E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullat e reja për tjetërsimin e pronës shtetërore

Laureta RRyçi
Qeveria përcakton rregulla të reja për tjetërsimin e pronës shtetërore. Vendimi më i fundit i Këshillit të Ministrave ka përcaktuar një procedurë më të gjatë verifikimi të dokumenteve për tjetërsimin e sipërfaqeve shtetërore. Paratë që do të përfitojë shteti nga këto tjetërsime do të kalojnë për llogari të fondit financiar të kompensimit fizik për ish-pronarët. Gazeta “Albania” ka mundur të zbardhë të plotë rregullat e reja dhe i sjell në numrin e sotëm për të gjithë të interesuarit.
Procedurat e reja
Zyra e AKKP-së në qendër bën verifikimin për juridiksionin e së cilës ndodhet sipërfaqja që kërkohet të tjetërsohet, brenda dhjetë ditëve nga data e mbërritjes së kërkesës, praktikën e plotë me të gjithë dokumentacionin. Ky proces realizohet me inventar ku listohen dokumentet e kërkesës. Zyra e AKKP-së në qark, brenda 30 ditëve nga data e marrjes në dorëzim të dokumentacionit, kryen verifikimin e hollësishëm dhe konfirmon faktin, nëse kërkesa dhe dokumentacioni shoqërues përmbushin kushtet për të tjetërsuar pronën sipas këtyre rregullave të reja. Verifikimi i kritereve do të bëhet nëpërmjet inspektimit në terren nga punonjësit e zyrës AKKP-së. Gjithashtu, zyra e AKKP-së do t’u drejtohet organeve që kanë lëshuar dokumentet me kërkesën për konfirmimin e vërtetësisë së tyre. Korrespondenca do të bëhet pjesë e dosjes. Zyra e AKKP-së ka si për detyrë të bëjë saktësimin e kufijve të sipërfaqes që kërkohet të tjetërsohet, duke kryer matje në terren, kur rezulton se dokumentacioni tekniko–ligjor i paraqitur nga kërkuesi nuk përmban kufij ose dokumentacioni teknik nuk është i plotë. Shpenzimet e verifikimeve dhe të matjes në terren parapaguhen nga kërkuesi sipas tarifave të miratuara nga ministri i Drejtësisë me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Kthimit të Kompensimit të Pronave. Në përfundim të shqyrtimit sipas afateve të mësipërme, zyra e AKKP-së në qark ka detyrimin të përcjellë dosjen së bashku me relacionin teknik, të shoqëruar me inventarin e dokumenteve.
Relacioni teknik
Relacioni teknik përmban përshkrimin e hollësishëm për verifikimin e kryer dhe përgjigjen e specifikuar për secilin nga kushtet përkatëse. Relacioni përmban gjithashtu të dhënat e sakta për sipërfaqen që kërkohet të tjetërsohet, me plan-vendosjen e saj për sipërfaqen në metra katrorë dhe çmimin e përllogaritur. Relacioni teknik mbyllet me përfundimet e paraqitura për përmbushjen ose jo të kritereve të përcaktuara në këtë vendimit nëpërmjet motivimit të veçantë për secilin prej tyre. Zyra e AKKP-së në qendër brenda dhjetë ditëve nga data e mbërritjes së dosjes, pasi verifikon zbatimin e përpiktë të kërkesave, njofton kërkuesin sipas rastit: kur duhet të paguajë detyrimin për llogari të AKKP-së për fondin e kompensimit financiar, kaparin e përllogaritur të sipërfaqes që do të tjetërsohet. Në njoftim do të përfshihet përshkrimi i hollësishëm i sipërfaqes së bashku me planimetrinë. I komunikon kërkuesit në rastin e mospëmbushjes së kritereve. Me anë të këtij njoftimi, kërkuesit i bëhet e ditur e drejta për të tërhequr kërkesën për tjetërsim. Nëse kërkuesi paraqet mandatpagesën e kaparit dhe nuk tërheq kërkesën brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftimit, atëherë AKKP-ja, brenda dhjetë ditëve nga mbarimi i këtij afati, i përcjell materialet ministrit të Drejtësisë. AKKP-ja e qendrës njofton kërkuesin kur vendimi është në kundërshtim të plotë ose të me kërkesën e depozituar. Vendimi duhet të përmbajë në mënyrë të arsyetuar, shkaqet, rrethanat ligjore dhe dokumentacionin provues për vendimmarrje të ndryshme. Në rastet kur kalimi i pronësisë së sipërfaqes do të tjetërsohet për llogari të fondit të kompensimit financiar, atëherë kjo bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave. Propozimi bëhet nga ministri i Drejtësisë, në bazë të materialeve të paraqitura nga drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, brenda dhjetë ditëve nga data e mbërritjes së mandatpagesës origjinale. Ky mandatpagese vërteton pagesën e kaparit. Kalimi i pronësisë bëhet nëpërmjet kontratës standard të shitblerjes.

Boc
Sipërfaqet që mund të tjetërsohen

Kur sipërfaqet janë rrugëkalime parcelash bujqësore, sipërfaqe të zëna nga impiante bonifikuese, kanale kullimi apo vaditjeje, të cilat kanë këto cilësi:
Janë në pronësi të shtetit dhe të patransferuara në inventarin e organeve të qeverisjes vendore, në bazë të Ligjit Nr.8744, datë 22.2.2001 “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar.

Janë të përfshira brenda një pasurie të paluajtshme, në pronësi të kërkuesit apo që rrethohet ose lidh dy a më shumë pasuri të paluajtshme, në pronësi të kërkuesit.

Brenda tyre ose në lidhje funksionale me to, kërkuesi të ketë ngritur ndërtesa banimi, sociale apo industriale apo të jenë pjesë e një studimi urbanistik të miratuar, të patrajtuar nga legjislacioni përkatës për legalizimin dhe urbanizimin e ndërtimeve pa leje.

Janë në masë deri në 20 për qind të sipërfaqes së tokës, në pronësi të kërkuesit.

Kërkuesit të kenë paguar në numrin e llogarisë së caktuar nga AKKP-ja për llogari të fondit të kompensimit të pronave, një kapar në masën 20 për qind të kundërvlerës në lekë të sipërfaqeve që do të tjetërsohen në pronësi të tyre, sipas çmimit përkatës, të përcaktuar në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, sipas metodikës për vlerësimin e pronës së paluajtshme, miratuar me Vendimin Nr.183 datë 28.04.2005 të Kuvendit.

Kapari të jenë paguar për llogari të fondit të kompensimit të pronave jo më vonë se 3 muaj nga data e marrjes së njoftimit prej AKKP-së, por përpara dërgimit të materialeve nga AKKP-ja te ministri i Drejtësisë.

Kërkesa të depozitohet në zyrën e AKKP-së në qendër, e shoqëruar me dokumentacionin provues sipas këtij vendimi.
Për sipërfaqet e zëna nga impiante bonifikuese, kanale kullimi apo vaditjeje të jetë marrë paraprakisht miratimi nga ministria përkatëse.

Në rastet e ndryshimet e projekteve, aplikuesi, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duhet të paraqesë dhe të ndërtojë me shpenzimet e veta ndryshimet e mundshme në veprat në fjalë për ruajtjen e funksionit.

Kërkesa për tjetërsimin, për llogari të fondit të kompensimit, të sipërfaqeve të përcaktuara në këtë vendim, paraqitet nga kërkuesi pranë zyrës së AKKP-së në qendër me postë rekomande.

Dokumentet që duhet të jenë bashkë me kërkesën e aplikimit

Dokumenti i lëshuar nga ZRPP-ja, që vërteton pronësinë e kërkuesit mbi pasuritë e paluajtshme, të cilat ndodhen brenda apo rrethojnë ose lidhen nga sipërfaqja që kërkohet të tjetërsohet, sipas kushteve të përcaktuara dhe sipas rastit, lejen e ndërtimit dhënë nga organi përgjegjës në periudhën kur është ndërtimi apo studimi urbanistik.

Dokumentin e lëshuar nga ZRPP-ja, që vërteton pronësinë e shtetit mbi pasurinë e paluajtshme që kërkohet të tjetërsohet, sipas kushteve të përcaktuara si dhe regjistrimin përkatës kadastral të kësaj sipërfaqeje pranë zyrave të administrimit dhe të mbrojtjes së tokës, në këshillin e qarkut.

Plan-vendosjen e sipërfaqes së kërkuar për t’u tjetërsuar, të lëshuar nga ZRPP-ja.

18 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›