E Diel, 1 Nëntor 2026

Më 1 shkurt nis hartimi i listës së ish-të përndjekurve që janë gjallë

Eljona Ballhysa
Më 1 shkurt Ministria e Drejtësisë do të nisë hartimin e listës së ish të dënuarve politikë të regjimit komunist të cilët janë ende gjallë. Kjo është bërë e ditur nga burime pranë kësaj ministrie të cilët gjithashtu kanë shtuar se nga ky vendim përfitojnë rreth 2 mijë ish të përndjekur politikë që kanë vujtuar dënimin gjatë regjimit komunist dhe që janë ende gjallë. Ekspertët bëjnë të ditur se me botimin në Fletoren Zyrtare të vendimit të Qeverisë që i jep prioritet dëmshpërblimit të ish të përndjekurve që janë ende gjallë, do të nisë menjëherë hartimi i listës me emrat e këtyre personave që përfitojnë nga ky vendim. Pikërisht dje ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë dhe për të zbatuar këtë vendim Ministria e Drejtësisë ka ngritur një grup ekspertësh që kanë nisur të shfletojnë dokumentacionet dhe të përgatisin dosjet për secilin person që përfiton nga ky vendim. Pritet që më 1 shkurt të nisë hartimi i listës së veçantë vetëm me emrat e ish të dënuarve politikë që janë ende gjallë. Këta persona duhet të paraqiten pranë Ministrisë së Drejtësisë për të dhënë numrin e dosjes dhe për t’u interesuar për ecurinë e saj deri në momentin e përfitimit të dëmshpërblimit financiare.
Vendimi
Vetëm pak ditë më parë Këshilli i Ministrave miratoi vendimin “Për shqyrtimin e drejtpërdrejtë të kërkesave të paraqitura nga ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist, të mbetur gjallë”. Në bazë të këtij vendmi ministri i Drejtësisë, ai i Financave dhe institucionet e tjera të pavarura veprojnë menjëherë, pavarësisht afateve të përcaktuara për të dëmshpërbyer fillimisht ata ish të dënuar politikë që janë ende gjallë. Pra Ministria e Drejtësisë do të vendosë në krye të punës së saj dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë që janë gjallë, mandej do të vazhdojë me listën e trashëgimtarëve të ish përndjekurve të tjerë që nuk jetojnë më. Më tej vendimi i qeverisë parashikon se Ministri i Drejtësisë identifikon listën e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, të mbetur gjallë, të cilën ia përcjell Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, dhe Shërbimit Informativ të Shtetit e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Këto institucione lidhin memorandum bashkëpunimi ndërmjet tyre, për përshpejtimin e procedurave dhe të afateve të shqyrtimit të drejtpërdrejtë e të bashkërenduar të kërkesave të ish- të dënuarve politikë të regjimit komunist, të mbetur gjallë, si dhe të komunikimit zyrtar ndërmjet tyre.
Nisma
Kjo inciativë është marrë pas kërkesë së shoqatave të ish të përndjekurve politikë. Prej kohësh ata kanë paraqitur ankesa pranë zyrës së Avokatit të Popullit, në të cilat pretendojnë se Ligji Nr. 9831 datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist” bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut si dhe me Rezolutën e Këshillit të Europës për Dënimin e Krimeve të Komunizmit, në të cilat përcaktohet e drejta e viktimave të regjimit komunist për rivendosjen e drejtësisë, rehabilitimin moral e politik, dëmshpërblimin ekonomik si dhe riintegrimin real në shoqëri. Gjithashtu ata pretendojnë se Ministria e Drejtësisë ka miratuar disa procedura tepër të ndërlikuara dhe të vështira për t’u plotësuar dokumentacioni që u kërkohet të dënuarve politikë për të përfituar dëmshpërblimin që ju takon sipas Ligjit përkatës. Sipas tyre procedurat e miratuara nga Ministria e Drejtësisë janë në kundërshtim jo vetëm me ligjet dhe VKM-të e miratuara për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist, por ato janë edhe në kundërshtim të hapur me Ligjin Nr.9831 datë 12.11.2007. Pas këtyre ankesave, Dobjani i shkroi një kërkesë zyrtare jo vetëm ministrit të Drejtësisë por edhe Kryeministrit. Pak ditë pas shkresës, kryeministri Sali Berisha bëri publike edhe faktin se të parët që do të dëmshpërblehen do të jenë ish-të përndjekurit që janë gjallë.

Masa e dëmshpërblimit financiar për çdo të përndjekur

Sipas ligjit masa e dëmshpërblimit për çdo të dënuar politik, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer, në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim në hetuesi, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, dëmshpërblehet financiarisht, sipas kritereve të këtij ligji, në masën 2 000 (dy mijë) lekë në ditë. Për personat që kanë vuajtur internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit është 1 000 (një mijë) lekë në ditë. Për personat e tjerë të internuar ose të dëbuar parashikohet një skemë pensioni, e cila do të rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Dëmshpërblimi i përcaktuar u takon dhe familjarëve të tij, në pjesë të barabarta takuese, kur i dënuari nuk jeton më. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblim është e drejtë jopasurore vetjake. Nga shuma që çdo i dënuar politik përfiton nga ky ligj, zbritet masa e dëmshpërblimit që ai ka përfituar me ligjet e mëparshme. Familjarët e viktimave, të pushkatuara apo të ekzekutuara me dënim politik të padrejtë, për vuajtjen dhe persekucionin, përfitojnë një dëmshpërblim financiar të barabartë, gjithsej, në masën e 8 viteve kompensim dënimi me burgim. 1100 ish-të përndjekurit e parë, do të marrin vetëm 18 e shumës totale të dëmshpërblimit. Ky rregull është përcaktuar në mënyrë që fillimisht të dëmshpërblehen të gjithë me një shumë të konsiderueshme dhe më pas procesi të realizohet në disa faza të tjera.

Harxhi përshëndet vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Malit të Zi

Zëvendës ministria e Punëve të Jashtme Edit Harxhi ka përshëndetur dje në emër të qeverisë shqiptare vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Malit të Zi. Gjatë një deklarate për mediat Harxhi ka shprehur besimin se më vonë edhe qeveria e Serbisë do të njohë pavarësinë e Kosovës.
“Dal këtu para jush për të përgëzuar në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, lidhjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi. Kjo është një arritje tjetër e shtetit më të ri në botë, që është Kosova, në rrugëtimin e tij drejt vendosjes jo vetëm marrëdhënieve diplomatike por edhe njohjeve të reja. Lidhja e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Malit të Zi është shumë domethënëse për rajonin, dhe për Ballkanin në përgjithësi, për vetë faktin që tashmë Kosova ka lidhur marrëdhënie diplomatike me tre nga vendet që e rrethojnë, që i ka fqinjë të drejtpërdrejtë në rajon, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Shpresoj që natyrisht, shpejt a vonë, kjo të shkojë edhe me fqinjin e katërt të Kosovës, që është Serbia, dhe natyrisht të arrihet edhe njohja e plotë e Kosovës nga vende të tjera që janë anëtarë të Kombeve të Bashkuara”, është shprehur Harxhi e cila ka bërë të ditur se deri tani janë 65 shtete që kanë njohur shtetin e ri të Kosovës. “Shpresoj që në këtë vazhdë, duke parë edhe njohjet më të reja, siç ishte Republika e Mauritanisë para disa ditëve, që është shteti i 65-të që ka njohur Kosovën, këto njohje të vazhdojnë pavarësisht nga vendimi i gjykatës Ndërkombëtare të Hagës që pritet të dalë. Por kjo nuk do të ndikojë, dhe po shihet që nuk ndikon, ashtu sikurse nuk do të ndikojë ai vendim edhe në lidhjen e marrëdhënieve diplomatike dhe me vazhdimin e këtij shteti të ri në rrugëtimin e tij drejt OKB-së”, është shprehur zëvendësministria e cila ka bërë të ditur se Ministria e Jashtme e Shqipërisë vazhdon të lobojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Republika e Shqipërisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, vazhdon gjithë punën e saj të përditshme në çdo moment duke lobuar për njohje të reja të Republikës së Kosovës dhe mbështet fuqimisht të gjithë aktivitetin diplomatik të Republikës së Kosovës, jo vetëm në favor të njohjeve të reja, por natyrisht dhe në rrugën e saj të konsolidimit të shtetit të ri, gjë që i shërben paqes dhe sigurisë në rajon.
Ne vazhdojmë akoma me projektet tona ashtu si më parë. Tashmë kemi një memorandum midis dy Ministrive të Jashtme, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë për marrëdhënie mjaft të shpeshta por dhe për një aktivitet mjaft të fortë diplomatik midis nesh, si dhe një ndihmë reciproke, sidomos ndihmë përkrah vendosjes dhe konsolidimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe shërbimit diplomatik të Kosovës. Shpresoj që shumë shpejt të kemi edhe njohje të tjera dhe këto njohje të reja të jenë jo vetëm ndër pesë shtetet që kanë mbetur nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe nga vende të tjera të cilat janë pjesë e OKB-së. Duke qenë se edhe Mbretëria e Spanjës në këto momente ka marrë Presidencën e radhës të BE-së, shpresoj që dhe lajmi i mirë që erdhi nga Spanja në këto momente për të ftuar Kosovën në Konferencën e Sarajevës që do të zhvillohet pas disa muajsh, natyrisht që është një tjetër arritje e madhe dhe zhvillim tjetër në dobi të paqes në rajon dhe më gjerë”, - është shprehur Harxhi.

18 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›