E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahia: “Pacientët në Itali në gjendje të rëndë, por konstante”

Gjendja shëndetësore e pacientëve që po trajtohen në Itali për kurim më të specializuar është konstante. Megjithëse situata ngelet e njëjtë, vështirësia për jetë a vdekje vazhdon. Ministria e Shëndetësisë po merr çdo ditë informacione të detajuara mbi gjendjen shëndetësore të të gjithë pacientëve që po kurohen në klinikat e huaja. Drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Bardh Spahia, deklaroi se janë gjithsej 15 pacientë që po kurohen aktualisht në Itali, katër të transportuar nga Spitalin Ushtarak dhe 11 të tjerë nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. “Bazuar në buletinet informative që mbërrijnë nga Spitali i Barit (pesë pacientë) dhe Brindizit (10 të tjerë), informohemi që të plagosurit kanë një ecuri konstante. Gjendja e tyre paraqitet stacionare e qëndrueshme. Akoma nuk mund të flitet për kalim të rrezikut për jetën”,- sqaroi Spahia.
Pacientët kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale plastike për djegiet, okulistike dhe ndërhyrje ortopedike si pasojë e frakturave. Ndërsa pacientët që paraqiten si raste të vështira janë dy pjesëtarë të së njëjtës familje. Gjendja e tyre nuk ka ndryshuar. Po kështu edhe një nga pacientet që ishte në muajin e pestë të shtatzënisë është në gjendje të rëndë. E dëmtuara kishte humbje të fetusit dhe u dërgua urgjent në Itali, pasi ka pasur hemorragji që i vështirësonte shumë mundësitë e trajtimit. Deri tani jashtë vendit, Itali dhe Greqi, janë transportuar 21 të plagosur, ku një pacient ndërroi jetë në Itali. Ndërkohë, në spitalet tona aktualisht po trajtohen rreth 40 të plagosur.

Pacientët në Itali

Erison Durda, 6 vjeç
Viktor Nikolli, 51 vjeç
Zylfi Ahmeti, 52 vjeç
Qemal Deliu, 47 vjeç
Kore Deliu, 48 vjeçe
Resmie Kranja, 19 vjeçe
Nafie Laçi, 37 vjeçe
Melatina Haka, 16 vjeçe
Mehmet Saliu, 64 vjeç
Anisa Sogani, 20 vjeçe
Klodian Kodra, 31 vjeç
Fatbardha Coka 39 vjeçe

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›