E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja bën gati kallëzimin për deputetin e PS-së



Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të depozitojë sot kallëzimin penal ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Tom Doshi, i cili akuzohet se ka kanosur për shkak të detyrës. Më datë 24 maj 2010, ndërsa po zhvillohej normalisht seanca plenare e radhës, Tom Doshi kërcënoi me vdekje në sallën e Kuvendit të Shqipërisë deputetin e Partisë Demokratike, Gent Strazimiri. Sipas Grupit Parlamentar të PD-së, incidenti u provokua pa asnjë arsye, kur deputeti demokrat po diskutonte në foltoren e Kuvendit dhe prej tij nuk u shqiptua asnjë fjalë fyese ndaj kolegëve të opozitës. “Të nesërmen e ngjarjes së rëndë, shumë prej mediave elektronike të vendit transmetuan pamjet e qarta për publikun, ku shihet dhe dëgjohet qartë kanosja me jetë e kryer nga Tom Doshi. Këto pamje do t’i vihen në dispozicion organit të akuzës, duke iu bashkangjitur kallëzimit penal. Sipas nenit 238 të Kodit Penal të Shqipërisë, për veprën penale të kanosjes për shkak të detyrës parashikohet dënim edhe me heqje lirie. Ky nuk është rasti i vetëm kur deputeti socialist Tom Doshi bëhet protagonist i ngjarjeve të dhunshme. Disa vjet më parë ai goditi barbarisht në një ambient publik të Tiranës një gazetar të shtypit shqiptar, në sy të shumë dëshmitarëve. Ngjarja bëri bujë, duke shkaktuar edhe reagimin e ashpër të shumë personaliteteve vendase dhe të huaja, megjithatë autori nuk u ndëshkua”, - bëhet e ditur nga Grupi Parlamentar i PD-së.

8 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›