E Diel, 1 Nëntor 2026

Rregullorja e Kuvendit, Gjiknuri: “PD-ja kërkon të linçojë kandidatët për gjyqtarë”

Vazhdon debati PS-PD për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit

Eljona Ballhysa
Ka vazhduar edhe dje debati në Këshillin e Rregullores mbi ndryshimet e propozuara nga deputetët demokratë. Anëtari i Partisë Socialiste në Këshillin e Rregullores, Damian Gjiknuri, është shprehur dje se nëpërmjet propozimeve PD-ja synon të linçojë kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Sipas Gjiknurit, realizimi i seancave të zgjatura me kandidatët e dekretuar nga Presidenti për institucionet kushtetuese synon vjeljen e sa më shumë informacioneve, madje edhe personale, duke ushtruar presion dhe duke i linçuar këta kandidatë, të cilët mund të vendosin të tërhiqen nga kandidimi. Më tej deputeti socialist bën të ditur se në asnjë shtet europian nuk hiqet e drejta e deputetit për të votuar në fshehtësi, përveçse në Senatin amerikan. Anëtarët e këtij këshilli kanë bërë të ditur se amendamentet e PD-së për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit do të diskutohen gjatë seancës së ditës së enjte.
Një tjetër deputet i PS-së, anëtar i Këshillit të Rregullores, Kastriot Islami, ka bërë të ditur dje se amendamentet kanë shumë mundësi të miratohen në mënyrë të njëanshme, vetëm me votat e deputetëve demokratë, pa marrë në konsideratë qëndrimin e opozitës.
Kundërshtimi
“Seancat e stërzgjatura që ata propozojnë, pra bëhet fjalë për një periudhë 8-javore, në themel kanë linçimin e të gjitha kandidaturave, duke i kërkuar edhe informacione private që normalisht ata nuk duhet t’i bëjnë publike. Pra, qëllimi është i thjeshtë, që t’i kompleksojnë, t’i linçojnë publikisht këto kandidatura, në mënyrë që ose personat të tërhiqen vetë, ose ata të dënohen me një votë politike nga ana e maxhorancës. Partia Socialiste është thellësisht kundër këtyre procedurave. Transparenca e procedurave për zgjedhjen e kandidaturave nuk ka të bëjë shumë me aspektin e votës së fshehtë ose votës së hapur, por ka të bëjë me mënyrën se si zgjidhen këto kandidatura, kriteret ligjore dhe profesionale që ato përmbushin. Dhe pikërisht nëpërmjet kësaj, vullneti i Kuvendit shprehet nëpërmjet votës”, - është shprehur deputeti Gjiknuri. Ai gjithashtu shprehet kundër amendamentit që parashikon votimin e hapur për çdo dekret të Presidentit të Republikës. Sipas Gjiknurit, kjo është një metodë e PD-së për të kontrolluar deputetët e saj nga rrjedhja e votës. “Ju e dini që PS-ja i ka dhënë edhe publikisht qëndrimet e saj, po aq më tepër i kemi bërë të ditura edhe në mbledhjen e Këshillit, ku propozimi në fjalë synon të fusë një normë të re në Rregulloren e Parlamentit. Një dokument që është miratuar në mënyrë konsensuale, që është votimi i hapur për kandidaturat për të gjitha dekretet e Presidentit, pra për kandidaturat e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Ne na duket një thyerje e privatësisë së votës për deputetin. Është një lloj kontrolli politik që maxhoranca synon të ushtrojë mbi votat e saj, nga frika që ka nga rrjedhja e votave. Aq më tepër është një cenim i sovranitetit të Kuvendit, përsa i përket shprehjes në mënyrë të fshehtë për kandidaturat e Presidentit te Republikës”, - është shprehur Gjiknuri.
Më pak shpresë për mosndryshimin e Rregullores ka Kastriot Islami, deputet i socialistëve dhe një nga pesë anëtarët opozitarë të Këshillit të Rregullores. “Shanset janë që kjo nismë ligjore të diskutohet dhe votohet në Parlament në mënyrë të njëanshme nga ana e maxhorancës. Gjatë debatit të sotëm nismëtarët mbeten të vendosur për votimin e hapur të dekreteve të Presidentit, ku bëhet fjalë për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Nga pala tjetër u dhanë të gjitha elementet që votimi duhet të bëhet sipas Rregullores së miratuar me konsensusin e palëve në momentin kur është hartuar”, - është shprehur Islami. Ai tha se “është kërkuar një informacion më i imtësishëm, siç aplikohet në vendet e Europës, ndërsa në SHBA votimi është i hapur. Më pas do të synohet të përafrohet modeli shqiptar për të arritur në argumente që do të përplasen në seancën në Parlament”.
Qëndrimi
Ndërkaq, përsa i përket qëndrimit të anëtarëve demokratë në Këshillin e Rregullores, në një njoftim zyrtar nga Kuvendi bëhet e ditur se ata e konsiderojnë votimin e dekreteve për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese si një votim jo formal, por substancial. Demokratët në Këshill theksuan se parimi i transparencës, si përgjegjësi politike, ushtrohet përmes votimin të hapur. Çdo deputet duhet të ushtrojë e të mbajë përgjegjësinë e votës së tij. Duke sjellë modele të votimit të anëtarëve të Gjykatave në SHBA dhe në vende të ndryshme të Europës, anëtarët e Këshillit thanë se transparenca në votimin e kandidaturave është një instrument thelbësor parlamentar. Deputetët propozues thanë se ky përmirësim i Rregullores vjen si rezultat i një procesi dinamik dhe një eksperiencë parlamentare të këtyre viteve, si një domosdoshmëri për të ndjekur plotësisht frymën e Kushtetutës dhe, mbi të gjitha, për të rritur transparencën dhe nivelin e përfaqësimit cilësor në sistemin e drejtësisë.

Rregullorja e Kuvendit dhe ndryshimet e propozuara
Neni 58
Votimi i hapur
1. Votimi i hapur bëhet me ngritjen e dorës ose nëpërmjet mjeteve elektronike.
2. Votimi bëhet përherë i hapur në rastet e miratimit të programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, të shqyrtimit të dekretit të Presidentit të Republikës për emërim dhe shkarkim ministri, të votimit të Buxhetit të Shtetit ose të projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të.

Amendamenti
Në nenin 58, pika 2 hiqen fjalët “për emërim dhe shkarkim ministri”.

Neni 111 pika 6
6. Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili e shqyrton atë dhe harton raportin përkatës brenda tri javëve. Kuvendi shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit në seancë plenare brenda një jave nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe, nëse kërkohet nga të paktën një kryetar grupi parlamentar, zhvillohet debat për të.

Amendamenti
Në nenin 111, pika 6, fjalët “brenda tri javëve” ndryshohen në “brenda 8 javëve”.

8 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›