tragjedia e ndodhur në Gërdec. Mjeku Kola sqaron se situata u përballua mjaft mirë me ndihmën e 30 specialistëve të tjerë që erdhën nga pavijonet e tjera. Ndërsa personeli i këtij pavijoni përbëhej nga 10 reanimatorë dhe kirurgë, përveç personelit ndihmës. Asnjë prej mjekëve nuk u njoftua për tragjedinë e ndodhur, por ata e kanë marrë vesh nga mediat dhe menjëherë kanë ardhur në spital, ku kanë ofruar ndihmë të menjëhershme. Ndërkohë që Drejtoria e QSUT-së ka siguruar barnat e domosdoshme për përballimin e situatës. Ndërsa në të njëjtën kohë qendrat farmaceutike kanë ofruar barna falas për të sëmurët. Mjekët shpjegojnë se asnjëherë nuk u ka ndodhur që të përballojnë një fluks kaq të madh të dëmtuarish në të njëjtën kohë. Kola sqaron se ajo çka është më e vështira është se gjendja e tyre është e traumatizuar dhe për këtë po iu ofrohet këshillim nga personeli i psikologëve. Të gjithë të shtruarit kanë humbur pjesëtarë të familjes, përfshi dhe dëmet familjare. Edhe nëse gjendja e tyre shëndetësore përmirësohet, ata nuk kanë një shtëpi ku të trajtojnë dëmet fizike dhe morale.
21 Mars 2008